Më shumë se 800 punonjës mjekësorë të marinës amerikane janë drejtuar për në portin e Los Anxhelesit, në bordin e anijes spitalore “Mercy”, si pjesë e përgjigjes së qeverisë federale ndaj pandemisë së koronavirusit.
“Mercy” përbëhet nga rreth 800 persona të stafit mjekësor, 1 000 shtretër spitalor dhe 12 salla operacioni. Sipas zyrtarëve anija nuk do të trajtojë pacientët me koronavirus, por do të marrë pacientë të tjerë nga spitalet e Kalifornisë Jugore për të liruar hapësirë, në mënyrë që pacientët me koronavirus të marrin trajtimin e duhur.
Ende nuk është bërë e ditur mbërritja e anijes në Los Angeles, por drejtuesit e saj thanë se trajtimi i pacientëve pritet të fillojë menjëherë pas mbërritjes në destinacion.
“Presim një gamë të gjerë të pacientëve”, deklaroi kapiteni i marinës, John Rotruck.