Gabimet që u bënë më shpesh dhe nxorën fletët e votimit të pavlefshme

27 Prill 2021, 18:25Politika TEMA

Zgjedhjet e 25 prillit kanë sjellë si asnjëherë më parë një rekord votash të pavlefshme. Nga fletëvotimet e numëruara deri më tani në rang vendi, 5 për qind rezultojnë të pavlefshme, duke çuar në skualifikimin e votave të mijëra qytetarë. Kjo shifër është e lartë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, ku dolën vetëm 1.98 % të fletëve të votimit të pavlefshme.

Komisionerët nga qendra të ndryshimi numërimi në Tiranë i thonë Gazetës Si se ky numër kaq i lartë ka ardhur kryesisht si pasojë e gabimeve njerëzore, pasi shumë qytetarë nuk i kanë kuptuar rekomandimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pjesa më e madhe kanë votuar për dy subjekte të ndryshme politike ose parti dhe kandidat të ndryshëm, ose kanë zgjedhur vetëm nurmrin e kandidatit ose partisë. Këto vota nuk po numërohen njësoj në të gjitha qendrat e numërimit në Tiranë, me disa syresh që po i cilësojnë të vlefshme dhe disa qendra të tjera që po i skualifikojnë.

Në KZAZ 30 në Tiranë në shkollën “1 Maji”, votimi i është rikthyer tanimë normalitetit pas përplaseve të së hënës mbrëma, por vëzhguesit e Partisë Demokratike qëndrojnë vigjilentë për parregullsi të mundshme. Gjithsesi, atje na thonë se në këtë njësi nuk ka ndonjë rritje të numrit të fletëve të pavlefshme në krahasim me zgjedhjet e tjera.

Kryetari i kësaj qendre numërimi (i cili dëshironte që të identifikohej) i tha gazetës “Si” se nga rreth 63 mijë votues të kësaj njësie, vetëm 1 për qind e votave ishin të pavlefshme. Megjithatë, në këtë qendër numërimi, komisionerët po cilësojnë si të vlefshme edhe votat e qytetarëve që kanë shënuar “X” jashtë kutive.

“Votat kanë dalë të pavlefshme kryesisht për gabime njerëzore, që kishin të bënin me votimin e dy partive njëkohësisht apo dy kandidatëve të ndryshëm”, i thotë ai gazetës.

“Ne nuk kemi vënë re një rritje të ndjeshme të votave të pavlefshme në krahasim me vitin 2017, vetëm 1% të atyre të numëruara. Nuk mund të them se votat e pavlefshme kanë qenë një notë proteste, do thosha se shumë qytetarë janë ngatërruar në mënyrë të paqëllimtë”, tha ai.

Gazetasi.al bëri një vëzhgim të martën në mesditë, të hapjes së një kutie në këtë qendër, përkatësisht kutisë së zonës së Teleferikut, tavolina 3, me afërsisht 300 fletë votimi.

Në atë moment kishte dhe 20 kuti për t’u numëruar dhe kutia e Teleferikut po rinumërohej për shkak të parregullsive që ishin hasur në numërimin e parë; parregullsi që po ngjallnin diskutim edhe në numërimin e dytë.

Në KZAZ 30 vëzhguesit kanë quajtur të vlefshme edhe fletët ku ‘X’ ishte vendosur jashtë kutisë së deputetit por brenda kuadratit të partisë.

Në bazë të një dakordësie midis komisionerëve, ato fletë janë quajtur të vlefshme me pretekstin se “është e rregullt përsa kohë shenja ‘X’ është brenda hapësirës së subjektit politik.

Por në KZAZ 39, të njësisë numër 9, sekretari i KZAZ tha për gazetën “Si” se raste të tilla nuk janë quajtur të vlefshme dhe nuk mund të quhen sepse është bërë e qartë se “X” apo “+” jashtë katrorit të përcaktuar të subjektit apo kandidatit, e bën fletën të pavlefshme”.

“Në zonën 9 kemi pasur një përqindje të lartë të votave të pavlefshme”, i thotë gazetës “Si”, sekretari i KZAZ-së. “Shifrat arrijnë në 5 ose  6%.  Kjo ka ardhur kryesisht sepse qytetarët kanë votuar dy subjekte politike.

Përshembull, një qytetar që donte të votonte partinë me numër 1 dhe kandidatin me numër 2 të kësaj partie, është ngatërruar dhe ka votuar për dy subjekte politike, atë me numër 1 dhe atë me numër 2, duke e nxjerrë votën të pavlefshme”, tha ai. “Mund të jetë arritur një konsensus midis palëve në disa KZAZ por ne nuk po i cilësojmë si të vlefshme”, tha sekretari i KZAZ 39.

I njëjti problem është hasur në fakt edhe në qendrën e numërimit në shkollën “Vasil Shanto”, ku komisionerët i thanë gazetës “Si” se pjesa dërrmuese e votave të pavlefshme janë ato ku qytetarët kanë votuar dy subjekte.

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike, Ori Nebiaj i tha gazetës “Si” se sipas saj shkaku i numrit të lartë të votave të pavlefshme ka qenë vetë fleta e votimit, e cila sipas saj ka bërë mjaft konfuzë disa qytetarë.

“Gabimet kanë qenë njerëzore, sigurisht ka pasur dhe nga ata që e kanë nxjerrë qëllimisht të pavlefshme, por fleta e votimit në përgjithësi ka qenë e ngatërrueshme.

Shumë kanë votuar dy parti ose një parti dhe një kandidat të një partie tjetër gabimisht, ose kanë votuar vetëm partinë sepse nuk mbanin mend numrin e kandidatit. KQZ ka dështuar t’u shpjegojë qytetarëve procesin e votimit”, tha Nebijaj.

Gazeta “Si” komunikoi edhe me numëruesit e votave në KZAZ numër 38 në Tiranë që përfshin Njësinë 5, të cilët treguan se problemi kryesor për votat e pavlefshme ishte se qytetarët duhet të bënin dy zgjedhje në fletën e votimit dhe kjo ka sjellë paqartësi.

“Gabimet më të shpeshta kanë qenë se kanë vendosur shenjën e kryqit tek parti  ndryshe nga kandidati preferencial. Gjithashtu ka pasur edhe vota të pavlefshme për faktin se qytetarët kanë vendosur një kryq të madh”, shpjeguan numëruesit e KZAZ 38.

E njëjta gjë është konstatuar dhe nga numëruesit e KZAZ së Kasharit. Nga informacionet e gazeta SI votat e pavlefshme më së shumti këtu kanë qenë sepse qytetarët ishin konfuzë, duke ngatërruar më së shumti vendosjen e shenjës në kuadratin e përcaktuar.

Ndërkaq ka pasur edhe fletë që kanë qenë të skualifkuara totalisht për faktin se ishin të zhgarravitura ose kishte shkrime mbi to (kryesisht të shara), por sipas numëruesve bëhet fjalë për shumë pak fletë të tilla.

1 komente në “Gabimet që u bënë më shpesh dhe nxorën fletët e votimit të pavlefshme”

  1. Yyyyyypppppp Xhixhi says:

    Popull kar se tv jane care per nje muaj rresht si te votohet po injorantet nuk ja vene veshin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje