Javët e ardhshme do të jenë kritike në përpjekjet për të zvogëluar numrin e rasteve me coronavirus, tha Dr. Anthony Fauci para Kongresit Amerikan të martën.
Shefi i sëmundjes infektive amerikane u zotua se numri i testimeve do të rritet.
“Tanimë javët në vijim do të jenë kritike në aftësinë tonë për të adresuar vatrat e reja që ne po shohim në Florida, Teksas, Arizona dhe në shtetet e tjera. Ata nuk janë të vetmet që kanë vështirësi.
Në dijeninë time, askujt prej nesh nuk i është thënë që të ngadalësojë procesin e testimeve. Ky është thjesht një fakt. Në realitet , ne do të bëjmë më shumë testime”, tha dr. Fauci.
Të martën pati rritje të numrit të infeksioneve në disa shtete të SHBA-së, si Arizona, California, Mississippi, Nevada dhe Texas duke vendosur rekorde të reja ditore për raste të reja të coronavirusit.
Drejtuesit e lartë të shëndetit publik hodhën poshtë pretendimet e Trump se pandemia është duke u “venitur”.
120 mijë persona kanë humbur jetën deri tani nga COVID-19 në SHBA, ndërsa rastet ditore kanë shkuar në 30 mijë, nga 20 mijë që ishin më parë.