Skulptori argjentinas, Marcelo Toledo, i kthen mbeturinat e pandemsë në art.
Ai zakonisht krijon skulptura dhe bizhuteri nga metali, por tani artisti argjentinas po punon me një material të ri: maska mbeturinash dhe shiringa nga pandemia e COVID-19, për të krijuar një ekspozitë që eksploron ndikimin e dhimbshëm të virusit në shoqëri.
Toledo, i cili ka ideuar bizhuteri për shfaqjen muzikale “Evita” në Broadway dhe pjesë unike për Barack Obama-n dhe Madonna-n, ishte ndër të parët në Argjentinë që u infektua nga COVID-in një vit më parë dhe si pasojë u shtrua në spital për tetë ditë, me pneumoni.
Përvoja la gjurmë në jetën e tij dhe i solli frymëzim për një mori punimesh arti. Ai krijoi një maskë 14 metra me flamurin argjentinas dhe e vendosi në Obeliskun ikonik në Buenos Aires-it, për të rritur ndërgjegjësimin rreth dhurimit të organeve gjatë pandemisë.
Për ekspozitën e tij të re, “Muzeum of the After” Toledo po mbledh mbeturinat e ricikluara të Coronavirus-it nga spitale, laboratorë dhe njerëz të ndryshëm. Në të përfshihen vaksinat e vjetra, pjesët mjekësore dhe copat e gazetave që shkruajnë për pandeminë.
“Unë jam i ngazëllyer që po mund ta shndërroj dhimbjen në bukuri dhe kjo ekspozitë është pikërisht ajo që duhet bërë, duke marrë parasysh gjithçka që po na ndodh si shoqëri”, tha 45 vjeçari, Toledo, për Reuters, në seminarin e mbajtur në rrethin San Telmo të Buenos Aires.
Veprat e artit, të cilat do të shfaqen nga shtatori në një hapësirë publike në qendër të Buenos Aires-it, të gjitha do të bëhen nga materiale të disponueshme ose mbeturina, shumë prej tyre të mbyllura brenda qeseve të mbushura me vakum.
“Kjo është hera e parë që bëj një ekspozitë në të cilën nuk kam pse të blej materiale”, tha ai. E gjitha do të mbyllet ose do të futet në kapsolla, pra, ideja është që gjithçka mund të ruhet me kalimin e kohës”, u shpreh ai.
Në ekspozitë do të ketë një anije të vërtetë që simbolikisht kalon nëpër një “stuhi” dhe nëpër ishuj riciklimi, për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me rëndësinë e kujdesit për mjedisin.
“Ekspozita do të tregojë historinë e kësaj anijeje në lundrim dhe që ishte bllokuar pas stuhisë, e cila është një metaforë që përshkruan atë që po ndodh me ne. Kjo pandemi, është një stuhi e madhe globale”, tha Toledo.
Ashtu si me maskën gjigande, e cila u replikua në vende të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Japonia, artisti ëndërron të riprodhojë ekspozitën e re në qytete të tjera të botës.
“Ideja e ‘Muzeum of the After’ qëndron nga njëra anë në kërkimin e elementeve nga e gjithë bota, përhapjen e idesë në vende të tjera dhe madje krijimin e një muzeu fizik për ta trashëguar në brezat e ardhshëm,” tha ai.
F a n t a s t i k e !!!