Dy fenomene të trurit, të identifikuara në një studim të fundit, hedhin më shumë dritë mbi disa prej efekteve anësore të ketaminës. Matjet e valëve të trurit të deleve të vëna nën efektin e këtij ilaçi mund të shpjegojnë përvojat jashtë trupit dhe gjendjen e harresës së plotë që ai mund të shkaktojë.
Në fakt, ketamina është një ilaç anestezik që përdoret për dhimbjet. Ajo u përdor për herë të parë në vitet 1960 gjatë operacioneve të ushtarëve të luftës së Vietnamit. Për shkak të efektit të fortë, është përdorur edhe si qetësues për kafshët.
Përveçse bllokon dhimbjen, ketamina i bën përdoruesit të ndihen sikur janë shkëputur nga trupi i tyre. Kjo ndjesi e ka kthyer atë në një drogë të përdorur në klube nate dhe festa, ku njihet me nofkën “Special K”.
Studiuesit matën valët e trurit të deleve të qetësuara me ketaminë dhe vunë re frekuencë të ulët kur delet ishin në gjumë. Ndërsa kur ato zgjoheshin, frekuenca alternohej mes të lartës dhe të ultës, oshilacione këto shumë të forta në fillim, por që më pas normalizoheshin.
“Ndërsa delet dilnin nga efekti qetësues i ketaminës, aktiviteti i tyre në tru ishte me të vërtetë i pazakontë“, thotë profesoresha Jenny Morton në Departamentin e Fiziologjisë, Zhvillimit dhe Neuroshkencës së Universitetit të Kembrixhit, i cili drejtoi studimin. “Koha e skemave të pazakonta të veprimtarisë së trurit të deleve korrespondonte me kohën kur përdoruesit njerëz raportojnë ndjesinë e shkëputjes së trurit nga trupi”.
“Ka gjasa që lëkundjet e trurit të shkaktuara nga ilaçi mund të parandalojnë që informacionet nga bota e jashtme të përpunohen normalisht“, thotë Morton.
Studiuesit vunë re se pas dozës së lartë të ketaminës, truri i deleve ndalonte plotësisht. Megjithëse dukeshin sikur ishin në gjumë, truri i tyre ishte i fikur. Disa minuta më vonë, truri i deleve funksionte përsëri normalisht – dukej sikur fikej dhe ndizej.
Studiuesit mendojnë se kjo pauzë në aktivitetin e trurit mund të korrespondojë me atë që abuzuesit e ketaminës e përshkruajnë si ‘vrima K’ – një gjendje harrese e krahasuar me përvojën afër vdekjes, e cila pasohet nga ndjesia e një qetësie çliruese. Studimi është botuar në revistën “Scientific Reports”.
Ata që abuzojnë me ketaminën dihet se marrin doza shumë herë më të larta se ato që u janë dhënë deleve në këtë studim. Studiuesit thonë se doza të tilla të larta mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë apo edhe pushim të zemrës.