Nga Prof.asoc.Selami Xhepa
Zhvillimi ekonomik është i pandashëm nga arsimi dhe dija. Vendet që ia kanë dalë të kapin stadet më të larta të mirëqenies së qytetarëve janë ato që e kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt zhvillimit nga reformimi i sistemit të tyre arsimor. Shembulli më i spikatur është Koreja e Jugut, një nga vendet me treguesit më të lartë të arsimimit të popullatës dhe që u shndërrua nga një vend tipik në zhvillim, në një nga “tigrat e Azisë”.
Nga më pak se 20% e popullsisë që mbante një diplomë universitare në vitet ’70, sot mbi 60% e popullsisë mbajnë një diplomë të nivelit të parë universitar. Rëndësinë e sistemit arsimor e dëshmon edhe prioriteti që iu dha atij gjatë sistemit komunist. Ndoshta një nga trashëgimitë më të rëndësishme të regjimit komunist ishte ndërtimi i një sistemi arsimor me standarde serioze për kohën, edhe pse indoktrinimi gjendej kudo në kurrikulën mësimore.
Por, me gjithë fokusin e veçantë që i kushtohej arsimit, arsimi i lartë mbeti një “e mirë e rrallë” dhe ku aksesi në sistem ishte një privilegj i një pakice shumë të vogël të popullsisë. Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria në vitin 2000 kishte vetëm 5% të popullsisë me arsim të lartë, një nga treguesit më të ulët edhe krahasuar me ven- det në zhvillim. Liberalizimi i arsimit të lartë pati një ndikim shumë pozitiv, duke e dyfishuar numrin e popullsisë me arsim të lartë brenda një dekade.
Por siç është e kuptueshme, sërish vendi ynë është poshtë vendeve të rajonit sa u takon treguesve të arsimit, qoftë në nivelin sasior, edhe atë cilësor. Fajësimi që i bën klasa politike liberalizimit të arsimit si shkaktarin e treguesve të ulët të cilësisë së sistemit, është i gabuar dhe si i tillë, nuk na çon drejt gjetjes së zgjidhjeve të arsyeshme të problemit. Fatkeqësisht, Reforma në Arsimin e Lartë nuk arriti të vihej në zbatim dhe ligji mbeti larg zbatimit të plotë dhe korrekt edhe pas më shumë se pesë vitesh që prej aprovimit të tij.
Në këto rrethana, në veçanti universitetet private vazhdojnë të përballojnë sfida që burojnë jo vetëm nga konteksti i ndryshëm që po karakterizon botën e paspandemisë, por edhe pasiguritë ligjore e rregullatore që shtohen dita-ditës. Secili institucion është në kërkim të rrugëve më të mira dhe inovative të përballjes me këto sfida. Edhe Universiteti Europian i Tiranës prej më shumë se tri vitesh është duke përpunuar alternativën e tij të zhvillimit.
Në themel të filozofisë sonë të re është zgjerimi i partneritetit brenda dhe jashtë vendit, krijimi i aleancave strategjike me institucione serioze, për t’u ofruar studentëve tanë më shumë oportunitete të zhvillimit të karrierave të tyre profesionale. Partneriteti i ri me Kolegjin Profesional të Tiranës, duke bashkuar asetet ekonomike-financiare dhe profesionale, e vendos universitetin në një themel më të shëndoshë jo vetëm në rrafshin ekonomik, por mbi të gjitha, në diversifikimin e kurrikulës mësimore.
Formimi profesional në disiplinat teknike u bashkëngjitet niveleve më të larta të kornizës së studimeve, duke plotësuar të gjitha nivelet e saj të formimit pas përfundimit të shkollës së mesme. Portofolit të mbi 50 programeve universitare që u ndërtuan gjatë tri viteve të fundit në fushat mjaft diverse të dijes, që nga shkencat teknike e shoqërore, humane dhe artet liberale, i janë shtuar edhe diplomat e formimit profesional, 8 programe studimi 2-vjeçare.
Ndikimi që presim nga ky diversifikim është një rritje e numrit të studentëve në vitet e ardhshme. Teksa trendet në regjistrimin në arsimin e lartë për shkaqe objektive dhe subjektive pritet të vijnë në rënie, UET do të ruajë qëndrueshmërinë duke pasur më shumë se 5,000 studentë që do të ndjekin programet tona. Një vlerë e shtuar e diplomës sonë universitare është partneriteti që kemi krijuar ndër vite me universitetet europiane.
Ndërkombëtarizimi i procesit mësimor është dimensioni i vërtetë dhe real i të qenët konkurrues në arsimin e lartë; është matja e vetvetes me universitetet serioze europiane në standardet e cilësisë, duke përfshirë që nga ndërtimi i kurrikulës universitare, tekstet që përdoren në mësimdhënie dhe deri te cilësia e mësimdhënies dhe kualifikimi i personelit akademik. Eksperienca e derisotme e bashkëpunimit me më shumë se 240 universitete të huaja, ku rreth 500 studentë tanët kanë kryer një cikël mësimor, është një bazë e mirë e kapitalizimit për arritjen e objektivave tanë të ardhshëm, që është dyshimi i këtij numri.
Kjo do të thotë se 20-25% e studentëve tanë do të kenë mundësinë të kryejnë një semestër akademik në një universitet perëndimor. Studentët që kanë qenë përfitues të këtyre programeve janë dëshmitarë të ndikimit të jashtëzakonshëm që programe të tilla kanë në karrierat e ardhshme të tyre. Dërgimi i një kontingjenti të lartë të studentëve tanë jashtë vendit është vetëm njëri dimension i ndërkombëtarizimit. Dimensioni i vërtetë mbetet ofrimi i programeve studimore në gjuhë të huaj, duke tërhequr një ko- munitet të huaj studentësh në auditorët tanë.
Deri më sot ne kemi mundur të tërheqim studentë nga pothuaj të gjitha vendet europiane, por procesi mësimor ka qenë mbi baza mentorshipi, duke qenë se numri tyre ka qenë modest. Në dekadën e ardhshme vizioni ynë është arritja e një segmenti më të gjerë studentësh të huaj që të përfshihen në programet tona studimore. Aktualisht UET është licencuar në tri programe që ofrojë studimet në gjuhën angleze: informatikë ekonomike, inxhinieri informatike dhe financë.
Objektivi është që edhe programet e tjera të ofrohen paralelisht në gjuhët shqip dhe anglisht, në mënyrë që oferta akademike të jetë e aksesueshme si për studentin vendas dhe atë të huaj. Kjo do të lehtësojë ndjeshëm shkëmbimet me universitetet e huaja partnere, duke mundësuar ardhjen e më shumë studentëve nga jashtë në auditorët tanë. Edhe pozicionet drejtuese dhe mësimdhënëse të universitetit do të hapen për konkurrencën e huaj. Profesorë, lektorë dhe kërkues të spikatur do të ftohen të jenë pjesë e stafit tonë akademik.
Ky ndërveprim me tregun europian të arsimit të lartë është garancia dhe dëshmia më e mirë e seriozitetit me të cilin duhet punuar për standardet. Transmetimi dijes te brezi i ri është misioni themelor i një universiteti. Por edhe prodhimi dijes është po kaq me rëndësi. Universitetet kanë qenë përherë qendrat e prodhimit dhe zgjerimit të kufijve të dijes njerëzore, burimi i përparimit teknik e shkencor të shoqërisë.
UET ka krijuar një traditë të dallueshme për kërkimin shkencor dhe bashkëpunimet në projekte kërkimore me universitete dhe qendra kërkimore jashtë vendit, projekte bashkëpunimi me industritë dhe institucionet e vendit, angazhim të kërkuesve më të mirë shqiptarë që janë vendosur jashtë vendit dhe/ose brenda vendit, duke synuar të ofrojë zgjidhje për problemet reale me të cilat përballet shoqëria jonë.
Liria akademike dhe përgjegjshmëria, thellësia e kërkimit dhe ndërdisiplinariteti, synojnë të avancojnë dijen, inovacionin dhe kreativitetin. Objektivat tanë strategjikë synojnë indeksimin e konferencave dhe revistave tona shkencore, mbështetjen e kërkimit shkencor përmes një fondi të dedikuar të financimit të kërkimit. Në 15 vitet e kaluara UET ka shpenzuar rreth 1 milion euro në kërkimin shkencor, ndërsa në dekadën e ardhshme synojmë që ky financim të rritet me gati 10% çdo vit.
Partneriteti me universitet e huaja do të fokusohet jo vetëm në procesin e mësimdhënies, por edhe në kërkimin shkencor dhe aplikimet e përbashkëta në “Horizont 2020” të Bashkimit Europian. Cilësia në sistemin arsimor mbetet problemi më serioz për vendin, por kjo nuk bie në konflikt me masivizimin e arsimit të lartë. Norma e studentëve që mbarojnë arsimin e mesëm dhe që ndjekin një universitet në Shqipëri është rreth 59%, ndërsa mesatarja e vendeve të BE-së është 73%. Përshtypja që është krijuar se gjithkush dëshiron të marrë një diplomë universitare nuk është një fenomen shqiptar; përkundrazi, është një trend gjithëbotëror dhe kërkesë e stadit të sotëm të zhvillimit të teknologjisë.
Përmirësimi i cilësisë arrihet vetëm përmes konkurrencës së shëndoshë në sistem dhe hapjes së sistemit tonë arsimor ndaj botës. Një sistem arsimor që ngre barriera ndaj konkurrencës së brendshme dhe të jashtme, që synon sigurinë e tij përmes pengimit të konkurrencës dhe jo përmes përmirësimit të vetvetes dhe dallimit nga të tjerët përmes arritjes së standardeve më të larta, është penguesi më serioz për të ardhmen e vendit. Universiteti Europian është i përgatitur t’u përgjigjet këtyre sfidave dhe të shërbejë si një katalizator për ndryshim shoqëror.
*President i Universitetit Europian të Tiranës
O “Prof”ne keto 30 vite ju keni shperndare Diploma si letra karamelesh dhe harron te permendesh qe mbi 80 % e te diplomuarve punojne ne perendim dhe ketu keni mbajtur ato me letra karamelesh. Je ekonomist,por shumë i dobet te besh nje analize te vertete dhe e di pse sepse je i politizuar deri ne palce. Shqiperia nuk ka nevoje te kete Universitete private pa hesap sepse realisht nuk mund te kete staff pedagogjike kaq numeroze sepse ska si te kete. Keni dhene diploma e tituj shkencore me lopate……gëzoni rezultatet me batakçijte e diplomuar ????