Ajo që s’ka kuptuar Lulzim Basha e të vetët

23 Nëntor 2020, 11:52Politika TEMA

Nga Mustafa Nano

Kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë, me ton zemërak, se numri i viktimave të COVID-it është më i madh sesa ai që raportohet nga autoritetet qeveritare e shëndetësore.

Dhe si provë ka nxjerrë disa foto të shkrepura në morgun e Tiranës. Edi Rama reagoi me ngut. E me të njëjtin ton zemërak. “Janë fotografi të montuara,” tha. Pas tij, u shfaq edhe Dr. Tritan Kalo, që nuk e fshehu nausea-n prej mëtimit të Bashës, sido që këtë nausea, siç e ka bërë zakon në çdo dalje publike, e lidhi me zemërimin ndaj gjithë klasës politike. Sikur të mos kishte folur Dr. Tritan Kalo, për të cilin vetëm ndonjë marrok mund të mendojë se i shërben Ramës, do të isha i prirur të besoja më shumë Bashën. Dhe do të ishte hera e parë që do t’i besoja këtij njeriu. Arsyeja do të ishte shumë e thjeshtë. Prej muajsh tanimë, autoritetet qeveritare e shëndetësore janë bërë një trup i vetëm nën komandën e kryeministrit.

Por nuk ka ndonjë çudi në këtë mes. Ideja se do të ishte më mirë që përballimi i krizës t’i lihej në dorë vetëm ekspertëve e doktorëve është interesante, por asnjë qeveri nuk do të binte dakord t’ua delegonte atyre këtë përgjegjësi. Dhe mirë do të bënte. Lëri të tjerat, por do të ishte edhe e pakuptimtë. Kjo është një krizë e pashembullt, dhe njerëzve që kanë mandat për t’u dalë zot punëve të vendit nuk do t’u falej nëse do të bënin mënjanë për t’i hapur rrugë pushtetit të ekspertëve.

Kjo është arsyeja që asnjëherë e askund nuk ka ndodhur një gjë kësodore. Për sa i takon krizës konkrete, kudo kanë qenë qeveritë që kanë drejtuar, tektuk duke marrë fuqi ekstraligjore. Aq e vërtetë është kjo, sa në shtypin botëror kanë zënë ta shohin krizën e COVID-it si një premisë, në të cilën lindin diktatorë e diktatura. Ky i yni nuk është bërë ende diktator, edhe pse njerëzit e opozitës, në fakt, e kanë shpallur të tillë përpara se të vinte COVID-i. “I ka shtënë të gjitha në dorë,” vijojnë të thonë, duke u rrekur të theksojnë faktin se Rama është uzurpator, domethënë ka marrë dhunshëm e në mënyrë joligjore pushtete që nuk i përkasin. Në fakt, Rama nuk është uzurpator. Këtë pushtet të madh ia kanë falur opozitarët vetë me vendimin absurd, e të lig, për të dalë jashtë sistemit.

Por po kthehem te diskutimi mbi numrin e viktimave prej COVID-it. Rama mund të jetë i interesuar që ta ulë këtë numër, pasi kjo do të ishte një mënyrë për të shitur histori suksesi të tijat, por si zor të besohet që ai mund ta bëjë këtë gjë ditë për ditë, për muaj të tërë. Fshehja e të vdekurve prej COVID-it në shifra të mëdha do të kërkonte pjesëmarrjen e shumë vetëve në këtë bashkëfajësi. Për rrjedhojë, do të ishte shumë e vështirë të ndodhte. Vetëm njerëzit e dhënë shumë pas teorive të konspiracionit do të mund ta hanin versionin sipas të cilit të vdekurit janë katër-pesë herë më shumë sesa janë raportuar. Në mos, do të duhej të bindnim veten se ata që po drejtojnë luftën kundër COVID-it nuk janë gjë tjetër, veçse një shoqëri e përsosur masonike, që dinë të na hedhin hí syve të gjithëve.

Sipas meje, ka ndodhur një gjë tjetër. Rama është marrë vesh me doktorët e ekspertët për të shtënë në punë një përkufizim të tyrin mbi “të vdekurit prej COVID-it”. Të bëhet të besosh se ata kanë rënë dakord të mos fusin në këtë kategori viktima, për të cilët COVID-i ka qenë thjesht pika e fundit e ujit që ka mbushur kupën e vdekjes, apo edhe të tjerë që mund të kenë vdekur me simptoma COVID-i, por pa qenë zyrtarisht me COVID (ngaqë testi i tamponit nuk i ka nxjerrë pozitivë).

Kjo ujdi i ka ardhur për osh Ramës, në mos, ka qenë ai që e ka sugjeruar, pasi kështu edhe mund të kishte rast për të folur për një sukses shqiptar, edhe mund të shmangte përfshirjen e popullsisë prej ndonjë paranoje të katastrofizmit. Donald Trump nuk e pati për gjë t’i pohonte gazetarit Bob Woodward që në muajin mars, kur situata ende nuk ishte e qartë, se ai ishte i mirëinformuar mbi rrezikshmërinë që paraqiste virusi, por u shtir sikur nuk e dinte, pasi ndryshe e gjithë Amerika do të përfshihej prej panikut. Ai në fund dështoi në administrimin e krizës (me gjasë, për këtë shkak humbi edhe zgjedhjet), por dështimi nuk lidhet me atë strategji të tij të fillimit. Përkundrazi, lidhet me veprime të tij të mëpastajme.

Shkurt, Lulzim Basha do bënte mirë të hiqte dorë prej narrativës opozitare të katastrofës prej COVID-it. Kjo është një kauzë pa mbështetje. Nuk ka për t’i dhënë frute. Ai edhe mund të vijë një ditë në pushtet (çfarë nuk ndodh në këtë botë!), por ai nuk ka për të ardhur pse Edi Rama trukoi numrin e të vdekurve prej COVID-it. Nëse është keq për kauza opozitare (gjithnjë ka qenë keq, në fakt; ndryshe, nuk do të kapej me thonj pas çdo fatkeqësie natyrore e pas çdo çalltisjeje antiqeveritare: tërmeti, COVID-i, taksa e Rrugës së Kombit, protesta e banorëve të Unazës, protesta e studentëve, protesta në mbrojtje të ndërtesës së teatrit, hedhja nga dritarja e të sëmurëve me COVID etj., etj.), le të vrasë mendjen ca më shumë.

Por përpjekja për të fituar pikë me të vdekurit prej virusit nuk ka për t’i bërë punë. Përkundrazi. Në këtë situatë, nuk ka njeri më pak të ngjërueshëm sesa ai që del çdo ditë për të na bërë me dije se “spitalet kanë marrë fund, se ato janë mbushur me kufoma, se fajtore është qeveria, se qeveria po i fsheh të vdekurit, po shfrytëzon COVID-in për të vjedhur etj.”.

Qëndrime të tilla njerëzve ua shpifin më shumë sesa COVID-i vetë, apo sesa qeveria më e keqe e mundshme. Opozitarëve mund t’u pëlqejë kjo kauzë, por nuk kanë për të parë dobi prej saj. Rama nuk dëmtohet, aq më pak rrëzohet, prej fotografive me trupa që dergjen në morg. Po të ishte kështu, do të kishte rënë nja dhjetë herë kryeministri i Spanjës, ku gjatë valës së parë, kamerat televizive kapën të sëmurë që dergjeshin krejt të paasistuar në dyshemetë e korridoreve të spitaleve të Madridit. Po kaq herë do ishte rrëzuar edhe Giuseppe Conte i Italisë, ku në një moment të caktuar u pa që kufomat, të bëra kapicë mbi njëra-tjetrën, zunë t’i transportonin me makina ushtarake.

Ndërsa Boris Johnson-in do të mund ta kishin ndëshkuar edhe më rëndë, pasi ai nuk qe në gjendje të kuptonte atë që nuk mbeti njeri pa e kuptuar: “COVID-19 nuk ishte shaka”. Aq i papërgjegjshëm u tregua, sa hyri si fanti spathi në një spital të takonte të prekurit prej virusit. Doli prej andej i infektuar dhe përfundoi në terapi intensive. Shpëtoi për një qime. Ndërsa më “skandalozja” ka qenë qeveria suedeze, e cila nuk ndoqi modën e karantinimit. Ishte e vetmja që nuk bëri ashtu si bëri bota. Ishte një zgjedhje shumë guximtare, me pasoja të rënda. Numri i vdekjeve prej COVID-it ishte shumë më i madh sesa në vendet fqinje.

Çfarë kanë bërë opozitat në këto vende? Janë sjellë në mënyrën më konstruktive që mund të përfytyrohet. Dhe nuk janë sjellë në këtë mënyrë ngaqë janë të dobëta. Jo, përkundrazi, kjo sjellje është shenjë force. Kjo është ajo që s’ka kuptuar Lulzim Basha e të vetët. Kriza e COVID-it na vuri të gjithëve në një situatë të pazakontë, më e vështira që mund të kemi kaluar si komb që pas Luftës së Dytë Botërore. Deri para ca kohe, e gjitha mund të ngjante me një sendërgjí, apo me një ngjarje që s’kishte lidhje me ne, por kohët e fundit nuk ka mbetur njeri pa u prekur në një mënyrë a në një tjetër. Po na ikin miq, shokë, familjarë.

Është tamam si në luftë. Dhe në luftë (mund ta përfytyrojmë kaq gjë) nuk mund t’i lejojmë vetes luksin të luajmë rolet që kemi luajtur në kohë paqeje. Kjo është e vërtetë edhe për opozitën, veçanërisht për të, së cilës megjithatë nuk po i kërkon kush të heqë dorë nga roli i saj. Le ta bëjë opozicionin, por të na kursejë shfaqjen me kufoma që dergjen morgjeve të Tiranës. Mbi të gjitha, të na kursejë ngazëllimin prej këtyre shfaqjeve.

17 komente në “Ajo që s’ka kuptuar Lulzim Basha e të vetët”

  1. vlora says:

    Shkurt dhe sakte Te pushoje keshilltarin

  2. ZGJEDH TË KEQEN MË TË VOGËL ?? says:

    Bravo Nano .Këto që shkruan i mendojmë dhe ne .
    Na inatos sjellja e opozitës .Fatkeqësia e një vendi, lidhet edhe me opozitën ndaj qeverisjes.
    Kur e shajnë dhe qesëndisin Lulzim Bashën duhet të na dhemb të gjithëve , sepse ai duhet të ishte mbrojtësi ynë ndaj veprimeve dhe mos veprimeve të qeverisë.
    Por me këtë sjellje, me këto përpjekje për përfitime personale politike, Lulzim Basha dhe krerët e tjerë opozitar jo vetëm na bëjnë pesimist për rrotacionin politik por na bëjnë të militijmë pranë këtij kryeministri që për momentin është alternativa më e mirë .

    1. Bureto says:

      Sepse Lulzim Basha mund të jetë i aftë për çdo gjë, dhe në fakt e ka treguar se është (s’po merrem me listën), por ama 100% i sigurt që ai as ka lindur për politikan, por edhe pse dikush ia dha këtë mundësi nuk u bë dot, e nuk do të bëhet kurrë. Thjesht është një fatkeqësi për PD dhe për vendin që ka mbetur pa alternativë, se si sikurse thotë populli ai e “ka kripur djathin”. Nënshtetësi holandeze po, pasaportë amerikane po, miliona euro pasuri po. Atëhere sikur edhe vetëm për klto fskte atij nuk i plas për ne. Ndaj i urojmë t’i shkurtohen ditët si politikan në 25 Prill 2021. Me të tjerat shpresojmë të merret drejtësia e vonuar, por inshallah nesër, jo e munguar.

  3. Nikolini says:

    Kote nuk thone se nje njeri qe e Ben vet at gje te tjeret i akuzone shume let! Hajduti thote kapni hajdutin! Lulzim Basha e Sali berisha Jane vrases dhe Kan ber qdo gje qe te fshehin viktimat dhe te Verteten e Gerdecit dhe te 21 janarit. Edi Rama mund te ket 1 mi mekate por kurre nuk besoje se ulej aqe poshte shpirtrisht dhe ligjirish dhe do ta bent nje gje te tille edhe po te kishte munsi . Por normalishte qe eshte e pa mundure

  4. Iliria e bashkuar says:

    Me duket se shteti, policia, sigurimi dhe shume shqiptare nuk kane kuptuar se Basha eshte veper e Saliut. Ai eshte armik i shqiptarve.

    1. qazim says:

      Shkrim i bukur,arsyetim racional dhe sugjerime te sakta qe duhen degjuar megjithse ata te cileve ju drejtohet,as nuk kane dhe as nuk do te kene veshe dhe mendje ti degjojne.

  5. Tr says:

    NANOJA ESHTE NJE NDER ANALISTET E SHITUR TEK SERBET DHE GREKET.

    1. Cuni i Vuk Karaxhicit nga Vicidoli says:

      Zoti @Tr , pse nuk e ke perfunduar fjalen “Tropoja” , por e ke lene ne mes ? Kjo nuk ndryshon gje , qe ti je nje injorant i shkalles me te larte dhe nje cope mish me dy sy . Pastaj thoni se perse i shajne malokerine , simbolin e injorances klanore mesjetare !

  6. Moka says:

    Muçi ti e ke thënë me gojën tënde që më 2013 ! Je në anën e qelbësirave !,

  7. biden says:

    Per hire te se vertetes Tramp qysh ne fillim te pandemise ka deklaruar boterisht se sasia e viktimave ne SHBA do te arrije ne 200 mije vete, dhe ne fakt sot ka arritur afro 250 mije vete.

  8. Zani says:

    Me kot i bien ne qafe Lylit! Ky nuk ka as fantazi, as guxim, as aftesi organizimi dhe drejtimi! Ky eshte hic! Mbas cdo gjeje qe thote dhe ben Lyli keni mbrapa Sali Berishen, Dr. Mortjen! Edhe kaseten e masakres se Krushes dhe kopjet e dosjeve te krereve te UCK, edhe harddisqet e 21 janatit 2008 i ka Saliu ne shtepi! Tung!

  9. Koti says:

    Po mirë moj Moka, opinionet e Nanos nuk të pëlqejnë. Dakord, jep ti opinionin tënd të kundërt, apo si ta kesh, që ne të gjykojmë. Qelbësirë pse i thua? Nga kjo ne gjykojmë që ti je Qelbësirë, jo ai që hapur e thot mendimin e tij.

  10. Real says:

    Mendoj se eshte e kunderta e asaj qe thote pupaci i doktor vdekjes. Si ne Kosove dhe ne Shqiperi gjate muajve te veres ka qene ne mode qe sa me shume te rregjistrohen te vdekurit me virus. Sepse edhe familjaret jane pajtuar me kete zgjidhje sepse merrnin perfitime financiare per varrimin e viktimave nqf se rregjistrohej si i vdekur nga virusi viktima.
    Dhe shqiptaret si te shquar per dallavere e shfrytezuan kete mundesi per tu pasuruar ne kurriz te te vdekurve.

