Sot mbi 1.2 milionë votues pritet të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave. Në 21 komuna janë 42 kandidatë që garuan edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe sot i mbetet votuesve të vendosin për të parin e komunës së tyre për një mandat katër vjeçar.
Ata do të kenë mundësinë të votojnë në 575 qendra të votimit me 1,638 vendvotime. Në të gjitha komunat ku do të ketë garë të dytë për të zgjedhur të parin e komunës, janë 114 ekipe lëvizëse të cilët do t’iu mundësojnë qytetarëve votimin.
Po ashtu, Zyra për Regjistrimin e Partive Politike në KQZ ka bërë të ditur se raundin e dytë të zgjedhjeve do ta monitorojnë mbi 10 mijë vëzhgues. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar mbi 1500 pako me fletëvotime. Procesi i pranimit të votave nga diaspora ka përfunduar dhe vlerësimi i tyre do të fillojë sot.
Procesi i votimit do të zgjasë deri në orën 19.00 dhe pak orë pas mbylljes së votimeve priten rezultatet përfundimtare.