ANALIZA: Si Uliksi i Xhejms Xhojsit e ndryshoi mënyrën se si e perceptojmë kohën

7 Qershor 2021, 15:30Bota TEMA

Romani “Uliksi” i shkrimtarit irlandez Xhejms Xhojs na jep një perceptim tjetër mbi kohën. Ka ditë kur na duket sikur nuk kalon kurrë, dhe ditë të tjera kur akrepi i orës duket sikur lëviz aq shpejt saqë nuk arrihet të ndiqet. Fakti që koha është relative është sot një koncept i pranuar gjerësisht.

Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Nëse lexojmë një libër ku ngjarjet vendosen në shekullin XIX, do të shohim se si dimensioni i kohës përfaqësohet në një mënyrë objektive dhe lineare.

Një përvojë krejtësisht e ndryshme kohore na pret kur lexojmë një libër nga Xhejms Xhojsi. Në vazhdën e revolucionit të ndërmarrë nga Sigmund Frojdit (dhe zbulimi të nënndërgjegjes), Uliksi i Xhojsit ishte përcaktuar që në ditën e botimit të tij, 2 Shkurt 1922, të ndryshonte përgjithmonë fatin e letërsisë bashkëkohore. Dhe le të shohim arsyen pse:

Sepse perceptimi ynë mbi kohën ka ndryshuar

Shekulli XX-të lindi nën shenjën e shpejtësisë dhe përshpejtimit, që dhanë menjëherë efektet e tyre edhe në art dhe letërsi. Autorët e mëdhenj të fillim të shekullit XX, si Marsel Prust, Virxhinia Ulf dhe Xhejms Xhojs, përshkuajnë copëzimin dhe kaosin e së tashmes përmes metodave të reja të shkrimit, të cilat arrijnë kulmin e tyre shprehës në teknikën e “rrymës së ndërgjegjes”.

Koha ndryshon në varësi të asaj që po përjetojmë

Koha kronologjike dhe lineare e romanit të shekullit XIX, zëvendësohet nga një kohë e ndërgjegjes. Personazhet e lindur nga pena e Xhojsit, zbulojnë se përvojat e kaluara janë çimentuar në nëndërgjegjen tonë.

Pra nga e pavetëdijshmja, nga e cila dalin vazhdimisht fragmente të së kaluarës tonë dhe që përzihen me të tashmen në një mënyrë që nuk është gjithmonë e vullnetshme. Në fakt, koha e ndërgjegjshme është e përbërë nga momente të padallueshme që kalojnë nga njëri tek tjetri, dhe që formojnë një rrymë që pasurohet vazhdimisht:“rrymën e ndërgjegjes”.

Koha pëson transformime të dukshme tek personazhet e këtyre veprave:krahas një kohe objektive, kronologjikisht lineare, shfaqet ideja e një kohe subjektive, e përjetuar nga vetëdija e personazheve.

Uliksi i Xhojsit, është arketipi i njeriut bashkëkohor

Me një bukuri të pa rezistueshme dhe simbol i etjes për dije, Uliksi është heroi me shumë fytyra. Nëse cilësitë e tij pozitive u lartësuan në poezitë homerike, ato negative u theksuan në letërsinë e shekujve në vijim, si mashtrimi dhe cinizmi, deri në rishkrimin që i bëri këtij personazhi Xhejms Xhojsi në shekullin XX. Kështu, Uliksi bëhet arketipi i përsiatjeve dhe anktheve të përditshme të njeriut bashkëkohor, simboli i një perceptimi të ri dhe revolucionar të kohës.

Për çfarë flet romani i Xhojsit

“Uliksi” është historia e vetëm një dite, 16 qershor 1904, e një grupi banorësh nga Dublini i Irlandës. Personazhet që hyjnë në mënyrë rastësore me jetën e të tjerëve, por që përcaktojnë zhvillimin e saj, përmes një monologu të brendshëm të vazhdueshëm. Protagonisti kryesor, hebreu irlandez Leopold Blum, nuk është një hero apo anti-hero, por thjesht një njeri me mendje të hapur dhe një humanizëm të madh, gjithnjë i vëmendshëm ndaj më të dobëtit dhe të ndryshmit, dhe i aftë për të qenë i mirë-sjellur edhe ndaj atyre që këto cilësi nuk i shfaqin ndaj tij.

Protagonistët e tjerë janë intelektuali i ri, brilant, por i kompleksuar Stefan Dedalus dhe Moli Blum, gruaja e hebreut, mbretëresha e vërtetë e romanit. Në fund të romanit, e shtrirë në shtratin e vjetër martesor, Moli reflekton- në një monolog prej më shumë se 20 mijë

fjalësh pa asnjë shenjë pikësim midis tyre-mbi ditën që sapo kishte kaluar, mbi tradhtinë e bashkëshortit të saj, mbi çdo kujtim të së kaluarës dhe mbi të ardhmen e mundshme të imagjinuar. Moli është një grua shumë instinktive, por edhe rezistente ndaj çdo forme të karakterizimit kategorik. (Libreriamo – Bota.al)

3 komente në “ANALIZA: Si Uliksi i Xhejms Xhojsit e ndryshoi mënyrën se si e perceptojmë kohën”

  1. Arsi says:

    Që nga ai moment ne tani nuk shikojmë më orën, sepse ndërgjegjja nuk e ka një të tillë! Haha!
    Sapo vogëlushët në darkë i zë gjumi, vjen menjëherë mëngjesi, kurse për rojën e natës nata nuk ka fund! Ky qenka një zbulim i madh, revolucionar! Hahaha
    Por këtë koncept spekulativ e rrëzon koncepti konkret dhe i gjithëpranuar i Gerard Genette “kohëzgjatja”. Me këtë term shënjohet mënyra se si:
    1. rrëfimi lë jashtë subjektit të romanit episode duke anashkaluar muaj e vite nga jeta e personazhit: “Kishin kaluar gjashtë muaj”
    2. i ngadalëson veprimet duke e përqendruar rrëfimin e romanit në ngjarjet e vetëm pak orëve a ditëve
    3. i përmbledh ngjarjet në mënyrë gati telegrafike
    4. apo mund ta ndalojë aksionin për një kohë të gjatë dhe t’i rikthehet atij përsëri.
    I lini mbrapa ose i harroni fare këto teori të vjetra!

  2. n.kita says:

    EPYFANIA, ngjizje kohërash e emocionesh
    Para 4 dekadash pata lexuar e studiuar me kujdes një sprovë për kohën PSIKIKE – EPYFANI. Autori …EDEL, nuk më kujtohet emri për castin që po shkruaj
    Si adhurues dhe njohës i krijimtarisë popullore shpirtërore të disa popujve, me epiqendër poezinë popullore arbnore, ngazëllehesha duke gjetur shkëndija të këtij fenomeni kohor në poezinë oqeanike lirike arbnore – ” O në dac më duj, në dac mos më duj… ohoho, ni sahat më duket nji muj.
    ose ” Kam ndër mend me t´fal nji kujtim-e / xhevahire, moj goce, me mallëngjime.
    Xhevahire, dicka e shkëlqimtë, e shtrenjtë, vizulluese, e përkushtueshme, në një atmosferë tjetër nga normalja, emotive – rerezaton edhe mallëngjim e dhimbje.
    Gjetje poetike e artistike të gjeniut shqiptar, të krijuara para Xhojsit, para Prustit…

  3. AXI ARBNOR says:

    KOHA e SHPIRTIT, ose e përjetimit nuk është ekuivalencë e kohës fizike, e të rrahurave të sahatit. Prusti, po ta lexosh, të magjeps me botën e shpirtit. Gjeniu më i madh i rrëfimeve lumenj.
    Nëse një pikë ndodhie prej ca minutash, në rrëfim të një përjetimi të thellë zgjat shumë e më shumë se koha fizike, ndërsa ti e konsumon rrëfimin- ja kjo është koha e shpirtit. Ta paraqesësh në art, është sajim gjenialiteti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje