Nga Prof.dr. Perikli Qiriazi
Duke marrë shkas nga helmimi i rreth 600 banorëve të Krujës të të gjitha moshave, të cilësuar nga Z. Dritan Ulqinaku, nëndrejtori i ISHP-së, si epidemi hidrike, me përgjegjës Ujësjellsin e Krujës, do të desha të shtronja disa probleme ndryshe nga sa u tha në media apo specialistët e intervistuar prej saj. Ky helmim, që nuk është i pari, apo i vetmi, ndodhi në Krujë, por mund të ndodhë kudo në vendin tonë, në të gjitha qendrat e banuara. Ndaj, ky problem urgjent dhe me pasoja të mëdha shëndetësore duhet trajtuar në gjithë tërrësinë e vetë nga specialistët dhe studiues të fushave të ndryshme.
Së pari, duhet parë sa e përshtatshme është mbështetja ligjore për studimin e rezervave ujore; për përgatitjen e projektit dhe miratimin e tij; ndërtimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të ujësjellsave, kontrollin e vazhdueshëm të këtij sistemi etj. Kam bindjen se kjo mbështetje ligjore për këtë problem të madh dhe jetësor ka mangësi të shumta. Ndaj, ka abuzime të mëdha në kostot dhe cilësinë e ndërtimit, funksionimit dhe mirëmbajtjes. Janë të shpeshta rastet kur, edhe pasi shpenzohen shuma të mëdha për ndërtimin, në çezmat e banorëve nuk vjen asnjë pikë ujë apo edhe kur uji vjen është tejet i ndotur, duke krijuar epidemi hidrike dhe duke e rënduar edhe më tej krizën e ujit etj.
Edhe pse kriza e egër globale e ujit në botë ka kohë që vepron edhe në vendin tonë, tek ne uji nuk është shpallur “element strategjik” dhe zgjidhja e krizës si “përparësi strategjike”. Janë hartuar vazhdimisht strategji dhe programe për zgjidhjen e problemit të madh të ujit. Por, për shkak të mungesës së bazës së plotë ligjore, nivelit të ulët të këtyre dokumenteve bazë, të përgatitura më tepër nga amatorë dhe jo nga grupe specialistësh dhe studiuesish; për shkak të mos zbatimit të ligjeve egzistuese etj, kriza e ujit, në kushtet e ngrohjes gloobale të klimës, të shoqëruar me thatësira të shpeshta, të theksuara dhe të tejzgjatura, që prekin rezervat tona ujore, tek ne, si në shumë rajone të botës, po acarohet dhe po bëhet shumë më e egër.
Asnjëherë nuk janë zbatuar plotësisht vendimet e Samiteve Ndërkombëtare për masat e zvogëlimit të ritmeve të ngrohjes globale të klimës. Me siguri këtë fat do të kenë edhe vendimet e Konferencës së fundit për Klimën Cop26 Glaskow. Kriza globale e ujit do të ashpërsohet më tej: mbi 3,5 miliardë njerëz do të vazhdojnë të konsumojnë çdo ditë ujë të rrezikshëm; çdo vit do të vazhdojnë të vdesin mbi 2,2 milion njerëz, kryesisht fëmijë deri 5 vjet, nga konsumi i ujit të ndotur. Kjo krizë po acaron krizën e ushqimit, duke shkaktuar valë milionshe refugjatësh; rritje të tensionneve sociale dhe të konflikteve, deri në luftra të armatosura. Ekspertët e gjeopolitikës theksojnë se “… konfliktet kryesore të shek. XXI do të jenë në rradhë të parë për ujin…”. Këto dhe shumë të tjera janë këmbana alarmi, që, për fat të keq, nuk po dëgjohen as nga politika dhe as nga pushtetarët tanë. Shtojmë se kriza botërore e ujit është një problem i madh, që kërkon studime dhe analiza të detajuara, të thella dhe shumëplanëshe. Këtu u përmënd për të treguar se sa urgjent është problemi i ujit në vendin tonë.
Së dyti, projekti dhe zbatimi i tij nuk paraprihen nga studime të detajuara të gjithë territorit ujëmbledhës të burimit nga mendohet se do të merret uji dhe i territorit mbi të cilin do të vendosen tubat e ujit, depot etj. Këto studime duhet të venë theksin në ndërtimin gjeologjik, në tiparet hidrogjeologjike, gjeomorfologjike, klimatike, hidrologjike, veshjen bimore. Për të vazhduar me analiza të detajuara të përdorimit të këtij territori për qëllime bujqësore dhe blegtorale, përdorimin e kimikateve, shpërndarjen e stallave, punishteve të qumshtit apo mishit, vendosjen e aktiviteteve ndotëse industriale, qendrave të banuara dhe turistike dhe në mënyrë të veçantë trajtimi i ujërave të zeza dhe mbetjeve urbane, bujqësore e industriale etj.
Këto studime janë të nevojshme për të gjitha llojet apo tipet e formacioneve gjeologjike që ndërtojnë territorin, por në mënyrë të veçantë ato janë urgjente për territoret karstike, të përbëra nga shkëmbinj të tretëshëm, si gëlqerorë, gjipse, anhidrite, kripë guri, dolomite etj. Në këto territore zhvillohen intensivisht proceset karstike, si pasojë e të cilave janë krijuar forma të shumta spërfaqësore, si: gropa, puse, hinka, ponore uvala deri fusha karstike etj, të gjitha të mbyllura, pa burime uji dhe rrjedhje në sipërfaqe. Sepse, uji humbet me shpejtësi në ponoret ose vrimat e shumta thithëse. Ky ujë vazhdon në thellësi aktivitetin e tij tretës, duke krijuar forma të shumta karstike nëntokësore, që përbëjnë një rrjet apo labirinthe të tërë boshllëqesh, kanalesh, zgavrash, korridoresh, shpellash të mëdha etj. Kjo e bën brendësinë e zonave karstikë rezervuarë të mëdhenj uji, që del në sipërfaqe në formën e burimeve të mëdha karstike në kontaktin midis formacioneve të përshkueshme karstike dhe argjilave e formacioneve të tjera të papërshkueshme (Syri i Kaltër, Drilonit e shumë të tjerë).
Nga rezervat tona të përgjithshëme të shfrytëzueshme të ujit prej 7km3/vit, 68 % e tyre përbëhet nga ujërat karstike, që arrijnë 4.8 km3 ujë në vit ose 352 m3/sek. Prej këtyre ujërave karstike shfrytëzohen vetëm 3.3 m3/sek, ose 2 % e tyre.
Pa u zgjatur me të dhënat mbi rezervat e mëdha të ujit të pijshëm në vendin tonë, rezutat i studimeve të detajuara dhe të thelluara të hidrogjeologëve tanë, do të theksonim vetëm disa konkluzione të shpejta: megjithëse rezervat totale të shfrytëzueshme të ujit janë shumë të mëdha, përsëri shkalla e shfrytëzimit është ende e vogël, ne ujin e kemi me orar në çezmat tona; shpërndarja gjeografike e pabarabartë, që nuk përputhet me përqendrimet më të mëdha të popullsisë dhe të kërkesave për ujë, regjimi i çrregullt i prurjeve; probleme me mënyrën e shfrytëzimit dhe sidomos me ndotjen e madhe të ujit
Po le të ndalemi tek problem i madh i ndotjes së ujit të pijshmëm. Kjo ndotje ka ndodhur shumë shpesh, anë e mbanë vendit. Por më të shpeshta, më të rrezikshme dhe me më shumë probleme, si thamë më lart, janë në territoret e ndërtuara nga formacionet karstike. Për këtë le t’i drejtohemi figurës së mëposhtëme. Si shihet, të gjitha ujërat e ndotura nga aktiviteti jetësor dhe prodhues human departon në të çarat dhe boshllëqet karstike në thellësi të zonës, duke i ndotur rezervat ujit nëntokësor dhe burimet. Qarkullimi i ujërave nëntokësore karstike është tepër i ndërlikuar, sa ndodh shpesh që pellgu ujëmbledhës sipërfaqësor nuk përputhet me atë nëntokësor hidrogjeologjik. Ndaj, edhe pse objekti ndotës (stalla etj) mund të ndërtohet në shpatin tjetër të kodrës apo malit, uji i tij i ndotur mund të vijë edhe në rrëzë të shpatit tjetër ku ndodhen burimet, uji të cilëve merret për të furnizuar qendrat e banuara me ujë të pijshëm.
Por çfarë po ndodh tek ne?
Pa kurfarë kontrolli, kudo në territoret e pellgut ujëmbledhës së burimeve ujore janë ndërtuar stalla, stane, baxho të përpunimit të qumshtit etj; në zgavrat, puset karstike hidhen vazhdimish mbetje, plehra të rrezikshme, kafshë të ngordhura, madje esdhe materiale ushtarake të skaduara, deri bateri tepër ndotëse, të cilat ne i kemi gjetur gjatë eksplorimeve speleologjike në Malin me Gropa (shih foton). Theksoj se pas qarkullimit nëntokësor, uji i ndotur prej tyre, del në burimet, të cilët të cilësuar si të pastër nga analizat që kryhen vetëm njëherë, apo tepër të rralla, furnizon ujësjellësit. Edhe Tirana merr ujë nga burimet e Shën Mërisë dhe Selitës, që e sigurojnë ujin nga Mali me Gropa, ku, si thamë, ka aktivitet ndotës human, madje edhe materiale ushtarake të hedhura pa përgjegjësi në zgavrat dhe puset e shumta karstike. Së bashku me ujin ne pimë edhe këta ndotës tepër të rrezikshëm.
Edhe në rastin e fundit të ndotjes së ujit në ujësjellsin e Krujës ka ndodhur e njëjta gjë. Uji, pa kurfarë studimi, është marrë nga zona karstike e vargut malor Krujë-Dajt, ku eksplorimet speleologjike kanë zbuluar shumë shpella karstike, që tregojnë për një karst tepër të zhvilluar dhe aktiv. Për pasojë të ndotjet sipërfaqësore humane, gjatë shirrave që paraprinë epidemin hidrike, depërtuan në thellësi dhe ndotën ujin e burimit, apo hynë në tubacionet e çarë të ujësjellsit. Pasoja tashmë dihen.
Zgjidhjen e këtij problemi e japin studimet e detajuara hidrogjeologjike dhe gjeomorfologjike. Në territorin që mendohet se përbën pellgun ujëmbledhës të burimit hidhen ngjyryes apo lëndë të tjera jo të rrezikshme por që i rezistojnë shpërbërjes në ujë. Në burimet përreth këtij territor organizohen vrojtime për të parë daljen e këtyre ngjyruesve. Përcaktohet kështu rruga e bërë nga uji dhe, duke i lidhur pikat me njera-tjetrën, gjendet shtrirja e pellgut nëntokësor të burimit. Ky pellg dhe territori ku kalon tubi ujësjellës konturohet dhe shpallet zonë rreptësisht e mbrojtur, në të cilin ndalohen me ligj aktivitetet ndotëse humane, deri tek kullotja e bagëtive, ngritja e staneve etj; kontrollohet prania e njeriut etj. Mund të lejohet vetëm kositja e barit, mbledhja e bimëve mjekësore ose ndonjë aktivitet tjetër i përkohshëm dhe jo ndotës etj.
Brenda kuadrit të një artikulli, u munduam të parashtronim vetëm disa probleme të shkaqeve të ndotjes së ujit të pijshëm. Shpresojmë që konkluzionet tona të merren në konsideratë nga insitucionet përgjegjëse për furnizimin e popullsisë me ujë të pastërt dhe të mjaftueshëm, duke plotësuar kështu një nga të drejtat tona kushtetuese.
Mire e ke ti o zotri, po shqiptari nuk i kupton e as i zbaton ato kerkesa. Shqiptari do vetem te haje e te dhjese ku te mund. Malet, perrenjte, lumenjte, qytetet gjithcka eshte ndotur. Eshte ceshtje kulture. Mere kafshen beje njeri, nuk arrihet kollaj.
E di pse o profesor Qiriazi nuk behet asgje per sistemin e ujit te pishem ne Shqiperi, sepse, sipas mendimin tim, por dhe te fakte e qe vijne nga kontrollet e bera neper drejtorite e ujesjellesave, abuzimet jane shume shume te medha, dhe nderkohe drejtoret e tyre behen milionere. Abuzojne me fondet duke mos i cuar ne destinacion te sistemet e ujesjellesit, por ne xhepat e tyre. Nuk behen investime ose behen shkel e shko.
Mungon kontrolli nga bashkise qe jane pergjegjese per ti kontrolluar keto ndermarrje.