ANALIZA: Thellësia strategjike e Pakistanit

18 Qershor 2021, 17:10Bota TEMA

Zia ul-Haq dhe kërkimi i thellësisë strategjike në Afghanistan

Më 22 gusht 2018, në një konferencë të mbajtur pranë Ron Paul Institute, koloneli në pension Lawrence Wilkerson (ish shef kabineti i Sekretarit të Shtetit Colin Powell) deklaroi si vijon: “Jemi në Afganistan për të njëjtin motiv për të cilin qemë në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore. Duam të jemi sa më afër të jetë e mundur me BRI (Belt and Road Initiative). Nëqoftëse duam ta godasim me forcën tonë ushtarake mund ta bëjmë nga Afganistani. Arësyeja e dytë është që të mund të stabilizojmë fuqinë bërthamore të Pakistanit. Arësyeja e tretë është që në rast se CIA i duhet të bëjë një operacion si ai i bërë nëpërmjet Erdoganit kundër al Assad, mënyra më e mirë do të ishte të nxiteshin ujgurët nëpërmjet Afganistanit”.

Në distancën e rreth 3 viteve nga kjo deklaratë, duke parë “tërheqjen” e kontigjentit amerikan dhe të NATO nga Afganistani, është e mundur të pyetet a ka ndryshuar apo jo strategjia e Shteteve të Bashkuara? Përgjigja na jepet nga një artikull i botuar në New York Times më 26 prill 2021 (pra përpara datës së fiksuar për tërheqjen zyrtare, 11 shtatorit 2021) në të cilin gjenerali Austin S. Miller (shef i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan) ka pohuar se një prani e “deklaruar” e trupave do të ndiqet nga një prani e heshtur dhe pak e dukshme e mbështetur mbi koordinimin operativ midis forcave speciale dhe atyre mercenare nën ombrellën e CIA. Në planet e Pentagonit, kjo prani e “maskuar” do të duhet të shoqërohet nga një rritje e pranisë ushtarake amerikane në afërsitë e Afganistanit, nga Azia Qendrore në atë Jugore, me qëllimin e saktë e mbajtjes nën kontroll të ekspansionit kinez dhe çdo projekti potencial bashkëpunimi rajonal i prirur për të reduktuar influencën amerikane në zonë.

Megjithatë, nga kolonat e së përditshmes Pakistan Today, duke siguruar mbështetjen ndaj manorave të tërheqjes, ministri i Jashtëm pakistanez Shah Mehmood Qureshi ka njoftuar refuzimin e Islamabadit për t’ia lejuar (sërish) bazat e veta ushtrisë amerikane, duke pranuar (me sinqeritet të jashtëzakonshëm) se ka forca që nuk janë aspak të interesuara për stabilizimin dhe paqëtimin e Afganistanit. Zgjedhja pakistaneze (që gjithësesi do të duhet të përballet me korrentet e brendshme proamerikane), faktikisht vendoset në kontrast të plotë respektivisht disa dekadave ku (pavarësisht se në mënyrë të alternuar) Islamabadi ka vepruar si instrumenti kryesor për arritjen e interesave gjeopolitike amerikane në rajon. Kur në vitin 1977, pas rrëzimit të Zulfiqar Ali Bhutto, u ngjit në pushtet gjenerali Zia ul-Haq, Pakistani u bë një lloj i shteti padëshirueshëm. Ky në vitin 1978, duke ripropozuar një formulë që në stil afrohet jo pak me pohime të caktuara (të frymëzuara nga puritanizmi) të disa presidentëve amerikanë, deklaroi: “Kam një mision që ma ka dhënë Zoti, misionin e sjelljes së rendit islamik në Pakistan”. I pamëshirshëm dhe hakmarrës, po aq sa i ndrojtur dhe realisht i devotshëm, përshtypjet e perëndimorëve ndaj Zia ndryshuan me shpejtësi duke filluar nga viti 1979, kur në vijim të ndërhyrjes sovjetike në Afganistan, ai u bë “aleati” kryesor i Shteteve të Bashkuara.

Tani, përpara se të kalohet më tej, është mirë të nënvizohet se nga fundi i viteve ’70, problemet kryesore strukturore që ende sot prekin Pakistanin qenë shpalosur qartë. Historikisht ekzistojnë tri marrëdhënie themelore (dhe të ndërlidhura midis tyre) që kanë dominuar evolucionin e Pakistanit: ajo midis ushtrisë dhe shoqërisë civile; ajo midis islamit dhe shtetit; ajo midis ushtrisë dhe islamit. Veç kësaj, politika pakistaneze është zhvilluar qysh nga fillimi duke ndjekur dy linja themelore: paternalizmin dhe represionin. Kjo përbën gjithçka dhe në gjithçka një trashëgimi direkte të Raxhit Britanik që në territoret e Pakistanit të sotëm kishte konsoliduar sistemin e tij të pushtetit nga njëra anë nëpërmjet aleancës me klasat e latifondistëve të pasur (të cilëve akoma sot i përket pjesa më e madhe e klasës politike dhe në të cilën bënte pjesë vetë Bhutto) dhe, nga ana tjetër, duke rekrutuar në shumicë nënshtetas të etnisë punxhabe midia radhëve të ushtrisë. Kësaj i sthtohet kriza e thellë e identitetit e gjeneruar nga vetë dominimi kolonial britanik që i çoi myslimanët, dikur sovranë të Indisë, të rigjejnë pjesë të një shteti të “oksidentalizuar” ku shikoheshin me dyshim të keqfshehur. Në fakt, edhe për shkak të rebelimeve e manifestimeve të shumta të rezistencës myslimane, britanikët nuk e fshehën kurrë favorin e tyre substancial për komponenten hindù të popullsisë. Me krijimin e Pakistanit, Punxhabi (provinca më e madhe dhe me popullsi më të madhe) ka siguruar pjesën më të mirë të burokracisë dhe të forcave të armatosura duke gjeneruar pakënaqësi latente dhe forma nacionalizmi etnik në shumë seanca, i shfrytëzuar edhe nga forca të jashtme (përveç krijimit të Bangladeshit, të kihen parasysh rebelimet në Beluçistan të viteve 1948, 1958 – 1959, 1962 – 1963, 1973 – 1977, 2002).

Paradoksalisht, lufta me prokurë kundër Bashkimit Sovjetik në Afganistan i ka mundësuar Pakistanit që t’i ngrijë përkohësisht tensionet etnike e sociale të brendshme nëpërmjet një programi substancial ndihmash të ardhura nga “Perëndimi” i zgjeruar. Dhe periudha 11 vjeçare gjatë të cilave Zia ul-Haq ka qëndruar në pushtet ka lënë një efekt jetëgjatë që vazhdon të perceptohet edhe në periudhën aktuale. Faktikisht, gjatë kësaj periudhe, përveç procesit të islamizimit të detyruar në stil wahhabit, falë CIA, Inter-Services Intelligence (ISI) është transformuar në një agjenci të mrekullueshme intelligence në gjendje jo vetëm të menaxhojë konfliktin afganas duke kërkuar ta kanalizojë sipas dëshirave të tij (dhe atyre të “aleatëve”), por edhe të përcaktojë në mënyrë vendimtare procesin e brendshëm politik të vetë Pakistanit. Në linjë teorike, aksioni pakistanez në Afganistan kishte arësyet e tij gjeopolitike, që shkonin përtej funksionit të thjeshtë të frenim/dobësimit të ekspansionit sovjetik dhe atë ua kishin atribuar Shteteve të Bashkuara. Raportet midis Pakistanit dhe Afganistanit kanë qenë gjithmonë mjaft kompleksë. Në vite ka pasur rivendikime të ndryshme afganase mbi disa territore të Beluçistanit dhe të NWFP – North Western Frontier Province. Midis viteve 1955 e 1962 marrëdhëniet midis dy vendeve u prishën kur Kabuli mbështeti projektin e “Pashtunistanit të madh”: domethënë krijimin e një shteti të madh pashtun që të përfshinte, përveç Afganistanit, edhe territoret e banuara nga kjo etni në Pakistan.

Në vitet ’80, Zia krijoi bindjen se mbështetja pakistaneze ndaj xhihadit antisovjetik do t’u jepte fund këtyre rivendikimeve duke instaluar në Kabul një qeveri pashtune, islamiste dhe besnike ndaj Islamabadit. Veç kësaj, kjo do t’i garantonte Pakistanit një thellësi strategjike që konfigurimi i zgjatur gjeografik i tij dhe i privuar nga ajo që në terma gjeopolitikë përcaktohet si “breg” (një kufi vështirë i kalueshëm), nuk mund ta siguronte në rast të një lufte të gjatë me Indinë. Ky aspekt është me rëndësi të madhe, pasi me të është i lidhur edhe mbështetja e mëpasme pakistaneze ndaj talibanëve që do të përpiqemi ta shyrtojmë më tej. Për momentin, do të jetë e dobishme të kujtohet se Zia, opërveç këtyre konsideratave me natyrë gjeopolitike, u uhdëhoq edhe nga disa (as jo shumë të fshehura) aspirata personale. Faktikisht, baraz me një perandor turko – mongol, kishte ëndërruar të rikrijonte një hapësirë të madhe islamike sunite midis Indostanit të pabesë, “heretikut” Iran dhe Rusisë kristiane. Ishte i bindur se mesazhi i muxhahedinëve afganas do të të përhapej në të gjithë Azinë Qendrore, duke krijuar një bllok gjeopolitik vendesh myslimane të drejtuar nga Pakistani, i cili duke vepruar kështë më së fundi do t’i përmbahej detyrës së tij historiko – ideologjike. Mbi bazën e këtyre bindjeve, pasi ka refuzuar një ndihmë (të vogël) prej 400 milion dollarësh nga ana e administratës Carter në 1980, pranoi një plan 5 vjeçar (1981 – 1986) ndihmash prej 3.2 miliardësh (që përfshinte edhe dërgimin e 40 gjuajtësve F-16) të avancuar nga administrata  Reagan dhe të cilit do të duhej t’i shtohej një plan i ri prej 4.02 miliardësht për periudhën 1987 – 1993 (megjithëse ky i fundit nuk u kompletua kurrë).

Nga fillimvitet ’80, njëlloj me Turqinë në skenarin e tashëm sirian, Pakistani u bë një autostradë në kuptimin e vërtetë të fjalës për islamistët e mbështetur nga “Perëndimi”. Gjatë kësaj periudhe, më shumë se 35000 të tillë arritën në Pakistan nga pjesë të ndryshme të botës islamike nëpërmjet kanaleve rekrutuese, pakashumë të lidhura drejpërsëdrejti me CIA, për t’u futur në Afganistan. Nga viti 1982, muxhahedinët afganas nisën të marrin saktësisht 600 milion dollarë në vit nga Shtetet e Bashkuara dhe 600 të tjera nga monarkitë e Gjirit Persik (Arabia Saudite në krye) që e përdorën këtë fluks parashë edhe për të promovuar wahabizmin jashtë Gadishullit Arabik. Midis 1982 dhe 1988, në Pakistan u ndërtuan mbi 100 shkolla të reja kuranike (medrese) të financuara nga paratë wahabite, duke shkaktuar një fenomen çrrënjosës në kuptimin e vërtetë të fjalës të kulturës islamike tradicionale të Azisë Qendrore e Jugore. Në të njëjtën periudhë, universitetet amerikane mbështetën haptazi “kulturën e xhihadit” duke financuar shtypjen e teksteve shkollore në gjuhët vendore për të indoktrinuar të rinjtë pakistanezë dhe refugjatët afganas (mbi 3 milion) që kishin kaluar Vijën Durand. Në vitin 1985, Ronald Reagan arriti deri sa t’i quajë muxhahedinët si ekuivalentin moral e Etërve Themelues të Shteteve të Bashkuara gjatë njëvizite të disa prej tyre në Shtëpinë e Bardhë. Midis tyre ishte bile edhe Gulbuddin Hekmatyar, kreu politik i Partisë dhe i grupit ushtarak Hezb-e-Islami, që do të ketë një rol kyç në zhvillimet e konfliktit afganas.

Gjatë kësaj periudhe, Pakistani njohu në rritje të PBB që u vlerësua në rreth 6% në vit. Megjithatë, fluksi konstant i parave u përdor jo për investime në infrastruktura, në shëndet publik apo në arësimimin e të rnjve, por për të ushqyer një sistem të gjerë klientelist dhe korrupsioni. Njëlloj me sa do të ndodhë me “luftën kundër terrorit” e fillimviteve 2000, paratë përfunduan në duart e të njohurve të zakonshëm (politikanë të korruptuar, burokraci joefikase, shërbime sekrete, grupe ekstremiste të natyrave të ndryshme, organizata kriminale të lidhura me kontrabandën) që nga ai moment e prapa vazhduan të mbështeten tek ndihmat ndërkombëtare për ta ruajtur të pandryshuar statusin e tyre të privilegjuar. Megjithatë, ky “idil” midis Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit nuk zgjati shumë. Shpejt objektivat nisën të divergjojnë. Faktikisht, Uashingtonit nuk i pëlqente ideja për ta instaluar Hekmatyar në Kabul dhe projekti politik i Zia, vdekja në një aksident ajror e të cili mbetet ende sot e veshur me mister. Në fund të fundit, nuk do të ishte hera e parë që Shtetet e Bashkuara, pasi e kanë përdorur gjerësisht, të çlirohen nga një aleat i bërë tejet i sikletshëm (ndodhia me Osama Bin Laden dhe e aleancës me ritëm të alternuar me al Qaedan, e krijuar pikërisht në kontekstin e konfliktit afganas, janë aty për ta demonstruar). Kësaj i shtohet se mu në fundin e viteve ’80, me pakënaqësinë e dukshme të Uashingtonit (gjithmonë i gatshëm që të kalojë në ruajtjen e “demokracisë” kur bëhet fjalë për hesapet e veta dhe kurrë kur aktorë të tjerë veprojnë në respektim të interesave të tyre), nisën të qarkullojnë zëra lidhur me zhvillimin klandestin (nëpërmjet ndihmës kineze) e armëve bërthamore nga ana e Pakistanit. Një lajm i pakonfirmuar zyrtarisht, por që do të gjente përkrahje në natyrën dualiste e vetë shërbimit sekret pakistanez, historikisht i ushqyer nga dy korrente: një proamerikan dhe një prokinez.

Roli strategjik i Azisë Qendrore dhe “lufta kundër terrorit

Hapësira gjeografike e Azisë Qendrore ka pasur një rol të dorës së parë në të gjitha teoritë (dhe strategjitë) kryesore gjeopolitike të ‘900. Padyshim që midis këtyre spikasin teoritë “kontinentaliste” (megjithëse në anë të kundërta) të anglezit Sër Halford J. Mackinder (1861 – 1947) dhe të gjermanit Karl Haushofer (1869 – 1946). Sipas qasjes së tyre, për më tepër përgjatë aksit Lindje – perëndim, konfliktuojnë dy qendra pushteti botëror: një kontinentale dhe në detare (talasokratike). Për Mackinder, që e shpall tezën e tij më 1904, ekziston një kështjellë natyrale gjiganteske, e paaksesueshme për pushtetin detar, që shtrihet nga Azia Qendrore në Arktik dhe nga e cila, ndër shekuj, kanë pasur origjinë pushtime të ndryshme (hunët, mongolët, turqit) që kanë prekur të gjithë hapësirën euraziatike (nga Europa në Lindje të Largme). Dominimi i këtij rajoni, të cilin Mackinder fillimisht e quan “zonë kyç” (pivot area) dhe më pas “heartland” (me kuptimin e “zemrës së botës”), do të garantonte dominimin e të gjithë masës kontinentale euraziatike dhe, për pasojë, të botës. Pohon Mackinder: “Kush kontrollon Europën Lindore, kontrollon heartland; kush kontrollon heartland, kontrollon ishullin botë (Eurazinë) dhe kush kontrollon ishullin botë, kontrollon botën”. Pra, për të kontrolluar Eurazinë, duhet të pengosh unitetin kontinental në çdo formë të tij dhe, jo rastësisht, gjatë gjithë shekullit të XIX, Azia Qendrore ju nënshtrua lojës së spiunëve midis Britanisë së Madhe dhe Rusisë cariste, me të parën fuqimisht të vendosur për t’i penguar Mokës aksesin në detet e ngrohëta të Oqeanit Indian. Nga ana e tij, Karl Haushofer i merr pikëpamjet e Mackinder rreth rëndësisë themlore të Europës Qendro – Lindore, por ia përmbys konkluzionet politike, pasi mbron idenë e një aleance ruso – gjermane, një Kontinentalblock euraziatik.

Teorive të Mackinder dhe Haushofer ju kundërvihen ato lidhur me dominimin detar të admiralit amerikan Alfred T. Mahan (1840 – 1914) dhe të Nicholas J. Spykman. Megjithatë, të dyja i atribuojnë edhe një herë akoma një rol qendror hapësirës së Azisë Qendrore parë që si Mahan, ashtu edhe Spykman, në mënyrë thuajse profetike, identifikonin tek Kina një kërcënim potencial ndaj hegjemonisë globale amerikan edhe më të madhe krahasuar me Japoninë (Mahan) dhe me Bashkimin Sovjetik (Spykman). Pikërisht ky i fundit rezulton të jetë eksponenti kryesor i asaj shkolle “marxhinaliste” që ka pasur shumë sukses midis strategëve amerikanë. Sipas Spykman, gjeografia është elementi më i rëndësishëm në politikën e jashtme e shteteve (nga gjeografia burojnë luftëra hegjemoniste që përsëriten në histori). “Ministrat shkojnë e vijnë, kurse detet, lumenjtë dhe vargmalet mbesin aty ku janë”, pohonte Spykman. Për shembull, preokupimet e Carit Aleksandri i I dhe Stalinit për një akses në detet e ngrohëta qenë të njëjta. Po sipas tij, përmirësimi i pozicionit të fuqisë është (ose duhet të jetë) objektivi i politikës së brendshme dhe të jashtme i çdo shteti.

Megjithatë, në perspektivën e teoricienit amerikan nuk është kontrolli i heartland ai që përcakton hegjemoninë globale, por kontrolli mbi “territoriin marxhinal” (rimland): domethënë, fashën gadishullore dhe ishullore që rrethon anën bregdetare euraziatike. Mbrojtja e interesave amerikane kërkon domosdoshmërisht kontrollin e kësaj zone dhe fragmentimin e saj, pasi unifikimi i saj do të ishte katastrofik për Shtetet e Bashkuara. Për pasojë, formulës kontinentaliste të Mackinder, Spykman i kundërvë formulën e fuqisë gadishullore: “Kush kontrollon rimland, dominon Eurazinë; kush dominon Eurazinë, kontrollon fatet e botës”. Bazuar në teoritë e Spykman duket qartë si arësyeja për të cilën Shtetet e Bashkuara, duke filluar nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, janë përqëndruar, përveçse mbi Lindjen e Afërt e të Mesme, mbi kërkimin e një forme kontrolli të fashës bregdetare të Azisë Jugore (ku porti i Karachi ka një vlerë strategjike jo pak të rëndësishme) dhe Juglindore; ashtu edhe arësyen për të cilën Pakistani nuk ka hequr dorë kurrë (gjepolitikisht dhe ideologjikisht) nga kërkimi i thellësisë strategjike të tij në të dyja anët e kufijve të tij: në Afganistan dhe në Kashmirin e pushtuar nga India.

Baraz me “obsesionin” rus për kërkimin e një daljeje në detet e ngrohëta, pavarësisht nga fakti se kush është në pushtet, gjeopolitika pakistaneze nuk do mundë të heqë kurrë dorë nga tentativa për ta ushtruar influencën e tij mbi Afganistan, të çlirojë kashmirin dhe, si “fuqi telurike” në pelena, ta rrisë ndërlidhjen e tij me Azinë Qendrore. Në fakt, një prej motiveve kryesore që e çuan Pervez Musharraf në kapitullimin total ndaj Shteteve të Bashkuara pas 11 shtatorit 2001 që pikërisht rreziku i nulifikimit si të përpjekjeve të bëra në Kashimir, ashtu edhe i zhvillimit të mëtejshëm të programit dhe të instalimeve bërthamore pakistaneze. Frika e Musharraf, në një kontekst historik ku lobet indiane nuk humbën kohë për ta paraqitur Pakistanin si një “shtet mbështetës të terrorizmit”, ishte ajo e përballjes me një humbje gjeopolitike të së njëjtës përmasë (ndoshta edhe më e keqe) se ajo e pësuar më 1971: një traumë kombëtare që përcaktoi ndarjen e pjesës lindore të vendit. Për ta kuptuar më mirë “mentalitetin” që ka çuar në nënshtrimin e Musharraf ndaj dëshirave amerikane bën të nevojshëm një hap të vogël prapa.

Më 28 maj 1998 Pakistani ishte bërë në të gjitha aspektet një fuqi bërthamore pasi kishte kryer 6 prova në vijim të atyre të realizuara nga New Delhi. Perëndimi ju përgjigj duke i vendosur sanksione të rënda që e vunë më tej në krizë një ekonomi tashmë tejet të depresuar të paktën qysh nga 1996. Më 28 qershor 1998, pavarësisht krizës, Ministria e Financave gjithësesi njoftoi pagesën e 300 milion rupive (6 milion dollarë) në favor të administratës talibane të Kabulit. Midis 1997 dhe 1998 Pakistani u dha talibanëve ndihma prej 30 milion dollarësht. Mbështetja e Pakistanit ndaj tyre i përket mandatit të dytë si kryeministre të Benazir Bhutto (1993 – 1996). Ajo kishte pasur mundësi qeverisjeje nga 1988 deri më 1990, kur pas vdekjes së Zia dhe ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara, kishte arritur të gjente një kompromis me ushtarakët nëpërmjet sigurimit se nuk do ta prekte bilancin e mbrojtjes dhe do t’ua linte atyre menaxhimin e politikës së jashtme. Pas akuzash të rënda për korrupsion (të drejtuara sidomos të shoqit Asif Ali Zardari, i cili e shfrytëzoi jo pak pozicionin e së shoqes) u detyrua ta lërë qeverinë më 1990. Megjithatë, gjatë gjithë dekadës së ardhshme, politika e brendshme pakistaneze u transformua në një lloj lufte të ashpër midis familjes Bhutto dhe asaj të Nawaz Sharif (tjetër personazh jo i huaj ndaj përdorimit të “pasurisë publike” për ruajtjen e interesave të veta private).

Kjo periudhë përkon edhe me disa ngjarje gjeopolitike me rëndësi të madhe: në radhë të parë, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Nëse strategjia e viteve ’80 e Shteteve të Bashkuara ishte e përqëndruar në krijimin e një lloji “rripi të gjelbër” (qeveri të markës islamisto – fondamentaliste) në kufijtë jugorë të Bashkimit Sovjetik, nga mesi i viteve ’90 e më tej (edhe për shkak të teorive të ish Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare e administratës Carter, Zbigniew Brzezinski), u  përqëndrua kryesisht nga kontrolli (pakashumë i drejtpërdrejtë) i Azisë Qendrore. Jo rastësisht, midis 1998 – 1999, disa republika ish sovjetike në rajon përjetuan një rritje të aktiviteteve terroriste (për shembull, formimi i Lëvizjes Islamike të Yzbekistanit që u stacionua në Luginën Fergana) që do të çojë, me hir e me pahir, në pranimin e detyruar të bazave amerikane në territorin e tyre. Pakashumë në të njëjtën hapësirë kohore, pasi ka ezauuruar detyrën e vënies në krizë të pushtetit sovjetik, Afganistani u zhyt në një lloj vrime të zezë ku zotërinjtë e luftës e të drogës ndanë pushtetin (shpesh edhe duke u përleshur njëri me tjetrin) duke e menaxhuar edhe në kurriz dhe mbi lëkurën e popullsisë civile.

Suksesi dhe konsensusi fillestar i siguruar nga talibanët qe i lidhur pikërisht me dëshirën popullore për rend, drejtësi dhe stabiliteti kundër paudhësive të zotërinjve të luftës. Pakistani filloi ta promovojë kauzën talibane duke filluar nga viti 1993 dhe në këtë pati një rol të dorës së parë gjenerali Naserullah Babar. Duke filluar nga ky vit, Islamabadi filloi progresivisht ta reduktojë mbështetjen deri më atëhere të dakordësuar për Hekmatyar (i paaftë të kryente misionin që i kishte ngarkuar ISI) dhe të mbështesi lëvizjen e drejtuar nga Mullah Omari. Edhe një herë akoma, objektivi ishte ai i stabilizimit të Afganistanit duke i dhënë një qeveri propakistaneze (rreziku i një influence indiane, ruse dhe iraniane në Kabul, nëpërmjet Burhanuddin Rabbani, ishte jashtëzakonisht i lartë) edhe në perspektivën e ndërtimit të një rruge tregëtare direkte drejt Azisë Qendrore. Përpjekjet pakistaneze në këtë drejtim u intensifikuan nga viti 1995: viti në të cilin talibanët futën në dorë Heratin.

Megjithatë, shumë shpejt talibanët u demonstruan më shumë të “pavarur” nga sa vetë ISI mund ta besonte dhe jashtëzakonisht të lidhur me indin ekonomik e socio – politik të Pakistanit. Faktikisht, në shumë raste këta posedonin dokumenta pakistaneze, kishin studiuar dhe qenë stërvitur në Pakistan; kishin tashmë lidhje të thella me partitë islamiste pakistaneze dhe me grupe kriminale të lidhura me kontrabandën. Që kontrabanda ka përfaqësuar historikisht një problem të rëndë për Pakistanin sigurisht që nuk është ndonjë gjë e re. Zelli me të cilin vendi i Azisë Jugore, bashkë me Pekinin, po kërkon të avancojë projektet e Rrugës së Re të Mëndafshit, pavarësisht tentativave të sabotimit, është i lidhur edhe me vullnetin e rregullimit të trafiqeve nga dhe drejt porteve Gwadar e Karachi. Kontrabanda që shtrihet nga Azia Qendrore në Gjirin Persik, nga Irani dhe në Pakistan, përfaqëson një humbje të rëndë në termat e të ardhurave të çdo vendi të përfshirë. Duke parë pozicionin e veçantë gjeografik dhe duke mos qenë shumë i pasur në lëndë të para, Pakistani është ai që i vuan më shumë dëmet që burojnë nga këto të ardhura të munguara. Veç kësaj, industria lokale e tij në shumë seanca është vënë në vështirësi nga futja klanestine e mallrave të konsumit të ardhura nga jashtë.

Burimi kryesor mbështeës për lëvizjan talibane, përpara se ISI të zbatonte mbështetjen e hapur, faktikisht ishte “kalimi” i paguar nga shoferët në këmbim të hapjes së rrugëve afganase për kontrabandën. Duke dashur të bëhet një krahasim me ngjarje më të afërta në kohë, mund të bëhet sërish referimi me sa ka ndodhur në skenarin siriano – iraken me Shtetin Islamik në gjendje të shfrytëzojë rrugët drejt Turqisë dhe porozitetin e kufijve për kontrabandën e naftës dhe prodhimeve me vlerë. Gazetari pakistanez Ahmed Rashid ka shkruar se midis 1992 dhe 1993 humbja në të ardhura doganore për Pakistanin ka qenë me 3 miliard rupie; në 1994 – 1995 ka qenë me 11 miliard; në 1997 – 1998 me 30 miliardi. Kështu ka shkruar në studimin e tij lidhur me lindjen dhe zhvillimin e fenomenit taliban: “Ekonomia e zezë në Pakistan rritet nga 15 miliard rupiet e 1973 në 1115 miliardët e 1996 […] Gjatë të njëjtës periudhë, evazioni fiskal – prëfshi evazionin e të drejtave doganore – nga 1.5 miliard rupie arrin pikun e 152 miliardëve”.

Kjo formë “evazioni” e pakontrolluar dhe asnjëehrë e penguar krejtësisht për vite të tëra ka kontribuar edhe në pasurimin e grupeve të ndryshme të pushtetit (të korruptuar) brenda Pakistanit. Veç kësaj, në vitet ’90 filluan të ndjehen pasojat e luftës me prokurë ndaj Bashkimit Sovjetik në Afganistan. Faktikisht, kjo kishte krijuar kulturën e heroinës, të kallashnikovit dhe të medresesë wahabite. Në 10 vite luftë, profili social i vendit ishte përmbysur ndjeshëm. Me mbështetjen e tij ndaj talibanëve, ISI ka kërkuar të zëvendësojë grupet kriminale të Quetta e lidhur me kontrabandën. Kur talibanët hynë në Mazar-i Sharif më 1998, krerët ushtarakë pakistanezë e konsideruan këtë fitore si një fitore historike pakistaneze. Veç kësaj, në ndryshim nga çdo regjim i mëparshëm afganas, ata mendonin se qeveria talibane do ta njihte Vijën Durand dhe do ta mbante në fre nacionalizmin pashtunas të NWFP, duke i dhënë ndërkohë një pikë daljeje islamistëve radikalë pakistanezë (nga 1994 deri më 2001 mbi 80000 milicë pakistanezë luftuan midis radhëve të talibanëve) dhe duke penguar krijimin e një fronti të brendshëm.

Megjithatë ka ndodhur saktësisht e kundërta. Fitorja talibane thuajse ka eliminuar një kufi (në linjë teorike që ska ekzistuar kurrë) që qysh prej dekadash kalohej gjithësesi në të dyja drejtimet. Por dështimi total i strategjisë pakistaneze regjistrohet përfundimisht duke filluar nga shtatori 2001. Më 1999 një grusht shteti ushtaral përmbysi Nawaz Sharif që nga 1997 e kishte bërë gjithnjë e më eksplicite mbështetjen ndaj talibanëve. Grushti i shtetit qe rezultati i aventurës katastrofike ushtarake në lartësitë e Kargil (në Kashmirin e pushtuar nga India) në vijim tl së cilës u ngrit deri opsioni bërthamor. Përgjegjës kryesor i operacionit qe Pervez Musharraf, kreu i atëhershëm i forcave të armatosura. I vënë në dijeni për synimin e Sharif që ta shkarkonte nga detyra, ky i parapriu duke marrë drejtimin e vendit. Siç kishte ndodhur 20 vite më parë me Zia, Musharraf ndodhej në një gjendje ku Pakistani gëzonte një reputacion shumë të keq në planin ndërkombëtar. Një prej preokupimeve kryesore për administratat amerikane në kapërcyellin e mijëvjeçarit të ri qe pikërisht ai i përcaktimit se çfarë lloj marrëdhëniesh të mbante me Islamabadin.

Bill Clinton i forcoi ndjeshëm marrëdhëniet me Indinë dhe vendosi sanksione ndaj regjimit ushtarak pakistanez. Në janarin e 2001, Kombet e Bashkuara kishin vendosur sanksione të rënda ndaj Emiratit të Afganistanit (atëbotë i njohur vetëm nga Pakistani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe) me qëllimin e qartë e bllokimit të furnizimeve me armë që vinin pikërisht nga Pakistani. Paradoksalisht, më 11 shtator 2001, gjenerali Mehmood Ahmad, kreu i atëhershëm i ISI, ndodhej pikërisht në New York, për bisedime me drejtuesit e CIA që e ftonin t’i bindëte talibanët ta dorëzonin Usama bin Ladin. Të nesërmen e atentateve, Mehmood pritet bashkë me Maleeha Lodhi (ambasadorja e atëhershme pakistaneze në Uashington) nga Nënsekretari i Shtetit Richard L. Armitage, i cili u kërkoi shprehimisht të dyve se cilën palë kishte ndërmend të mbështeste Pakistani. Mehmood i pohoi se Pakistani kishte qenë gjithmonë nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe se, përkundrazi, kishte qenë Uashingtoni që e kishte konsideruar shpesh e me dëshirë si kundërshtar Pakistanin.

Në fakt, politika e jashtme e Pakistanit për 10 vitet e mëpasme tashmë ishte vendosur. Musharraf u informua për atentatitn gjatë një konference ushtarake në Karachi. E dinte se “Shtetet e Bashkuara do të vepronin si një ari i plagosur” dhe se do ta kishin sulmuar Afganistanin. Zgjedhja e tij, rruga më e thjeshtë, qe të përcaktojë se Pakistani nuk do duhej t’u kundërvihej kërkesave amerikane (megjithëse duke mos marrë pjesë drejtpërsëdrejti në agresionin ndaj Afganistanit) dhe do të duhej të ndërpriste menjëherë mbështetjen ndaj talibanëve në mënyrë që të mos rrezikonte ekspozimin ndaj një sulmi të mundshëm amerikan. Megjithatë, nga ana e tyre Shtetet e Bashkuara do të duhej të hiqnin sanksionet dhe t’i garantonin një ndihmë ekonomike të menjëhershme Islamabadit. Gjenerali Mohammed Aziz, personi kryesor i fitores talibane ndaj Aleancës Veriore, qe një prej të paktëve që kundërshtoi. Bashkë me Muzaffar Usmani dhe vetë Mehmood Ahmad, bëri me dije se kapitullimi total ndaj dëshirave amerikane do të nënkuptonte zerimin e çdolloj fuqie kontraktuese dhe autonomie gjeopolitike për Pakistanin në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme. Megjithëse me disa kontradikta të qarta, faktikisht është kjo që ndodhi. Mjafton të mendosh se, në shpërfillje të asaj që ka qenë makthi më i keq gjeopolitik pakistanez, në Kabul u vendos një qeveri prindiane si ajo e Hamid Karzai. “Lufta kundër terrorit” e administratës Bush dhe rrjedhat e saj në administratat e mëpasme, baraz me dekadën e xhihadit antisovjetik, kanë pasur efekte dëmtuese dhe dramatike mbi shoqërinë pakistaneye dhe mbi besueshmërinë e figurave institucionale, që duke u paraqitur si “modernizuese” (Musharraf u deklarua vlerësues i Seyyed Ahmad Khan dhe i babait të Turqisë moderne Mustafa Kemal), i kanë mundësuar një fuqie të huaj ta bombardojë vetë popullin e tyre.

(nga Eurasia)

Përgatiti për TemA ARMIN TIRANA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje