UNICEF: 5 këshilla prindërve për të ndihmuar fëmijët gjatë pandemisë COVID-19

4 Maj 2020, 19:58Lifestyle TEMA

Pandemia e koronavirusit (COVID-19) ka kushtëzuar jetën familjare në të gjithë botën. Mbyllja e shkollave, puna në distancë, distanca fizike – i ka detyruar prindërit që të lundrojnë e të lundrojnë vazhdimisht në internet. Robert Jenkins, Shefi Botëror i Arsimit i UNICEF-it, jep pesë këshilla për të ndihmuar prindërit në mbikëqyrjen e arsimimit të fëmijëve, gjatë kohës që ata qëndrojnë në shtëpi.

1. Planifikoni një rutinë së bashku

Mundohuni të krijoni një rutinë të përshtatur me programet edukuese që mund të ndiqen në internet, në televizion ose përmes radios. Gjithashtu, kujdesuni që programi juajj të përmbajë edhe kohën e lojës, edhe kohën për të lexuar. Organizojini veprimtaritë e përditshme si mundësi mësimi për fëmijët tuaj. Dhe, mbi të gjitha, mos harroni t’i hartoni së bashku këto plane, atëherë kur është e mundur.

Edhe pse krijimi i një rutine dhe strukture është shumë e rëndësishme për fëmijët dhe të rinjtë, në këto kohë ju mund të vini re që fëmijët tuaj kanë nevojë për njëfarë fleksibiliteti. Përshtatini aktivitetet tuaja. Nëse fëmija juaj duket i shqetësuar teksa përpiqeni të ndiqni një program mësimi online me ta, zëvendësojini me një alternativë më aktive. Mos harroni se planifikimi dhe bërja e punëve të shtëpisë së bashku është një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin e funksioneve motorike te fëmija. Mundohuni të jeni të disponueshëm sa më shumë të jetë e mundur për nevojat e tyre.

2. Bisedoni hapur

Nxitini fëmijët tuaj t’ju bëjnë pyetje dhe të shprehin ndjenjat e tyre. Mos harroni se fëmija juaj mund të ketë reagime të ndryshme ndaj stresit, kështu që bëni durim dhe tregoni mirëkuptim. Më së pari ftojeni fëmijën tuaj të flasë për atë që e shqetëson. Mësoni prej tyre atë çka dinë. Diskutoni praktikat e mira të higjienës. Ju mund të përdorni momente të përditshme për të forcuar rëndësinë e gjërave si larja e rregullt dhe e plotë e duarve. Sigurohuni që jeni në një mjedis të sigurt dhe lejoni që fëmija juaj të flasë lirshëm. Vizatimi, tregimet dhe aktivitetet e tjera mund t’ju ndihmojnë që të flisni hapur.

Mundohuni të mos i minimizoni apo shmangni shqetësimet e tyre. Pranojini ndjenjat e tyre dhe bëjuani të ditur atyre që frika në këtë situatë është e natyrshme. Tregoni vëmendje të plotë ndaj tyre dhe mundohuni që ata të kuptojnë se mund të flasin me ju dhe mësuesit e tyre sa herë që dëshirojnë. Paralajmërojini ata në lidhje me lajmet e rreme dhe inkurajojini që të përdorin, ashtu si dhe ju, burime të besueshme informacioni, siç janë udhëzimet e UNICEF-it etj.

3. Merrni kohën tuaj

Filloni me seanca mësimore më të shkurtra dhe zgjatini ato gradualisht. Nëse keni qëllim që të keni një seancë 30-45 minuta, fillojeni me 10 minuta. Brenda një seance, kombinoni kohën në internet ose në ekran me aktivitete ose ushtrime të tjera.

4. Mbroni fëmijët tuaj në internet

Platformat digjitale ofrojnë një mundësi për fëmijët që të vazhdojnë të mësojnë, të marrin pjesë në lojëra dhe të mbajnë kontakte me miqtë e tyre. Por rritja e aksesit në internet sjell rritje të rreziqeve të mëdha lidhur me sigurinë, mbrojtjen dhe intimitetin e fëmijëve. Diskutoni për internetin me fëmijët tuaj në mënyrë që ata të dinë se si funksionon, për çfarë duhet të jenë të vetëdijshëm dhe cila është sjellja e përshtatshme në platformat që përdorin, siç janë videothirrjet.

Vendosni rregulla së bashku se si, kur dhe ku mund të përdoret interneti. Vendosni kontrollin prindëror në pajisjet e tyre për të zbutur rreziqet që vijnë nga interneti, veçanërisht për fëmijët më të vegjël. Identifikoni mjetet e duhura në internet për krijime së bashku – organizata si “Common Sense Media”, të cilat ofrojnë këshilla për aplikacione, lojëra dhe argëtime të tjera në internet, të përshtatshme për moshën. Në rast të sulmit në internet, bullizmit kibernetik ose të një incidenti me përmbajtje të papërshtatshme në internet, kontaktoni shkollën dhe njihuni me mekanizmat e tjerë të dobishëm të raportimit, duke ruajtur numrin e ndihmës dhe të linjave të tjera telefonike të dobishme.

Mos harroni se nuk është e nevojshme që fëmijët ose të rinjtë të ndajnë fotografitë e tyre ose informacione të tjera personale për të hyrë në mësimin digjital.

5. Qëndroni në kontakt me institucionin arsimor të fëmijëve tuaj

Vihuni në kontakt me mësuesin ose shkollën e fëmijëve tuaj për të qenë vazhdimisht të informuar, për të bërë pyetje dhe për të marrë sa më shumë udhëzime. Grupet e prindërve ose grupet e komunitetit gjithashtu mund të jenë një mënyrë e mirë për të mbështetur njëri-tjetrin lidhur me shkollimin në shtëpi.

Për më tepër këshilla, vizitoni udhëzuesin e UNICEF-itpër Coronavirus (COVID-19) për prindërit. /UNICEF, përgatiti Erina Çoku/

1 komente në “UNICEF: 5 këshilla prindërve për të ndihmuar fëmijët gjatë pandemisë COVID-19”

  1. Qazim Qazo says:

    Flasin keta qe kan nga 2-3 dado per femije per koke. ik ore qiuni. vetem mend japin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje