Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka shpërthyer ditën e djeshme në akuza të forta në adresë të presidentit Ilir Meta.
Nga qyteti i Elbasanit ku ishte në një takim me strukturat e partisë, zoti Balla iu kërkoi qytetarëve që të votojnë për PS, pasi sipas tij, vota për këtë parti është të për të ndarë të mirën nga e keqja.
Dhe në këtë kontekst, numri 2 i Partisë Socialiste solli ndërmend sjelljet e fundit të presidentit Meta, i cili është zhveshur nga kostumi i kreut të shtetit duke u marrë me politikë, siç e tregojnë sulmet dhe akuzat e artikuluara prej tij në adresë të qeverisë dhe mazhorancës socialistë.
Madje, deputeti Balla shkoi deri atje kur e cilësoi skandal që Ilir Meta bën menaxherin e LSI-së duke shkuar si President për të kërkuar vota për Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“Unë nuk kam dyshim që ne, jo vetëm do t’i marrim 8 mandate në Elbasan, por duhet t’i vëmë objektivin vetes për të luftuar për mandatin e 9.
Është e turpshme ajo që po ndodh që Ilir Meta bën menaxherin e kompanisë duke shkuar si President për të kërkuar vota.
LSI këtu në Elbasan nuk ka asnjë arsye për t’u kërkuar votën qytetarëve të Elbasanit. Vota për PS është një votë për të ndarë përfundimisht të mirën nga e keqja. E keqja e këtij vendi në këto 30 vite është kthyer në 4 emra: Ilir Meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi dhe Luli”, deklaroi ai.
Më tej deputeti socialist, Taulant Balla renditi dhe arsyet pse në 25 Prill duhet votuar Partia Socialiste dhe Edi Rama.
“Detyra jonë sot është t’i japim Edi Ramës, Kryeministrit tonë, jo vetëm mandatin e tretë, por ajo që Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha dje në Fier, vlen shumë e thënë nga goja e Gramoz Ruçit, sepse në fund të fundit, ajo që duhet të plotësojë sot një kandidat për Kryeministër është të ketë ambicien, vizionin dhe energjitë.
Të gjithë shqiptarët sot, në shumicë, nuk gjejnë dot një kandidat tjetër që mund të rivalizonte Edi Ramën në këto tre kritere.
Të vesh në peshore Edin me Lulin apo Metën, nuk ka peshore që mund t’i masë.
Zgjedhjet e 25 Prillit janë të rëndësishme për të caktuar se si do të jetë Shqipëria në 10 vjeçarin që kemi filluar”, tha kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.