Për politikanët primitivë që po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit në prag të zgjedhjeve

28 Janar 2021, 16:54Blog TEMA

Nga Enver Robelli 

Në vitin 2021 flasin për të kaluarën.

Por me një hile të madhe: duan t’i fshijnë nga kujtesa e qytetarëve 20 vite keqqeverisje dhe afera me krim e korrupsion.

Dhe duan ta bindin miletin se jemi në vitin 1999 dhe këta ende nuk i kanë hequr uniformat dhe duan të qeverisin për të mirën e përgjithshme.

Sado të larta të kenë qenë idealet e dikurshme, shumica e atyre që sot thirren në luftë për të fituar vota, janë keqpërdoruesit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të Kosovës në 20 vitet e fundit. Me këtë “ideal” identifikoheni, për fajin tuaj.

Sepse e keni hedhur në bërllok idealin e dikurshëm (disa prej jush madje këtë ideal e kanë braktisur edhe gjatë luftës).

Andaj sot përpiqeni t’ia nxirrni sytë njëri-tjetrit me akuza barbare duke u etiketuar se cili ka pasur më shumë kontakte me Beogradin.

Çfarë niveli primitiv!

Çfarë mizorie! Në çdo fushatë elektorale gjuha bëhet pak më direkte, më e ashpër, por të përdoren këso akuzash pa asnjë fakt dhe të përdoren tash, më 2021, pra dy dekada më vonë, kjo tregon mjerimin moral dhe zvetënimin intelektual të llafazanëve partiakë që thirren në luftë.

Ata që s’kanë përgjigje për të ardhmen, flasin për të kaluarën. Duke i dhënë vetes rol kryesor në të dhe duke përjashtuar nga rrëfimi çdo kontribut tjetër, çdo bazë institucionale të Kosovës, çdo shtresë administrative dhe intelektuale.

Faleminderit që e çliruat Kosovën (rolin e NATO-s po e përjashtojmë, që të ndiheni edhe më triumfues), por mos prisni t’ju falënderojë ndokush për plagët e pasluftës që ia keni shkaktuar Kosovës.

1 komente në “Për politikanët primitivë që po i nxjerrin sytë njëri-tjetrit në prag të zgjedhjeve”

  1. Rakip JORGONI says:

    I nderuar zoti Robelli.
    Po ju drejtohem juve, si dhe të gjithë atyre “opinionistëve” pa opinion, si Gjekmarkaj me shokë, gazetarë pa gazetari, apo ku di unë se çfarë lloj formimi kanë që, lutem – lutem shumë, mos përdorni më fjalë si “bërllok”, mbasi shqiptarët nuk janë në nivelin e fshatarëve, këtej dhe andej kufiri ( në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të fjalës NIVEL ).
    Mos fshatarizoni inteligjencën.
    Vërtet është fjalë e bukur shqipe, por tingëllon jo pak vrazhdë dhe jo pak ashpër në veshët , sytë dhe mëndjen tonë, që ju lexojmë dhe degjojmë.
    Janë fjalë, për një brez paraardhesish tanë, pa shkollë e pa kulturë.
    Mos na mohoni evoluimin, mos na këtheni mbrapsht.
    Jemi në 2021.
    Jemi dy palë shqiptarë, një palë në Shqipëri+Kosovë dhe një palë në emigracion, në numur të barabartë, dhe kësisoj këto fjalë nuk gjejnë përdorim, dhe nuk ju kupton asnji njeri.
    Po na fyeni inteligjencën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje