Studimi që fundosi hidroksiklorokinën bazohet mbi të dhëna të dyshimta

4 Qershor 2020, 13:16Bota TEMA

OBSH dhe qeveritë e disa vendeve, mes të cilave edhe Franca, ndryshuan pak ditë më parë strategjinë lidhur me përdorimin e hidroksiklorokinës (medikament antimalarje i zbuluar në vitet ’20), bazuar mbi studime të publikuara në revistat shkencore me emër si “Lancet” dhe “New England Journal of Medicine”. Këto studime ishin bazuar në 1500 pacientë nga 1200 spitale të ndryshme të botës, rastet e të cilëve çonin në përfundimin se hidroksiklorokina lidhej me vdekshmëri më të lartë te të sëmurët me Covid-19 dhe shtim të problemeve kardiake.

Por pas kësaj, e përditshmja britanike “Guardian” publikoi një investigim që hedh dyshime të forta mbi origjinën e këtyre studimeve: të dhënat e mbledhura nga një kompani e vogël me bazë në Çikago, “Surgisphere”, mes punonjësve të së cilës figurojnë një aktore porno dhe një autor librash fantashkencë.

Pasi ky investigim u bë publik, të dy revistat shkencore publikuan shënime me të cilat paralajmërojnë lexuesit se studimet mund të tërhiqen.

Dje, drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus,  njoftoi se do të bëhen të tjera studime, pasi pezulloi provat klinike të hidroksiklorokinës disa ditë më parë.

Mbi efikasitetin e hidroksilklorokinës  kundër koronavirusit, nuk ka të dhëna përfundimtare. Studime po kryhen në shumë vende, si mbi aktivitetin e saj antiviral, ashtu edhe atë antiinflamator në fazat e përparuara të Covid. Një studim i ri i realizuar mbi 821 pacientë, të cilit i referohet “New York Times” ka treguar se ilaçi në të vërtetë nuk ka ndonjë funksion antiviral, pra nuk mund ta parandalojë virusin.

Hidroksiklorokina u bë e njohur për publikun e gjerë falë Presidentit të SHBA Donald Trump (i cili sugjeroi përdorimin e saj në masë) dhe mjekut francez Didier Raoult.

Sipas Guardian, kompania Surgisphere (administratori i të cilës është Sapan Desai, i denoncuar më parë për neglizhencë, ishte bashkautor i studimeve të botuara nga revista shkencore. Informacioni për të në Wikipedia u zhduk menjëherë pas publikimit në fjalë nga “Guardian”) nuk arriti të shpjegojë as mospërputhjet e mëdha me të dhënat e identifikuara nga Guardian Australia, dhe as metodologjinë e përdorur për studimin e saj, i cili pretendonte se kishte mbledhur të dhëna në mënyrë të ligjshme nga mbi një mijë spitale në të gjithë botën.

Hetimi i “Guardian” zbuloi se shumica e punonjësve të Surgisphere (gjashtë, sipas profilit të kompanisë LinkedIn deri javën e kaluar: ditët e fundit, numri ka rënë në tre) kanë aftësi të kufizuara shkencore: redaktori i tyre shkencor rezulton të jetë një autor i botimesh fantashkencë, dhe një nga ekspertët e marketingut është një modele porno. Deri të hënën e kaluar, linku “na kontaktoni” në faqen e internetit të Surgispheretë çonte në faqen e kriptomonedhe: dhe kjo, sipas “Guardian”, ngre pikëpyetjen se sa spitale kanë mundur të kontaktojnë me kompaninë.

Gabimi që e bëri “Guardian” të dyshonte se kishte diçka që nuk shkonte me studimet lidhet me numrin etë vdekurve në Australi. Në studimet e Surgisphere u referohej të dhënave nga “5 spitale, 600 pacientë, 73 prej të cilëve vdiqën”. Por deri më 21 prill, data e fundit e studimit, në Australi kishte vetëm 67 të vdekur, sipas raportit të Universitetit Johns Hopkins. “Guardian” kontaktoi pesë spitale në Melburn dhe dy spitale në Sidnei, asnjë prej të cilëve nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për Surgisphere.

Sipas Surgisphere, databaza e saj ka marrë akses në të dhënat e 96 000 pacientëve në 1 200 spitale në të gjithë botën. Sipas ekspertëve të cituar nga “Guardian”, ekzistojnë shumë dyshime për bazën e të dhënave: sepse siç pretendon kompania, spitalet ia kanë kaluar të dhënat pasi i kanë bërë anonime, një procedurë kjo që nuk bëhet menjëherë pasi kërkon kohë gjatë së cilës institutet kombëtare të statistikave i përpunojnë ato. Asnjë informacion mbi bazën e të dhënave nuk është bërë ndonjëherë publik: madje as emrat e spitaleve të përfshirë. “Sipas të gjitha gjasave, – thotë Peter Ellis, kreu i analistëve të të dhënave në firmën konsulente Nous Group, –  baza e të dhënave është një mashtrim”/ Corriere.it /

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje