Prej fillimit të marsit, trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edy Reja ndodhen në karantinë në shtëpinë e tij në Italinë e goditur rëndë nga koronavirusi.
Për fat të mirë, Reja gëzon shëndet të mirë, ndërsa në një lidhje telefonike në Dita Jonë këtë mëngjes, ai tregoi se si është duke e kaluar karantinën.
“Po e përjetoj ashtu si të gjithë. Unë nuk dal shpesh nga shtëpia. Këtë e bëj vetëm një herë apo dy herë në javë për të bërë pazaret. Fatmirësisht nuk jetoj në një pallat, apo në një shtëpi të vogël”, u shpreh 74-vjeçari.
Një veprim për t’u vlerësuar i Rejas ishte edhe fakti që ai dhuroi gjysmën e pagës së tij për të ndihmuar sado pak në futbollin shqiptar, në këtë situatë krize.
“Mendoj se kjo është e domosdoshme sepse ka persona që nuk kanë një punë të dytë dhe jetojnë vetëm me futbollin. Nëse do të jetë e nevojshme do të japim një tjetër ndihmë”, tha italiani.
Reja u shpreh më tej se edhe pse në izolim ka kontakte të vazhdueshme me futbollistët e kombëtares shqiptare, po ashtu në izolim.
Ai theksoi se aktualisht do të jetë e vështirë që të luhet pjesa e mbetur e këtij sezoni si në Itali, Shqipëri apo në shtete të tjera. Ai shprehet se futbollistët duan një kohë për të arritur gjendjen e tyre fizike.
“Do të jetë e vështirë. Pas një muaji ndërprerje do të ketë probleme për të rifilluar. Duhet bërë përgatitja e duhur. Nuk mund të rifillojmë menjëherë. Kjo do të përbënte një rrezik të madh për të gjithë lojtarët.
E vështirë do të jetë të luhet edhe pa tifozë, por mendoj se do të gjendet zgjidhja e duhur për të vazhduar. E rëndësishme është që të gjithë preken sa më pak nga kjo situatë”, u shpreh në Dita Jonë trajneri i Kombëtares Edy Reja.