  11. iksi says:

    O .z . Nano , Lul Basha i ka exauru te gjitha format per te denigru qeverine dhe per te rrit vehten por te gjitha i kan deshtuar dhe duke u konsultuar me ” filozofet ” qe ka ne P.Ď , I kan thene tashti do t’ ja hedhim : -Te perdorim kufomat e spitaleve se ne kete drejtim populli exhte i ndjeshem e do behet nami . Mire more te mjere a ju shkon ne mend bemat qe keni bere gjate kohes qe keni qene ju ne qeverisje , nje here e hengri populli ne 2005 sen por ajo nuk ishte fitore e juaj por ishte tradhetia e Metes me L.S.I. ne .Mjeket jane humanitare prandaj i thone mjek qe detyra e tij eshte per te luftu me sheru njerezit kjo me shkence dhe me besim fetar . Sado mjek i pa kujdesur qe mund te duket nje mjek perseri lufton per sherimin e njerezve . Nuk ka gjykat qe ta fajsoje mjekun sepse vdekja mund te ndodh sepse ndodhin komplikacjone te ndryshme ku mund te jete per faj te cilesise te ilaçit ose nje ndryshim parametrash te shpejta pra perkeqsim i shpejte nga shume rrethana trupore te njerit e tjetrit etj etj, pra nuk ka mjek qe don me gabu qellimisht .Luli me P.D ne ne fillim thonin nuk ka epidermi por genjeñ Rama don me i detyru njerexit te mbýllen , pse flet vetem ai ne televizor pse nuk le mjeket me fol , kur nuk fliste pse nuk flet . Nje here pse raporton me shume te prekur dhe te vdekur sepse paguhet nga Europa dhe leket i merr per vehte , tashti ne fund pse ka raportu me pak te vdekur se jane me shume . Hajde merru vesh me kete opozite me Lulin ne krye . Ka shumu per te thene per to por nuk kam ma durim dhe po mjaftohem me kaq .

  12. Shqiperiaeshqiptareve says:

    Ne te gjitha mandatet qe kane qeverisur demokratet vetem vdekje dhe fatkeqesi kane lene ne memorien e cdo Shqiptari. Eshte e vetmia gje qe dine te bejne shume mire ata dhe te njejten gje po bejne dhe ne opozite,si me termetin si me covid19 te njejten filozofi kane, lusin si e si te kemi fatkeqesi me te madhe qe populli te jete I pa kenaqur me Ramen dhe te vijne vet ne pushtet. Po se cfare do beje Lulushia me qeverine po u be kryeminister, cfare programi ka per te qeverisur, cdo beje per shendetsine, per arsimin per infrastrukturen per drejtesine per cdo gje qe ka lidhje me Shqiperine apo dhe Shqiptaret as vet sia kane idene.

  13. Leli says:

    z.Muç Nania duhet te kuptosh njehere e mire ,jo vetem Ti por i gjithe kazani mediatik se Edi Rama nuk eshte shef por administrator i shefave!Per ta kuptuar me shqip do te sqaroja se Edi Rama nuk eshte mjek qe te drejtoje mjeksine,nuk eshte as ekonomist qe te drejtojne ekonomine,nuk eshte as ing.ndertimi qe te drejtoje ndertimin e vendit por eshte nje administratore i cili ka detyre te beje administrimin e drejtimin specifik te çdo sektori nepermjet shefave perkates!Pra thene shqip ,kryeministri eshte koordinues i te gjithe sektoreve te nje shteti ku nepermjet shefave te sektoreve perkates zbaton edhe politikat e qeverise!
    Ndaj edhe shpesh here ai iu dejtohet Juve qe me “Covid 19” nuk meret Ai personalish ,por nje ekip me nje shef ne krye!Kaq gje duhet te kuptoni duke filluar qe nga Ju te kazanit e deri tek ata qe drejtojne partiçkat ne kete vend.Kur nuk e kuptoni Ju ,Luli jo e jo qe nuk e kupton ,ndaj edhe ai del gjithnje fitimtar duke nxjerre bllof Lulin qe i eshte mbushur mendja qe mund te riluaj rolin e Gjinos ne “14 vjeç dhender”!

  14. Flora says:

    Nje shkrim esence…asnje fjale e tepert…shume i qarte ne ate qe do te thote…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje