Nga afera e ARMO-s me Rezart Taçin, tek CEZ dhe kriza e sotme: Pse është e nevojshme pavarësia energjitike

7 Tetor 2021, 19:29Politika TEMA

Nga Blendi Kajsiu

Në një dalje publike të programuar për të qetësuar kryeministrin dhe çoroditur qytetarët, Rama na paralajmëroi për një krizë të thellë energjetike. Kriza është shqetësuese për qytetarin që nuk mori vesh as nga vjen dhe as si zgjidhet, por qetësuese për qeverinë Rama, e cila duket se nuk mund të qeverisë pa to. Dhe ja tek u gjet kriza e rrallës, globale komplekse dhe energjetike. Një tjetër sfidë, ku Rama na shfaqet si shpëtimtar teksa mbulon mungesën e vizionit qeverisës të kabinetit aktual. Ndaj në konferencën e tij për krizën të krijohej përshtypja se Rama mezi po priste ardhjen e saj.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se kriza globale që na kërcënon edhe ne është e rreme. Ajo ekziston dhe tregon vulnerabilitetin e vendit tonë përballë luhatjeve drastike të tregut global të energjisë, të cilin ne nuk mund ta kontrollojmë. Në këtë aspekt, kriza që afrohet ofron një shans për të ndërtuar një strategji energjetike afatgjatë që amortizon vendin tonë nga këto luhatje globale.

Kjo mund të arrihet duke ndërtuar kapacitete prodhuese si në energji elektrike, edhe në prodhimin e naftës nëpërmjet kompanive publike në funksion të nevojave të industrisë dhe shoqërisë sonë dhe jo të çmimit në tregjet globale. Në këtë mënyrë, vendi ynë nuk ka përse të jetë viktimë e tregjeve globale të energjisë që luhaten shpesh, në mënyrë sa të paparashikuar, aq edhe joracionale.

Strategjia që ka dominuar gjatë tranzicionit ka qenë ose privatizimi i ndërmarrjeve publike, si OSSH, Albpetrol apo ARMO, ose tërheqja e investimit të huaj, siç është rasti i TEC-ve dhe HEC-ve, apo i Bankers Petrolium në nxjerrjen e naftës. Qeveritë tona nuk kanë synuar t’i përmbushin nevojat tona energjetike në termin afatgjatë, duke pasur si prioritet fuqizimin, zgjerimin dhe modernizimin e aseteve dhe kompanive tona publike.

Problemi është se sektori dhe tregu privat nuk ofrojnë zgjidhje në kushtet e një krizë globale energjetike, sepse synimi i tyre primar është fitimi dhe jo nevojat e industrisë apo qytetarisë sonë. Kjo do të thotë që nëse përballemi me një krizë, si ajo që na lajmëroi Rama, firmat private që prodhojnë naftë apo energji elektrike në truallin tonë do ta shesin atë me çmimin e tregut ndërkombëtar, pra me çmim shumë të lartë.

E vetmja zgjidhje përballë krizave dhe luhatjes së tregjeve energjetike është forcimi dhe zgjerimi i kapaciteteve prodhuese, si në energji elektrike, edhe në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës, nëpërmjet kompanive publike si Albpetrol, OST apo KESH. Nëse modernizohen dhe menaxhohen mirë kompani të tilla, jo vetëm i ofrojnë industrisë dhe qytetarit shqiptar energji me çmime të përballueshme, duke stimuluar zhvillimin ekonomik, por mund të bëhen kontribuues edhe më të rëndësishëm në arkën e shtetit dhe të përdoren për politika sociale.

Natyrisht që në këtë pikë propozimin tim do ta kundërshtojnë si një politikë e pastër komuniste, që injoron tregun dhe aftësitë e tij çudibërëse. Që nga rënia e komunizmit, tregu në imagjinatën tonë u kthye në ilaçin çudibërës dhe perfekt që do zgjidhte të gjitha problemet, të cilat burojnë thjesht dhe vetëm nga shteti. Ndaj privatizimi i gjithckaje u kthye në të vetmen politikë ekonomike që shpalosnin qeveritë tona. Problemi është që tregu nuk është magjik. Ka situata, sidomos ato që quhen monopole natyrore, siç është energjia elektrike, kur ai dështon. Midis një monopoli natyror privat dhe një monopoli shtetëror, zgjidhja më e mirë për shoqërinë është monopoli shtetëror, madje edhe për neoliberalët.

Ndaj nuk është çudi që kalimi i disa industrive apo kompanive nga monopole shtetërore në private ka qenë katastrofal për ekonominë tonë. Mjafton të kujtojmë këtu privatizimin famëkeq të Rafinerisë së Ballshit (ARMO), e vetmja e llojit të saj në Shqipëri në vitin 2008, nga qeveria Berisha në duart e Rezar Taçit. Përpara privatizimit kjo rafineri punësonte rreth 2200 punëtorë dhe nxirrte mbi 10 milionë dollarë fitim në vit. Pasi u privatizua nga Taçi, kompania shkoi drejt kolapsit pasi u zhyt në borxhe dhe keqmenaxhim. Sot, ajo prodhon vetëm greva punëtorësh për paga të prapambetura. Pra, sot, kur po afrohet një krizë energjetike, kur çmimi i naftës në tregjet globale po rritet me shpejtësi, rafineria e Ballshit, që duhet thënë kishte pajisje moderne kur u privatizua, nuk përpunon naftë. Ky është rezultati i privatizimit të një aseti strategjik kombëtar.

Dhe nuk është katastrofa e vetme. Privatizimi i OSSH te kompania çeke CEZ, po gjatë qeverisjes Berisha në vitin 2009, gjithashtu dështoi me sukses. Ky ishte një tjetër monopol shtetëror që u privatizua duke i ofruar shumë lehtësira privatizuesit, siç ishte blerja e energjisë nga OSSH te KESH me çmim të ulët. E megjithatë, dështoi në mënyrë spektakolare. Pa përmendur një sërë aferash korruptive, për të cilat u përfol. Por nuk ka dështuar vetëm privatizimi i aseteve strategjike kombëtare si OSSH, Albpetrol apo ARMO, por edhe futja e investimit të huaj privat në sektorë strategjikë siç është ai i nxjerrjes së naftës. Rasti i Bankers Petrolium është më skandalozi.

Kompania në fjalë jo vetëm ka ndotur natyrën dhe u ka shkaktuar tërmete banorëve në zonat ku nxjerr naftë, por edhe ka evituar për vite pagesën e taksave duke deklaruar vazhdimisht humbje. Natyrisht që tregu dështon, do më përgjigjen kritikët, por shteti dështon më keq se tregu. Ky është argumenti thelbësor i doktrinës neoliberale, artikuluar qartë nga nobelisti Milton Friedman. Problemi është se jo vetëm në rastin shqiptar, por edhe në shumë raste ndërkombëtare, kjo nuk është e vërtetë. ARMO funksiononte më mirë kur keqmenaxhohej nga shteti sesa nga Taçi, po kështu edhe OSSH.

Të shumtë janë ata që do argumentojnë se shteti shqiptar me nivelet e larta të korrupsionit dhe krimit nuk ka mundësi të menaxhojë dhe zhvillojë me sukses kompani publike si ARMO apo Albpetrol. Por kjo nuk është një e vërtetë e pandryshueshme. Edhe në shtetin tonë ka plot kompani publike që janë menaxhuar mjaft mirë dhe kanë dalë me fitim, Posta Shqiptare është vetëm njëra prej tyre. Ka plot shembuj të kompanive publike mjaft të suksesshme ne sektorin e energjisë (gaz, naftë, elektricitet) në vende në zhvillim, me shtete që përballen me korrupsionin dhe krimin. Më e famshmja është “Petrobras”, kompania publike e naftës së Brazilit, një nga më të mëdhatë dhe të suksesshmet në planet, që garanton shumicën e energjisë për zhvillimin ekonomik të Brazilit.

Një tjetër kompani, sa e madhe edhe e suksesshme në nivel global është Ecopetrol, kompania publike e naftës dhe e gazit të Kolumbisë, që ne e njohim vetëm nga filmat me Pablo Escobar. Dhe meqenëse po flasim për të, qyteti i tij, Medelin, është qendra e një tjetër kompanie publike sa gjigante dhe të suksesshme, që quhet EPM (Empresas Publicas de Medellin) e furnizon me energji elektrike, ujore dhe diellore gjithë Kolumbinë dhe ka investime që nga Amerika Latine deri në SHBA. Këto kompani jo vetëm prodhojnë fitime të mëdha për buxhetin e shtetit, i ofrojnë energji me çmim të arsyeshëm dhe të qëndrueshëm industrisë lokale, por përdoren nga qeveria edhe për politika sociale. Kështu, EPM vendos tarifa të ndryshme për energjinë elektrike sipas zonës së banimit. Në zonat ku banojnë më të pasurit, çmimi është më i lartë se në zonat rurale apo aty ku banojnë më të varfrit. Politika të tilla sociale që jo vetëm ndihmojnë shtresat në nevojë, por edhe luftojnë shpopullimin e zonave rurale, nuk mund të bëhen me kompani private.

Natyrisht, shembuj ka plot, por mora këto dy vende nga Amerika Latine sepse përballen me shumë nga problemet tona që nga krimi deri te korrupsioni. Janë shembuj që tregojnë se industria energjetike publike mund të jetë e suksesshme edhe në shtete si i yni. Sidomos kur privatizimi i sektorëve energjetikë strategjikë apo futja e aktorëve privatë në to ka dështuar vazhdimisht. Ndonëse vendimi i qeverisë Rama për të mos privatizuar sektorë strategjikë si Albpetrol apo OST është për t’u përshëndetur, mungon një politikë apo strategji afatgjatë për forcimin dhe zgjerimin e këtyre kompanive në funksion të përmbushjes së nevojave tona energjetike, sociale, ambientale dhe jo thjesht në funksion të logjikës së tregut.

Në qeverisjen Rama, kompanitë publike në sektorin e energjisë ende menaxhohen si ndërmarrje politike dhe shpesh me mungesë të plotë transparence. Kompani si Albpetrol duhen modernizuar në mënyrë që të përfshihen në nxjerrjen dhe shfrytëzimin e naftës sonë shumë më tepër se Bankers Petrolium apo të tjerë. Rafineria e Ballshit, prej kohësh në kolaps, duhet shtetëzuar përsëri dhe duhet futur në prodhim duke e mbyllur ciklin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në vend. Këtë e kanë bërë shumë vende në botën në zhvillim (pa dashur t’ju mërzis më me Amerikën Latine).

Diversifikimi i prodhimit të energjisë nga ujore në diellore dhe ere duhet nxitur në rastin e KESH. Investimet e huaja në prodhimin e energjisë diellore duhen bërë në bashkëpunim me KESH dhe jo thjesht duke ftuar investues privatë nga jashtë. Përndryshe, këto investime thjesht përdorin diellin dhe truallin tonë pa përmbushur nevojat tona energjetike dhe sociale përballë krizave globale. Për të qetësuar lexuesin se idetë e mësipërme nuk janë komuniste, mjafton të shohin se shembujt që kam marrë në Amerikën Latine (Brazili dhe Kolumbia), janë vende që historikisht janë qeverisur nga e djathta antikomuniste, e cila ka mbajtur dhe themeluar kompani publike në sektorët ekonomikë strategjikë.

Ka plot shembuj të tjerë, si p.sh., nga Koreja e Jugut, ku gjithashtu ekzistojnë kompani të mëdha dhe të suksesshme publike themeluar nga qeverisje të djathta, antikomuniste dhe proamerikane. Natyrisht, forcimi i kapaciteteve prodhuese të kompanive tona publike në fushën energjetike kërkon një sërë ndryshimesh si në legjislacion, politikë dhe edukim. Në këto kompani duhen emëruar menaxherë të aftë dhe jo politik, ato duhen çliruar nga kontrolli partiak dhe duhen hapur ndaj kontrollit publik, edhe nëpërmjet shitjes së një pjesë të aksioneve te publiku i gjerë. Forcimi i tyre nënkupton edhe forcimin e kapaciteteve tona universitare në fushën e inxhinierisë dhe gjeologjisë.

Nënkupton forcimin e kapaciteteve shkencore dhe kërkuese në këto fusha për të prodhuar specialistët që do ta forcojnë këtë industri drejt së ardhmes. Kjo në vetvete kërkon minimalisht një politikë apo strategji industriale afatgjatë që e shikon energjinë si një aset kombëtar ekonomik dhe social. Një strategji e tillë ende nuk duket te qeverisja Rama që mbetet e dashuruar me rrugë, porte jahtesh dhe aeroporte. Kryeministri gdhihet duke vizituar investimet në rrugë dhe pedonale, por rrallë shohim vizita apo të njëjtin përkushtim e vizion modernizues për asete publike të rëndësishme në sektorin energjetik. Opozita e Bashës, nga ana tjetër, jo vetëm që nuk është distancuar nga privatizimet korruptive dhe katastrofale të sektorëve tanë strategjikë gjatë qeverisjes Berisha, por as nuk duket se ka një plan tjetër përveçse tregut dhe privatizimit.

Ndërkohë, këto 30 vite tranzicion na kanë treguar se privatizimi i aseteve kombëtare strategjike si në sektorin e energjisë, edhe në atë të minierave nuk ka prodhuar zhvillim, por vjedhje, korrupsion dhe krim, siç tregon qartë rasti i bizneseve kriminale të nxjerrjes së kromit në Bulqizë, ku çdo ditë vdesin minatorët. Por kjo do kërkonte një tjetër shkrim.

11 komente në “Nga afera e ARMO-s me Rezart Taçin, tek CEZ dhe kriza e sotme: Pse është e nevojshme pavarësia energjitike”

  1. Thank you says:

    Thank you Blend. Ishalla po e lexojne ata qe duhet.

  2. Illyria-Shqiperia says:

    Duartrakos në këmbë këtë artikull te arrire te z. Kajsiu. Çoji nje kopjo KM se ndoshta merr parasysh ndonje fjale. Ne te gjitha vendet e botes, industrite/ndermarrjet strategjike te shtetit jane publike (shteterore). Edhe ne Gjermani, France etj. Vetem ne kemi shitur dhe breket!!!

  3. Dori says:

    Pervecse paditurise ne fakte dhe analizes femijerore, teoria e Kajsiut tregon formimin e tij. Ka shume njerez qe e mbesjtesin si teori. Pse duhet shteti ti jape leje ndertimi nje ndertuesi? Ta marre token, te ndertoje vete, ta shese lire dhe te kenaqet popullsia…
    Komunizmi paska qene ves i keq, del vetem me shpirtin

  4. Surrel ,Lagja:"Kristaq Rama". says:

    Rama biri i skluptor efendiko Kristaq Rames do inventoj bateri me permbajtje uraniumi qe te mos na iki korendi…bateri me dat skadence 2099…Ftohja Globale do iki nashi…Rezervat ose depot me drog i kemi plot…”Drog do pijm por te huajve nuk i gjunjezohemi”… Ska me nashi kiu fiu …Shqipetaret jane te bashkuar nashi vllare… Te huajt na kane gizili… nuk kemi frik se po na thahen rezervatet me ujra te zeza… Te gjith ne kemb si nje trup i vetem ,me njeren dore kazmen dhe me tjetren kallepin e hashashit ti bejm ball dhe byth Natyres Diktatoriale ashtu sic e ka zakon Shqiptari… Kur te fitojme do te na kushtojne nje film”Drogaxhinjt e netve te gjata”…

  5. Vranakonti says:

    Nje shkrim shume i mire per t’u mare ne konsiderate edhe nag qeveria.

  6. Ekspert i fushes says:

    Eshte vertet komedi ,jep mend per reformen ne sektorin energjitik nje lloj analisti qe nuk e di as vete se cfare specialisti apo ciles fushe i sherben.Eshte fatkeqesi per kete vend kur edhe te rinj ne moshe si ky Kajsiu(qe na del specialist per gjithcka),kthejne syte nga shtetezimi i ekonomise apo industrive utilitare(energji elektrike,nafte e gaz) duke na sjelle si shembull ekonomite me te korruptuara,si ato te Amerikes Latine,Brazil e Kolumbi).Nuk e di akoma ky zoteria se cfare perfqeson ne fakt Petrobras?Se pari ajo eshte nje shoqeri aksionere ku 52 per qind te aksioneve i ka Qeveria Braziliane dhe pjesen tjeter sektori privat,pra kemi te bejme me kapital mix,shtet/privat.Se dyti Petrobrasi ne 10 vjecarin e fundit eshte karakterizuar nga disa skandale,sidomos ai i vitit 2014,ku ishinperziere interesa private e politike.Zoti Kajsiu,liberalizimi i tregut te energjise,duke mbajtur nen kontroll apo duke rregulluar tregun familjar eshte zgjidhja e problemit e shoqeruar kjo me diversifikimin e burimeve energjitike,pra burimet ujore,eolike,diellore e te gazit natyror.Vetem keshtu mund te perfitoje Shqiperia nga pozicioni gjeografik ne te cilin ndodhet,sidomos me prezencen e TAP-it ne funksion te plote aktualisht ne vendin tone.

    1. Illyria-Shqiperia says:

      Lexove gje ti qe thoshte 100% shteterore. Aksioni 51% (pakrta e arte ndryshe) duhet te jete e shtetit, pjesa tjeter te qsrkulloje ne bursen boterore mundesisht. Kete thote Kajsiu, qe nbetet duke paragjykuar pa lexuar

  7. timo says:

    Ne qofte se nje vend nuk ka nje strategji industriale si ne rastin e mesiperm ne ate te energjise pa dyshim qe gjendja do jete kjo qe eshte.
    Ky lloj administrimi qe eshte bere ne keto vite ne kete sektor i ka lene rruge te lire korrupsionit masiv ne kurriz te pasurise kombetare.
    Nje shembull tjeter i mire eshte Statoil kompania shteterore Norvegjese qe konkurron ne te gjitha tregjet boterore ku bilanci i saj eshte publik dhe fitimet e saja investohen ne ndertimet e infrastrukturave te nevojshme per banoret norvegjeze dhe ne shendrrimin e tyre ne green energy.
    Ketu tek ne eshte lozur me pasurine kombetare ne interes te disa grupimeve te afeerta me politiken. Kontrolli i shtetit nuk ben asgje tjeter vec merr pjesen (rrushvetin) qe i takon dhe mbyll syte . Mos harrojme qe ne jemi dhe vendi qe korrupsionin e kemi ne ADN tone .

  8. Njeres pa (qe sduan)pune says:

    Zoti “Ekspert..” gazetari mund te mos jete i fushes, dhe seshte e thene qe te jesh i fushes per te dhene nje ide se si mund te zgjidhet nje krize, ..detajet i dine specialistet .Problemi eshte kur diskutohet me menyra absolutiste, o keshtu, o ashtu…rruge te mesme ska. Edhe une nuk jam soecialist por me ate eksperiencen e jetes time, duke jetuar te dyja periudhat para e pas-90 es , mendoj se nuk eshte tragjedi nacionalizimi i ndonje aseti kombetar si ne kete rast energia apo mineralet, duke pare qe privati nuk e ngriti ne nje sukses te papare, perkundrazi , duke pasur parasysh dhe dimensioni e vendit tone te vogel ….nje shembull i thjeshte i privatizmit (qe ska lidhje me problemin ne fjale per privatizim mbetet) : administrimi i mbeturinave ne qytetet tona eshte ndare me te ashtuquajturin “tender ” dhe eshte shume i dobet, dhe nga ana tjeter, nuk ke kujt ti ankohesh. Ky sherbim dhe disa sherbime te tjera duhet te centralizohen absolutisht, keshtu te pakten dihet ku nuk fonksionon problemi dhe eshte me i zgjidhshem se me nje privat qe shpesh here, ose gjithmone eshte i lidhur me keyebashkiaket…..qe ta mbyll, ideja e shtetezimit te disa pasurive dhe administrimit nga ana e shtetit, si dhe centralizimi i disa sherbimeve qytetare , e perseris, duke pasur parasysh permasat e vendit tone, shkallen e larte te korruptivitetit , dhe shkallen tone te zhvillimit, duhen bere ne menyre urgjente. Ne nuk jemi Zvicer (dhe veshtire te behemi ndonje dite) , ne kete faze zhvillimi kemi nevoje per kete gje qe quhet RREGULL, ose asistence te shtetit…..me vone liberalizimi vin vetvetiu, por asnjehere i sforcuar

  9. Eksperti Fushes says:

    Ti njeriu pa pune,nuk ka rendesi permasat apo madhesia e nje shteti,per te gjykuar mbi efektin e privatizimit te aseteve publike,sidomos ato qe u takojne sherbimeve te domosdoshme,si energji elektrike e uje.Administrimi i nje prone private eshte vertetuar se ka rentabilitet me te larte ndaj asaj publike,kete e ka treguar edhe krahasimi i dy sistemeve,kapitalist e socialist si dhe diferenca e theksuar e zhvillimit te vendeve kapitaliste ndaj atyre socialiste.Kjo duket ne plotesimin e nevojave te tregut dhe rritjen e nivelit te konsumit ,familjar e industrial. Por elementi i rendesishem eshte privatizimi i aseteve shteterore te apo publike.Asje vend nuk ka ndjekur privatizimin e sektorit energjitik (qe eshte sektori me strategjik i ekonomise) rrugen e ndjekur nga Shqiperia keto 30 vjet demokraci.Ne te gjitha vendet e lindjes idustria e energjitike ishte ne duart e shtetit,por ku jane sot vende si Gjermania Lindore,Polonia,Cekia,Vendet Balltike e deri tek fqinjet tane Rumani e Bullgari.Qeverite e ketyre vendeve nuk bene privatizim per privatizim,por synuan e siguruan terheqjen e investitoreve strategjike per zhvillimin e sektorita e energjitik,duke rregulluar tregun per konsumatoret ne nevoje e ata familjare.Zhvillimi i burimeve gjeneruese e diversifikimi i tyre ishte ne vemendjen kryesore te qeverive te ketyre vendeve,jo si qeverite tona qe privatizuan per te privatizuar,pa sjelle zhvillim te aseteve te sektoreve apo pa u kujtuar per diversifikim te burimeve.Duhet te lusim zotin,qe qeverte tona zorzope nuk privatizuan Kaskaden e Drinit dhe qe keta te fundit u kujtuan per HEC-in e Skavices.

  10. iksi says:

    Po pse more gazetare paskeni frike te thoni te verteten dhe ato çka jane ne interesa te popullit dhe jo te hajduterve dhe krimineleve . Ju te gjitha medjat po te jeni te sinqerta i mbushni menden qeverive per te ndryshu ndonje gje qe eshte bere gabim . Une qe nuk kam asnje dritare ku te flas vetem ne keto komente ka kohe qe kam thene keto gjera si : Te anullohen privatizimet e sektoreve strategjik si minjerat , nafta , pyjet , ujrat ti kalojne perseri shtetit . Po pse te kesh frik se po te akuzojne si komunist po ti duhet te jesh ne gjendje tu argumentosh . Ja p.sh – Rendi e qetesia a ka qene me mire atehere – po . Shendetesia a ka qene falas pra me mire – po . -Arsimi a ka qene me mire dhe falas -po . Industria e nxjerrj se mineraleve dhe naftes , a ka qene me mire , —- po . Pò bujqesia a ka qene me mire -po . Keto pse keni frike ti thoni . Atehere ç ‘ mut qenka me mire sot pse keni frike ti thoni . Po shume me mire kemi sot lirine e fjales qe rrime duke u share dite nate si p.sh ata ne parlament qe çfare nuk i thone njeri tjetrit duke u share edhe me liber shpie dhe ne darke hajne pine bashke dhe ndajne fitimet ditore . Po shume mire e kemi sot vjedhjet dhe shkatrrimin e vendit nga drejtuesat e sotem .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje