Kush fiton zgjedhjet, apo çfarë po ndodh me partitë politike?

28 Janar 2021, 17:21Blog TEMA

Nga Shpëtim Nazarko

Rrëmuja mendore që ka krijuar prezenca e sondazheve, duket se shtohet akoma më shumë, nga ata që i komentojnë. Ka nja dy pyetje të thjeshta, që ndoshta duhet të bëjnë jo vetëm komentatorët, por dhe njeriun e thjeshtë, të nxjerrin përfundime pa u zhytur në lemerinë e numrave që paraqiten.

Sondazhet, në shumicë tregojnë që PS edhe e vetme, është më shumë në përqindje se opozita. Ndërkaq, vetëm në një prej tyre (Euro-News) ndoshta dhe nga më seriozët, duket se opozita e gjithë bashkë, ka fare pak më shumë vota në përqindje, se PS. Po e rendis veten, thjesht në krahun e këtij sondazhi, pra që opozita e bërë bashkë, ka më shumë se PS.

Po a është kjo, bazë, për të bërë analizë reale?

Ajo që duket në mënyrë qartë, në të gjitha sondazhet është se, PS është parti e parë. Po kjo, nuk është ndonjë çudi sepse është diçka që dihet. Po ku qëndron çudia.

Në këto dhjetë vjetët e fundit, PS ka qeverisur për tetë vjet. Në vitin 2010, PS dhe PD kanë pasur gati numër të njëjtë votuesish: 620 mijë PS dhe 610 mijë PD.

Pyetja e parë:

Si është e mundur që një parti, që ka qeverisur për tetë nga dhjetë vitet e fundit e që në fillim të tyre ishte e barabartë në numër votash me PD, sot, pas dhjetë vjetësh, e ka thelluar tmerrësisht shumë, diferencën me këtë të fundit?

Në të gjitha sondazhet, pra edhe ato pro opozitës, diferencat e PS nga PD, sot pas tetë vjet qeverisje, shkojnë nga 8 deri në 20 për qind, në favor të PS.

Përgjigja më e thjeshtë, do të ishte: PD i ka dhënë vullnetarisht, apo ia ka marrë LSI. Po meqë të dyja janë bashkë tani, nuk ka rëndësi se çfarë kanë bërë më parë.

Ndërkaq, për lexuesit duhet thënë se, raporti PS plus LSI në 2010, ishte 12 a 13 për qind më shumë se PD. Sot, duket gati 15 herë më i madh në përqindje, se PD.

Pyetja e dytë:

Pse Rama, nuk zgjodhi aleancën me LSI dhe në këtë rast, zgjedhjet do të quheshin të mbyllura, pa filluar. Kjo diferencë, PS plus LSI, është si do ta zvogëlosh, e mjaftueshme për t’i quajtur të mbyllura zgjedhjet. Nuk deshi Rama, nuk deshi Meta, apo çfarë dinë këta të dy, më shumë se të tjerët?

Analistët nëpër studio, nuk i shkojnë kurrë analizës së këtij varianti. Ndoshta në mënyrë sipërfaqësore mendojnë se duhen bashkuar faktorët kundër Ramës dhe PS, se vendi po rrëshqet në diktaturë. Pa hyrë në territorin e propagandës, mund të themi se vetëm njëherë e gjithë opozita është bashkuar kundër një partie.

Në vitin e referendumit për Kushtetutën, në 1994. Rezultati qe dërrmues. Opozita e bashkuar, fitoi shumë në përqindje. Të njëjtën gjë, nuk e thua dot sot edhe nëse je me sondazhet pro opozitë. Të gjitha votat e saj, janë afërsisht të barabarta me të PS.

Përsëri vijmë te pyetja: Si është e mundur që pas tetë vjetësh konsumimi të PS në qeverisjem ajo të mbajë diferenca të tilla me PD, a0 të jetë gati apo e barabartë me të gjithë opozitën bashkë?

