Konflikti i armatosur për Karabakun, ushtritë armene dhe azere godasin qytete të banuara

5 Tetor 2020, 19:21Bota TEMA

Konflikti i armatosur mes Armenisë dhe Azerbajxhanit ka hyrë në javën e dytë. Përveç luftimeve në vijën e kontaktit në rajonin Nagorno-Karabakh, tashmë raketat po bien si rrebesh edhe në disa qytete të banuara.

Ushtria azere ka nisur një ofensivë të rëndë tokë-ajër duke përdorur dronë dhe raketë-lëshues për bombardime. Shënjestër ishte kryeqendra Stepanakert, qytet i cili u godit në mënyrë rastësore më synimin e vetëm për të frikësuar popullatën civile.

Fushata e ushtrisë azere ka funksionuar pasi mijëra të moshuar, gra dhe fëmijë po arratisen nga Nagorno-Karabakh për në Armeninë fqinje, ku po ndërtohen kampe për refugjatë.

Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të fuqive të mëdha dhe OKB-së për vendosjen e një armëpushimi, palët duket se nuk janë afër uljes në tryezën e negociatave.

“Kushti im i fundit është që t’na jepet një plan për tërheqjen e forcave armene nga territoret e pushtuara”, deklaroi Ilham Aliyev, president i Azerbajxhanit.

Kësaj deklarate dhe ofensivës azere, ushtria armene iu kundërpërgjigj duke bombarduar Ganxhën, qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit.

Bilanci i luftimeve mes palëve është tepër i lartë: qindra ushtarë janë vrarë, ndërsa dhjetëra civilë të rjaonit Nagorno-Karabakh kanë humbur jetën dhe më shumë se 90 të tjerë mbetën të plagosur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje