Java e 18-të e Superios çelet të premten me sfidën më të rëndësishme, Vllaznia – Laçi, që do të zhvillohet në orën 18:00.
Në “Loro Boriç” takohen dy skuadrat me ambicie të mëdha, edhe pse duhet pranuar diferenca prej 10 pikësh dhe faktori fushë ndoshta favorizon shkodranët.
Trajneri i kuqebluve, Brdaric, në prononcimin për këtë sfidë, u shpreh me optimizëm edhe për faktin se koha është përmirësuar dhe terreni do të jetë i përshtatshëm.
“Kemi shumë energji për nesër. Jemi të përgatitur të japim maksimumin kundër Laçit. Mendoj se tri ndeshjet e fundit kanë qenë të afërta dhe terrenet shumë të vështira. Nesër luajmë në shtëpi dhe shpresoj të mos bjerë shi.
Jemi në një pozicion komod, të cilin e kemi merituar. Duhet të shohim përpara. E dimë se çfarë duhet të bëjmë për ta fituar ndeshjen. Kemi humbur në ndeshjen e parë, por kemi nxjerrë mësime”.
Ndërkohë, trajneri i bardhezinjve, Shpëtim Duro në intervistën e dhënë për abcneës.al, shpreh vlerësimin maksimal për kundërshtarin dhe thekson se kjo ndeshje zgjon edhe interesin e rivalëve që duan të ndjekin Vllazninë.
“Sigurisht situata e skuadrës është pozitive, pasi kemi arritur dy fitore, një në transfertë dhe një brenda, ndaj dy skuadra shumë të forta, siç janë Teuta dhe Tirana.
Patjetër që vlerësimi për Vllazninë është maksimal dhe pozitiv për atë që ka bërë deri tani. Luajmë me skuadrën më të mirë të momentit, kështu që ne e kemi vlerësuar në të gjitha aspektet.
Rezultati është i rëndësishëm për vazhdimësinë, jo vetëm për ne, por ka interes edhe për skuadrat e tjera rivale me Vllazninë”, tha Duro.