Përgjigja mund të jetë se, ajo nuk ka më fraksione dhe pandaj duket shumë. Mundet, por fakti që edhe tani një pjesë e të majtës ka ikur djathtas (pra, LSI) dhe prapë PS është më shumë, apo e barabartë me PD plus LSI, tregon se konkluzioni i dhënë sipër është i pasaktë.

Mendoj se çfarë u tha më sipër, duhet ta drejtojë vëmendjen në pika të tjera të diskutimit. Pra, çfarë ka ndodhur realisht, me skenën politike. Cili është fati i opozitës së vendit? Çfarë po ndodh realisht, me partitë e tradicionale PS e PD.

Dhe këtu, nuk është punë numrash a analistësh studioje, që përpiqen të diskutojnë mbi shifra që zor se të hynë në punë për analizë reale.

Vetë, do preferoja analizë të një lloji tjetër, që fillon me pyetjen: Ku po shkon vendi? Nëse do t’i besojmë opozitës, se po rrëshqet në autoritarizëm, çka është dhe normale për vende si ne, pyetja vijuese do të ishte.

Thua është kjo, ajo opozita që e rregullon këtë problem, apo thjesht, është pafuqija e saj në ide dhe njerëz, që me vite, po firojnë drejt pambarimit, çka është, apo bëhet shkak për një autoritarizëm të ri. (konica.al)

6 komente në “Kush fiton zgjedhjet, apo çfarë po ndodh me partitë politike?”

  1. zara says:

    Nuk e kuptoj pse ti e quan autoritarizëm, kur në të gjithë median vetëm opozita flet e shfaqet? Nuk është punë fraksioni, populli do njerëz që punojnë dhe shyqyr që filloi puna të marrë vlerat që kishte para 1990-ës. Pse e them këtë? Se e para vlerë që ju vra shqiptarëve ishte puna. U sha puna, u shanë solidariteti për të ndihmuar njëri-tjetrit, u përçanë shqiptarët duke i ndarë në grupime. Erdhi një qeveri që mendoi njësoj për të gjithë, edhe pse nuk u votua nga të gjithë. Diti të investojë për të gjithë në rrugë, fshat e qytet dhe njerëzit i prekin me dorë ndryshimet, nga Thethi në Konispol. A mund të bëheshin më shumë punë? Sigurisht, nëse opozita do bënte detyrën që i takonte, si çdo opozitë konstruktive, nëse do qëndronte në kuvënd e të punonte për miratim ligjesh, dhe jo me gjuajtje këpucësh, edhe do vlerësohej nga populli. Shkatërrimi gjatë të ashtuquajturve protesta, ishin të tjera shpenzime që mund të shkonin për interesat e njerëzve. Pra pse PS del më lart nga të gjitha grupimet, kjo është përgjigja. Më në fund po punohet, unë e prek ndryshimin, jo si trami i Lulit që ka 10 vjet që e presim, apo karta e studentit që vetëm kur iku Luli nga bashkia karta e studentit mori jetë. Të rrimë shtrembër e të flasim drejtë. votat i jap për punëtorët e jo për gjumashët dhe vjedhësit. Unë do vi të votoj për Shqipërinë, dhe për sa kohë ka forca që punojnë me këtë qëllim, asaj do i jap votën.

  2. bregdetari says:

    Me gjithë respektin për autorin. ky shkrim ishte as mish as peshk

  3. Traktori me zinxhira says:

    Kete rradhe e ke ulur posht steken e analizes Shpetim pse?

  4. MS says:

    Shume po rrotullohesh Nazarko! E thjeshte fare, serioziteti ne qeverisje dhe transformimi qe duket kudo!

  5. Ilir says:

    Servilizmi eshte i shemtuar !

  6. Deda says:

    Kush ka frikë nga shteti i fortë? fukarai dhe i ndershmi jo e jo. po hajdutët mashtrusit parazitët kriminelët këta e kanë frikë shtetin e fortë LIGJOR .më mirë një polic i fortë se një kriminel i fortë.kjo është më e mirë për popullin e thjeshtë.të paktën kështu mendoj unë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje