Duket se shtatori do të rezervojë shumë surpriza për teleshikuesit ku televizionet janë vendosur në garë për të sjellë programacionet më interesante të cilat synojnë të përthithin më shumë audiencë.
Pas lajmeve të shumta lidhur me lëvizjet e disa prej “veteranëve” të moderimit nga televizionet respektive, së fundmi një lajm i publikuar nga drejtuesja Alketa Vojsiu ka ndezur sërish “motorët” e garës.
Edhe pse Top Channel transmetoi për herë të parë në Shqipëri një emision në formatin reality show love, “Për’Puthen”, i integruar brenda programit “ E Diell”, duket se në garë do të ketë TV Klan i cili ka vendosur ta kopjojë këtë format.
Ka qenë vetë prezantuesja Vejsiu e cila ka njoftuar në rrjetet sociale risjelljen e këtij formati edhe në TV Klan.
Ajo ka siguruar nisjen e një formati të ngjashëm ku emri këtë herë do të jetë “Love Show”.
Ky format u kthye shumë shpejt në një prej emisioneve më të dashura për shqiptarët , ku 40 episodet e transmetuara çdo të diel morën rreth 23 milionë klikime vetëm në platformën YouTube.
Mes dy televizioneve edhe më herët ka pasur akuza të shumta sa i përket kopjimit të formateve ku një prej tyre le të kujtojmë emisionin “Klanifornia”, i cili u prezantua me pompozitet si një version ndryshe i Portokallisë.
Cilësia e programeve, sipas “Almedia” ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në furnizimin me reklama. Sipas një raporti të BIRN, sa i përket renditjes së televizioneve për nga të ardhurat, Top Channel u rendit i pari me 32% të tregut, pasuar nga Klan me 27%.
Në vend të tretë u rendit kompania Media Vizion, e cila operon televizionin Vizion Plus me 10% të tregut. Kompania G2 Media e cila operon televizionin A2CNN u rendit në vend të katërt me 9% të tregut.
Televizioni tjetër i ri, Euronews, i cili operohet nga kompania Euro Balkans News, pati 46 milionë lekë të ardhura ose vetëm 1.1% të tregut.