Profesori dhe mjeku i njohur i Ortopedisë, Panajot Boga ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 88-vjeçare.
Boga ka qenë drejtues i shërbimit të Ortopedisë në Shqipëri për shumë vite, ndërkohë që edhe shërbimi ortopedik në Spitalin e Traumës në Tiranë mban emrin e tij.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata ka bërë një dedikim për mjekun e njohur,
“Do na mungosh njeriu Panajot Boga, por do mbetet mes nesh profesionisti shembullor me gjithçka na le trashëgimi! Përveç fëmijëve të tu biologjikë, ke rritur shumë djem e vajza Profesor, prandaj do mbetesh i paharruar! Të qoftë e blertë lëndina! Homazhet bëhen nesër, 8 Qershor, nga ora 10-13 pranë ambienteve të Fakultetit të Mjekësisë!’, shkruan profesor Arben Gjata.
Ndërkohë Gramoz Ruçi, kryetari i kuvendit, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekut ortoped Panajot Boga të cilin e cilëson si të ditur dhe duarartë.
Sipas Ruçit Boga është emblema e ortopedisë shqiptare dhe një mjek që do të jetojë në mirënjohjen e të gjithëve.
“Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit të shquar të mjekësisë, ortopedit të njohur, mikut tim të hershëm dhe të çmuar Panajot Boga.
Profesor Boga është një ndër themeluesit e shërbimit mjekësor shqiptar, krijues dhe drejtues jetëgjatë i shërbimit të ortopedisë, profesor i dhjetra brezave të studentëve, një sintezë e vlerave më të mira të personalitetit dhe njeriut të dashur, mjekut të ditur, duarartë, të përkushtuar e të palodhur, që shërbeu deri në ditët e fundit të jetë me profesionalizëm dhe humanizëm të pashoq.
Profesor Panajot Boga do të jetojë në kujtesën dhe mirënjohjen e mijra studentëve, dhjetra-mijra pacientëve dhe të gjithë shqiptarëve, të cilëve u shërbeu me bisturinë, kurajon dhe fjalën e ëmbël. Lamtumirë, Profesor Panajot Boga!”,- shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Ndërsa residenti Ilir Meta me anë të një shënimi në ‘facebook’ ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të mjekut të shquar të Ortopedisë Panajot Boga, i cili ndërroi jetë sot në moshën 88-vjeçare. Sipas Metës mjekësia shqiptare humbi një mjek novatar e të palodhur, i cili la pas një trashëgimi të vyer.
“Me shumë trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Profesorit të nderuar dhe mjekut të shquar të Ortopedisë shqiptare, Panajot Boga.
Mjekësia shqiptare humbi mjekun novator e të palodhur, por edhe drejtuesin energjik dhe aplikuesin vizionar të shkencës progresive në fushën e Ortopedisë, i cili la pas një trashëgimi të vyer e model frymëzimi për brezat e rinj të mjekëve.
Ngushëllime të sinqerta familjes së dashur Boga, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë komunitetit të mjekëve.
I përjetshëm kujtimi i Profesor Bogës!”-shkruan Meta.
Kam pat rastin te marr sherbimin mjeksor te doktorit. Nje mjek i mire dhe njeri i kulturuar. Ngushllime familjes.
Kam pat rastin te marr sherbimin mjeksor te doktorit. Nje mjek i mire dhe njeri i kulturuar. Ngushllime familjes.