Rasti amerikan dhe prova shqiptare e votimeve me postë

7 Dhjetor 2020, 10:25Blog TEMA

Kaloi si pa u vënë re shumë projektvendimi i fundit i KQZ-së për të përfshirë në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit edhe diasporën e re shqiptare. Në vështrim të parë ky vendim duhet përshëndetur. Shqipëria është një nga vendet, që në raport me popullsinë, ka përqindjen më të lartë të emigracionit në botë. Në bazë të të dhënave të fundit del se mbi 40 përqind e shqiptarëve jetojnë sot jashtë vendit të tyre të lindjes. Një numër jashtëzakonisht i lartë po të krahasohet me përqindjet e të emigruarve nga vendet e tjera. Por koha ka dëshmuar se megjithëse janë të shkëputur fizikisht nga vendi i tyre i lindjes, shumica dërrmuese e emigrantëve shqiptarë shpirtin dhe zemrën i ka lënë në Atdhe. Dhe kjo spjegohet në shumë mënyra.

Vetëm kur jeton jashtë e kupton lidhjen organike dhe gjenetike që ke me vendin tënd të lindjes. Sadoqë në vendet pritëse, shumica jeton në kushte disa herë më komode se në vendin e lindjes, lidhja me vendin e të parëve të tu mbetet tejet e fortë. Nê vendin pritës, që të ka hapur dyert, që të ka ndihmuar të krijosh një nivel jetese afërsisht të barabartë me vendasit, sidoqoftë për shumë shkaqe dhe arsye nuk mund t’i shmangesh dot pyetjes:”Nga je me origjinë”?! Dhe megjithëse ke ndofta edhe nënshtetësinë e vendit të ri që të ka adoptuar, prapëseprapë ndihet diferenca me ata që kanë breza që jetojnë aty dhe që e kanë ndërtuar mirëqënien atje.

Dhe kështu ngjan që pasi kanë zgjidhur problemet e tyre të qëndrimit, të nivelit të jetesës, të adaptimit dhe integrimit, shumica e emigrantëve i kthejnë sytë dhe veshët nga Atdheu. Sa me shqetësim, aq edhe me dëshirën që punët të shkojnë për së mbari.

Pra vendimi i KQZ-së nuk mund të hidhet poshtë nga ana morale, dhe po ashtu edhe nga ana formale. Madje ai, në rast se është nisur nga qëllime të mira, duhet përshëndetur dhe përgëzuar. Problemi vjen nga klima e ndezur politike në vend. Është vënë re qartë dhe është provuar në disa raste se sa herë që njëra palë ka humbur, puna e saj e parë nuk ka qënë të urojë dhe përgëzojë fituesin, por të gjejë dhe sajojë një mijë yçkëla për të delegjitimuar zgjedhjet. Të thotë se ato u blenë me 50 euro, me një thes me miell etj etj. Dhe këtu dashur pa dashur na vjen ndër mend afera më fundit: – « rasti amerikan» i  përfoljes së procesit të votimeve. Megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj nga 3 nëntori, data e zgjedhjeve, ende Donald Trump nuk e ka uruar Biden-in për fitoren. Ende ai deklaron se iu vodh fitorja nga … votimet me postë. Dhe merr si shembull psh votimet në Pensilvani.

Në mbrëmjen e 3 nëntorit Trump pohoi se ka 680 000 vota më shumë nga kundërshtari i tij nga afro 64 përqind të votave të numëruara. Ata nuk mund të na arrijnë dot – deklaroi gjithë mburrje presidenti amerikan. Po kështu në Uinskonsin, Miçigan etj. Por papritur në disa nga shtetet e lëkundura, ose swing state siç i quajnë amerikanët, u ndërpre numërimi i votave nga 3 deri në 4 orë !  Dhe pastaj dolën me qindra mijëra buletine votash , në të cilat mbi 90 përqind i takonin Biden-it dhe më pak se 10 përqind Trump-it ! Ishin votat e hedhura në postë ato që përmbysën rezultatin e ditës së parë të zgjedhjeve. Që nga ajo ditë, dhe megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj, presidenti në largim Trump pretendon se i kanë vjedhur votat në mes të ditës. Pyetja shtrohet : Kur gjëra të tilla ngjajnë në një vende me një demokraci të konsoliduar 200 vjeçare, a nuk është e frikshme që një praktikë e tillë, pra votimi me postë, të zbatohet edhe në Shqipëri ?!

Dhe nuk duhet të harrojmë edhe infrastrukturën që nevojitet për të mundësuar këto votime. Si do sigurohet fleta e votimit, si mund të verifikohet se dikush nuk ka votuar më shumë se një herë, se nuk ka votuar edhe në emër të djalit, vajzës apo gruas së tij ?! Kur ligji e parashikon qartë që ndalohet votimi familjar, pra që kryetari i familjes të votojë edhe në emër të anëtarëve të tjerë!

Dhe kur bëhen akuza për manipulime votash në Kukës apo në Sarandë a nuk është më e lehtë të ankohesh se të kanë mashtruar me numrin e votuesve në Gjermani apo Angli ?! Se ato fletë votimi nuk janë reale, se janë kopjuar dhe mbushur nga militantë partiakë etj etj ?! Se janë hapur nga posta shqiptare para se të dorëzohen në kutitë e votimit ?! Ndryshe si mund të sigurohet fshehtësia e votës. Buletinet e shkarkuara nga faqja e KQZ-së do të jenë nominale, pra me emër apo anonime ?! Atëhere kush mund të sigurojë se numri i pjesëmarrësve në votime nuk fryhet arbitrarisht ?! Bashkë me buletinet anonime ?!

Shqipëria e ka nevojë jetësore të organizojë zgjedhje të pakontestueshme. Mbajtja e zgjedhjeve të drejta dhe të ndershme është tejet më e rëndësishme se kush i fiton ato ?! Por mospranimi i rezultatit, delegjitimiteti i tyre, është një lloj thike pas shpine ndaj demokracisë së brishtë shqiptare. Një ndodhi e tillë do u japë të drejtë edhe atyre qê deklarojnë me keqdashje dhe armiqësi se « shqiptarët nuk dijnë të bëjnë shtet » ! Se shteti dhe demokracia fillojnë me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Atëhere vendimi më i fundit i KQZ-së e thjeshtëzon apo e komplikon edhe më shumë mundësinë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ?!

Pêrgatitur për «TemA» nga Viron Gjymshana  

2 komente në “Rasti amerikan dhe prova shqiptare e votimeve me postë”

  1. Cufi says:

    Per mendimin tim kjo gja duhet stopua kesaj here,e para se infrastruktuara nuk eshte,e dyta Shqiperia do te hyjne ne nje spirale shume te keqe se shpellat do te humbin ne zgjedhje e nuk do pranojne rezultatin e zgjedhjeve me sebepin se jane malipunua votat,kjo ashte ora e fundit per familjet e shpellave te vicidolit e cepanit. Une banoj jashte tash 30 vjet e njohe mire shqiparet qe jetojne e punojne ketu e nuk i jep vote shpellakve qe erdhen pa brek e u bane miljoner.Ketu njerzit punojne gjithe diten e me vishtersi paguajne shkollat e femijve e spitalet me gjithese jane gati falas,e berishat e metat Kane nga 10vila e cojne femijet jashte e ne kolenkelder private

  2. Truth says:

    Shqipetaret qe jetojne jashte atdheut dhe jane shtetas te nje vendi tjeter dhe nese nuk kane nje adrese banimi ne Shqiperi nuk duhet te votojne sepse ata qe jetojne Shqiperi i dine me mire problemet e vendit. Ne kendej shofim vetem siperfaqen kur vijme per pushime pra sa lire jane restorantet per sa paguan kur merr rroge nje USA. Nese shqiptaret jashte vendit kane nje prone me Shqiperi (apartament, shtepi apo prone tjeter me vlere te pakten 50,000 dollare) atehere ata duhet te kene Te drejte vote sepse kane interesa ekonomike te lidhura me vendin (si rritja e vleres se prones nga ndryshimet infrastrukturore, taksat etj). Persa i perket votimet u manipuluan ne USA mos prit Te kete zgjedhje komplet Te lira ne Shqiperi. Por te pakten e jene pjeserisht te lira qe te mos kete trazira. She kush e drejton Haitin, Sri Lanken, Kamboxhian apo Shqiperine nuk ka asnje rendesi. Asnje udheheqes nuk mund ti beje keto vende si Zvicra. E rendesishme eshte rendi dhe stabiliteti qe krijon kushte per zhvillim me parate e emigranteve dhe puneve Te pista se Shqiperia nuk do prodhoje makina e telefona celulare tre konkurroje me Te tjeret. Turizem, qebaptore dhe rend.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje