BMC Public Health ka publikuar një studim të gjatë lidhur me imunizimin e fëmijëve në Shqipëri që ka pësuar rënie për shkak të besimit ndaj vaksinës.
Studimi është ndalur te raporti midis nënës dhe fëmijës në lidhje me vendndodhjen dhe prapavijën socio-ekonomike.
BMC Public Health është një revistë me akses të hapur.
Kjo e fundit merr në konsideratë artikuj mbi epidemiologjinë e sëmundjeve dhe kuptimin e të gjitha aspekteve të shëndetit publik.
“Imunizimi”, nënvizon studimi i BMC-së, “është një ndërhyrje me kosto të lartë të shëndetit publik”.
Sfida globale, sipas saj, mbetet “ruajtja e një niveli të lartë të besimit të publikut ndaj vaksinave dhe programeve të imunizimit”.
Besimi ndaj vaksinës lidhet me një sërë faktorësh. Efektiviteti apo siguria e vaksinave, besueshmëria e sistemit të ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe kompetencat e profesionistëve shëndetësorë.
Në një anketë të kryer në 18 shtete evropiane mbi qëndrimet dhe sjelljet e prindërve në lidhje me imunizimin e fëmijëve të tyre, 20% e prindërve vonuan vaksinimin dhe 12% e tyre e refuzuan atë.
Ndërsa 24% e prindërve e identifikuan veten si disi hezitues dhe 4% si shumë hezitues.
Imunizimi i fëmijëve në Shqipëri
Vaksinimi i detyrueshëm i foshnjave të moshës 12-23 muajsh në Shqipëri përfshin vaksinat BCG (Bacillus Calmette-Guérin) dhe hepatitin B në lindje, tre doza vaksinë kundër difterisë, kollës së mirë, tetanozit, hepatitit B, Hemofilus tipi B.
Për foshnjat 24-35 muajsh, imunizimi shtesë i detyrueshëm përbëhet nga doza përforcuese të DTP dhe poliomielitit në moshën 2 vjeçare.
Shqipëria po përballet me zvogëlimin e mbulimit të imunizimit të fëmijëve pavarësisht nga rritja ekonomike dhe sigurimi universal shëndetësor.
Përqindja e fëmijëve me dozë zero (fëmijë që nuk morën kurrë asnjë vaksinë) ishte nën 1% në vitin 2017-18 njësoj si në vitet 2008-2009.
Megjithatë, mbulimi bazë i vaksinimit në fëmijët 12-23 muajsh ra nga 94% në 2008-2009 në 75% në vitin 2017–2018.
Besimi ndaj vaksinës
Besimi ndaj vaksinës midis nënave ishte në 92.9% dhe kishte modele të ngjashme gjeografike me periudhën e vaksinimit.
Nënat që përdorin internetin/mediat sociale si burimin kryesor të informacionit shëndetësor kishin 56% shanse më të ulëta të besimit ndaj vaksinës, në krahasim me nënat që raportuan burime të tjera kryesore të informacionit shëndetësor.
Nënat beqare kishin 92% shanse më të ulëta të besimit ndaj vaksinës në krahasim me ato që janë të martuara/jetojnë me një partner.
Në lidhje me etnitë, nënat (kryesisht rome) kishin 61% shanse më të ulëta të besimit ndaj vaksinës në krahasim me nënat e përkatësisë etnike shqiptare.
Ato nëna që jetonin në Jug të Shqipërisë kishin 67% shanse më të ulëta të besimit ndaj vaksinës në krahasim me nënat që jetonin Veri.
Imunizimi i fëmijëve
Nga vlerësimet e studimit të BMC-së më shumë se tre të katërtat e nënave i përmbaheshin afateve të imunizimit të fëmijërisë në Shqipëri.
Një në pesë nëna raportoi një vonesë të imunizimit dhe një në gati 80 nëna refuzoi vaksinën.
Vonesat në imunizimin e fëmijërisë lidhen kryesisht me sëmundje të mundshme të fëmijës në kohën e vaksinimit.
Ndërsa arsye të tjera përfshinin mungesën e kohës, dyshimet për sigurinë e vaksinës dhe shqetësimet për efektet anësore.
Shqetësimet për sigurinë e vaksinës dhe efektet anësore ishin arsyeja më e shpeshtë e raportuar për refuzimin e vaksinës.
Më tej, nënat pa arsim kishin shanse më të ulëta të imunizimit të fëmijërisë në kohë në krahasim me ato që kishin përfunduar arsimin e lartë.
Më shumë se nëntë nga dhjetë nëna kishin besim në imunizimin e fëmijëve.
Sondazhi i besimit ndaj vaksinës në 18 shtete evropiane vlerësoi se 80% e prindërve nuk e kanë refuzuar dhe nuk e kanë vonuar imunizimin e fëmijërisë për arsye të tjera përveç sëmundjes ose alergjisë, përkatësisht.
Kjo masë është e ngjashme me vlerësimin tonë të besimit ndaj vaksinës për Shqipërinë.
Online/tradicionale
Përfundimi i studimit nxjerr në pah se koha më e ulët e imunizimit ishte e lidhur me përdorimin e internetit/mediave sociale si burimi kryesor i informacionit shëndetësor.
Besimi ndaj vaksinës ishte relativisht më i ulët tek nënat që përdorin internetin/mediat sociale si burimin kryesor të informacionit shëndetësor.
Implikimet e shëndetit publik janë se përforcimi i komunikimit online të bazuar në prova shkencore për imunizimin e fëmijërisë do të ishte e dobishme në përmirësimin e kohës së imunizimit dhe besimit ndaj vaksinave në Shqipëri.
Meqenëse prindërit shqiptarë priren të kërkojnë në internet informacione që do të konfirmonin bindjet e tyre origjinale, duhet të mbështeten mënyrat tradicionale të promovimit të vaksinimit.
Kjo, për të synuar pabarazitë në afatet kohore të imunizimit të fëmijërisë dhe besimin te vaksinat në Shqipëri.