Grekët harrojnë “Megali Idea-n” dhe shqetësohen nga deklarata e Ramës: Bashkimi Shqipëri-Kosovë, një makth për Ballkanin

22 Nëntor 2021, 10:30Rajoni TEMA

Gazetari grek Stavros Tzimas i ka kushtuar një analizë të gjatë deklaratave të shtetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë për bashkim. Duke harruar në fakt idenë e famshme që shkaktoi mijëra viktima në Ballkan, “Megali Idea-n”, Tzimas shprehet i shqetësuar në shkrimin e tij në “Kathimerini” për një bashkëpunim mes shqiptarëve, gjë e cila sipas tij do të hapë Kutinë e Pandorës.

Në fakt, të parët që kanë folur për shtete të mëdha në Ballkan kanë qenë grekët me “Megali Idea-n” dhe serbët me “Naçertanian”, dy ide që kanë larë rajonin në gjak për dekada me radhë.

Nga Stavros Tzimas, “Kathimerini”

“Me deklaratat e tij të fundit, ku ai e përcakton bashkimin e Shqipërisë me Kosovën në Shqipërinë e Madhe si synimin kryesor të karrierës së tij politike, kryeministri shqiptar Edi Rama ka hapur kapakun e Kutisë së Pandorës të “Ideve të Mëdha” e të rrezikshme ballkanike.

Reagimi i një “të madhi” tjetër në Ballkan, Beogradit, ishte shumë i shpejtë. Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, thotë se bashkimi serb është “e vetmja pengesë për një Shqipëri të Madhe”.

Dhe pas Beogradit ishte Kremlini, ai që i “tregoi dhëmbët” Ramës dhe Perëndimit duke përshëndetur “nismat humanitare të Beogradit për popullin serb”, pra idenë e “Serbisë së Madhe”. Siç thonë shpeshherë serbët:”Ju nuk mund t’ua ndaloni serbëve, atë që u lejoni shqiptarëve”. Sipas kësaj logjike, ata që heshtin ndaj deklaratave të Ramës për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, duhet të heshtin kur ne serbët flasim për “botën serbe”.

Shqiptarët dhe serbët i kanë testuar “ujërat” gjatë çdo rasti që kanë pasur në dorë kohët e fundit, duke pritur me padurim riorganizimin e ardhshme të kufijve ballkanikë, përmes të cilëve do të arrijnë integrimin e tyre kombëtar të shumëdëshiruar, nëpërmjet integrimit në një lloj shtëpie të përbashkët kombëtare të vëllezërve të tyre etnikë që kanë mbetur “të bllokuar” në shtetet fqinje, pasi dolën nga Luftërat e përgjakshme Jugosllave, dhe nga shembja e bllokut komunist lindor.

Nacionalizmi bullgar nuk është shumë prapa tyre, duke ringjallur pretendimet historike kundër Maqedonisë së Veriut. Kroacia po pret shansin të zgjerohet në rastin e  riorganizimit të kufijve, me synimin për të rrëmbyer disa territore nga Bosnje Hercegovina.

Nuk është hera e parë që Edi Rama flet për një bashkim të shqiptarëve, siç kanë folur gjithmonë paraardhësit e tij në Tiranë dhe Prishtinë. As irredentizmi serb nuk i ka braktisur ëndrrat e tij për dominim mbi sllavët e Ballkanit, dhe as nacionalizmi bullgar nuk ka reshtur asnjëherë së ëndërruari për një Traktat të ri të Shën Stefanit (i nënshkruar në vitin 1878 midis Perandorive Ruse dhe Osmane, dhe që parashikonte një Bullgari shumë më të madhe sesa kufijtë e saj  aktualë).

Idetë e irredentizmit kanë ekzistuar gjithmonë në Ballkan, duke dalë në sipërfaqe sa herë që e lejojnë rrethanat historike dhe ato gjeopolitike. Ne do të donim të besonim se me fundin e Luftërave Jugosllave, kur kombet masakruan njëri-tjetrin për të krijuar shtetet e tyre dhe u përballën me ndërhyrje nga jashtë, edhe nacionalizmi është zbutur.

Heqja graduale e kufijve përmes integrimit të premtuar në Bashkimin Evropian, ishte pjesë e strategjisë së Perëndimit për të konsoliduar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për të krijuar një zonë të sigurt ndikimi në korridorin tokësor nga Adriatik në Detin e Zi.

Por “prushi” i nacionalizmit digjet ende nën sipërfaqe, dhe përdoret herë pas here nga lojtarë të fuqishëm ose nga ata “dashakeqë”, siç u shpreh së fundmi presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski në një intervistë për “Kathimerini”,për të çuar përpara interesat e tyre.

A mos po i ndjejnë “kryepriftërinjtë” e irredentizmit ballkanik, problemet që po vijnë, prandaj po nxitojnë të zbatojnë axhendën e tyre?Shumë analistë e shohin të afërt rrezikun e rrënimit të gjithë statuskuosë së pasluftës në rajon, e cila do të sillte pasoja të tmerrshme.

Ish-ambasadori i SHBA-së në Beograd, Ëilliam Montgomery (ai që udhëhoqi fushatën për rrëzimin e Slobodan Milosevic në vitin 2000), shprehu për televizionin shtetëror kroat kohët e  fundmi frikën e tij se në Ballkan mund të shpërthejnë konflikte të reja, sepse siç tha ai, asnjë nga problemet nuk është zgjidhur, duke paralajmëruar se zona nuk është më një prioritet për politikën e jashtme amerikane.

Ky fakt, zbehja graduale e interesit të SHBA-së në rajon, në emër të prioriteteve të tjera gjeopolitike – Paqësorit, Kinës, dhe Azisë Lindore në përgjithësi – është shumë drithërues.

Ishin amerikanët ata që imponuan hartën ballkanike të pasluftës civile, dhe po ata mbeten garantuesit e marrëveshjeve që mbështesin paqen dhe stabilitetin aktual në rajon.

I pëlqen apo jo dikujt, SHBA-ja është fuqia dominuese në rajon, dhe mungesa e saj do të krijojë një boshllëk të rrezikshëm pushteti, që do të çlirojë forcat centrifugale nacionaliste dhe irredentiste, që janë mjaftueshëm të fuqishme për ta zhytur në kaos rajonin.

Diplomatët dhe politikanët po përpiqen me ankth të imagjinojnë të nesërmen e Ballkanit, pa dorën e fuqishme të SHBA-së që garanton paqen, stabilitetin dhe ruan aleancat gjeopolitike. Deri vonë, përgjigja mund të ishte:Amerikanët po largohen, por po vijnë francezët, gjermanët dhe Bashkimi Evropian.

Por kjo parullë nuk vlen më. Shoqëritë e Ballkanit Perëndimor duket se e kanë humbur besimin tek Evropa. Fuqitë e Bashkimit Evropian po angazhohen secila në lojën e tyre të fshehtë, për të çuar përpara interesat e tyre shtetërore dhe ekonomike.

Mosgatishmëria e Brukselit për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të kandidatëve, e ka përhapur zhgënjimin tek njerëzit, të cilët ndjejnë se evropianët po i mashtrojnë. Si udhëheqësit pro-evropianë, ashtu edhe qytetarëve i është sosur durimi.

Në një rast, presidenti francez Emmanuel Macron bllokoi negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që të bënte pazare me Berlinin. Në një rast tjetër, Greqia ose Bullgaria i ndaluan ato për shkak të konflikteve historike.

Edhe kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel, që e kishte trumbetuar aq shumë strategjinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, i dha një goditje pas shpine në samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor në Lubjanë, duke e bllokuar propozimin e presidencës sllovene për të përcaktuar vitin 2030, si një datë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit.

Tani në vendet e Ballkanit Perëndimor, dominon besimi se “ata nuk na duan”.“Shtetet e Bashkuara nuk janë aq të pranishme në rajon, ato kanë prioritete të tjera globale, dhe evropianët janë shumë rrallë të bashkuar për shumë çështje. Perspektiva evropiane po e humbet joshjen e saj, dhe gjithnjë e më shumë njerëz në zonë po kërkojnë alternativa të tjera”-paralajmëroi Pendarovski, duke aluduar për propozimin rus që po përhapet në Ballkan, për t’u anëtarësuar në Unionin Euroaziatik, të drejtuar nga Moska.

Nën një atmosferë ankthi për të nesërmen në një Ballkan pa amerikanët, po shtohen zërat për një hartë të re kufitare, për të ndihmuar në zgjidhjen njëherë e mirë të 3 çështjeve historike “të nxehta” të rajonit (atyre shqiptare, maqedonase dhe serbe).

Nuk është rastësi që një dokument jo-zyrtar, që i atribuohet kryeministrit slloven Janez, qarkulloi plot bujë pranverën e këtij viti në qarqet diplomatike dhe mediat në Ballkanin Perëndimor. Një ndër propozimet e saj ishte “ndarja paqësore” e Bosnjes, me Kroacinë dhe Serbinë që do të aneksonin territore etnikisht homogjene, bashkimin e Shqipërisë me Kosovës, dhe autonomi për Kosovën Veriore të kontrolluar nga serbët.

“Ndryshimi i kufijve do të hapte kutinë e Pandorës”- tha përfaqësuesi i lartë i atëhershëm për Bosnjën, Valentin Inzko. Po pse është i frikshëm një shkëmbim i ri territorial dhe i popullsisë në Ballkan? E vërteta është se ka shumë vatra konflikti të gatshme të shpërthejnë sërish, sidomos në dy shtete, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, të cilat mbeten të paqëndrueshme, Bosnja më shumë se Kosova.

“Pse të mos bëhet një “transferim paqësor” mes dy qendrave metropolitane, Beogradit dhe Tiranës, dhe të zgjidhet njëherë e mirë çështja serbe dhe ajo shqiptare, duke zbutur nacionalizmin, thotë disa. Së pari, përgjigjen ata që tmerrohen nga kjo perspektivë, sepse përzierja etnike midis popullsive ballkanike, veçanërisht në ish-Jugosllavi, është e tillë që nnjë ndarje është e pamundur, përveç nëse imponohet nga dhuna, siç ndodhi në luftërat jugosllave të viteve 1990, gjë që do të thotë më shumë konflikte dhe më shumë gjakderdhje.

Së dyti, le të supozojmë se shqiptarët dhe serbët do të arrijnë në njëfarë mënyre një marrëveshje. Cili do të jetë rezultati? Serbët do marrin territore nga Bosnja, Kroacia, Kosova dhe Mali i Zi dhe të krijojnë një “Serbi të Madhe”. Homologia e saj do të ishte një “Shqipëri e Madhe”, duke e bashkuar “shtetin amë” me pjesën tjetër të Kosovës, krahinat perëndimore të Maqedonisë së Veriut (Tetova), me pjesë nga Mali i Zi dhe Shqipëria e Jugut dhe natyrisht, Çamëria, një rajon që shtrihet pothuajse tërësisht brenda rajonit grek të Epirit.

Në kundërpërgjigje, Bullgaria do të pretendojë pjesën tjetër të Maqedonisë së Veriut, Kroacia do të pretendojë Hercegovinën, dhe do të kemi në Ballkan 2 shtete të zgjeruara, dhe ku ekuilibri i fuqisë, ku aktualisht nuk dominon asnjë fuqi, do të prishej.

A do të tolerojnë Greqia dhe Turqia rritjen e fqinjëve përreth tyre, apo në rastin e Greqisë, në kurriz të saj? A do të lejojnë interesat evropiane, amerikane dhe ruse një realitet të ri gjeopolitik në Ballkan? Në këtë rast do të hapeshin “dyert e ferrit”, dhe kjo është arsyeja pse njerëzit janë të frikësuar nga perspektiva e tërheqjes së SHBA-së nga rajoni. / abcnews.al

14 komente në “Grekët harrojnë “Megali Idea-n” dhe shqetësohen nga deklarata e Ramës: Bashkimi Shqipëri-Kosovë, një makth për Ballkanin”

  1. Taulant says:

    Keta te Megalidhes jane te terrorrizuar sepse kane pushtuar tokat e Shqiptareve dhe te Bullgareve.

    1. Kalec Dega says:

      Asnje lajm sa det do perfitoi Greqia dhe sa do humbi Rama dhe Shqiperia mbi te gjitha.

    2. IB says:

      Po, dhe harojne kriminelet e EU se se Shqiptaret nuk u ndane vete. Eshte normale bashkimi.

  2. Ceni says:

    Ballkanasit nuk bashkejetojne dot. Kane 1000 vjet ne lufte me njeri tjetrin dhe keshtu do vazhdojne. Lufta eshte ne kulturen e tyre, ne fete e tyre. E vetmja zgjidhje shkembimi teritoreve

    1. Neandertali i shpellave bizantine te mesjetes says:

      Ballkanasit kane lufte qe kur filluan dyndjet sllave, pas shek. te 6-7 , ….popullsia baze e Ballkanit, qe kane qene gjithmone shqipfolesit, u masakrua,u zvogelua dhe shpesh u asimilua nga keta barbare te ardhur nga stepat e largeta….ndersa historia me Greqine moderne eshte nje lufte brenda lloit . , Faktori shqipfoles, qe ishte popullsia
      baze e atyre territoreve , nuk kuptohet perse u luftua ne menyre absurrde….ndoshta ndarja fetare( qe ska pasur kurre rendesi mes shqiptareve) , dhe urrejtja ndaj turkut pushtues, u shfrytezua edhe nga kisha fanatike grekfolese ,per te krijuar nje shtet monoteist, me nje gjuhe te vetme, te imponuar me te gjitha menyrat…..si dhe e mbeshtetur nga nje pjese e Europes, qe ne ate kohe, nuk ja ndjenin shume per popullsine shqiptare, ne trojet e tyre, por donin te luftonin armikun shekullor, jo per aresye fetare sic mendon ndonje i fandaksur 300 € sot ,por thjesht per aresye interesi(si gjithmone) , zgjerim influencash ne Ballkan , sigurisht jo per aresye idealesh, dhe dobesimin e perandorise turke, qe ishte ne momentet e krizes se saj. Si perfundim , popullsia qe u demtua me shume ne kete mes shekujt e fundit, ka qene ajo shqipfolese, sot shqiptare……….paqe perfundimtare ne Ballkan nuk mendoj te kete, ose brezat tane, nuk do ta shohin , pa u zgjidhur ceshtja e tyre. Shteti modern grek, duhet te krijoje nje lidhje “ombelicale ” (kerthize) me shtetin shqiptar dhe ate kosovar, si pjese te te njejtit trup ,(po te jene te zgjuar dhe po te duan me te vertete paqe) dhe jo ti pengoje ato ,duke u bere aleate me sllavet barbare, .Te zgjidhin bashke te drejtat e sejcilit, te gjuheve, te shkollave, me pasterti dhe pa injorance mesjetare bizantine, te zgjidhin bashke problemet e njeri tjetrit, sidomos ato fetare ( qe ska qene kurre problem mes njerezve) , idete percarese dhe ekstremiste….etj etj ..vetem atehere Ballkani do te kete paqe……

      1. Shkodrani says:

        FLM, nuk te ra fjale ne toke.

      2. Fierak says:

        Eshte tamam ashtu.

  3. Taulant says:

    Bullgaria me veton e bllokimit ndaj Maqedonise (e per rjedhoje edhe Shqiperise) kuptohet qe ben lojen e Putinit. BE-ja e di fare mire por nuk e lincon Bullgarine se i pelqen preteksi. Cfare ngelet te behet? Sigurisht bashkimi i Shqiperise me Kosoven nen bekimin e Amerikaneve!!

  4. Salikoqja says:

    Greket jane nen panik, Turqia ju kerkon 25 ishuj dhe per 20 vje ja merr me force, Po ashtu problemi i camerise eshte i hapur, Franca nuk ka kellqe te ndaloje Turqine.

  5. AAA says:

    Nje analize shume è sakte.
    Bulgaria ne menyre absolute eshte duke luajtur lojen e interesave te veta, dhe mire ben.
    Te shohim Shqiperia si do te d’ali nga kjo loje.
    Kam frike se si perhere do pervelohet, pasi ne nuk kemi nje klase politike qe mbi te gjitha te vere interesin kombetar mbi ato vetjak.
    PERVEC ASAJ I KEMI TE GJITHE KUNDER (PERVEC USA)

  6. Genti says:

    Asnjera nga keto s’do te ndodhe.Nacionalistet me thikat ne dhembe dhe me sy te pergjakur presin se kush do e hape i pari kutine e Pandores. Ata qe bertasin me shume kunder “Shqiperise se Madhe” kane mbi 150 vjet qe flene me endrat e tyre te “Medha” per territore e per bashkime. Evropa mbare vuajti keta shekuj nga shovinizmat,irredentizmat dhe nacionalizmat qe u shkaktuan urrejtje dhe lumenj gjaku popujve. Shqiptaret duhet te permbahen dhe duhet te jene te fundit nga etja per bashkim territoresh pasi nuk kane as ekonomi,as ushtri e as aleate qe ti mbeshtesin ne synimet e tyre. Edhe kreret politkike ketej dhe andej kufirit ne Shqiperi,Kosove dhe Maqedoni duhet te mos luajne me zjarrin pasi ne c’do rethane ne do jemi kurbani i kesaj lufte te supozuar per rivendikime kufijsh. Edhe nese ndonje kokshkrete e genjen mendja se do kene Turqine pas genjehen pasi Turqia ka mbi koke Putinin,Kinen dhe vete SHBA-te nese guxojne te nxisin lufte ne Ballkan.Por kam frike se kete loje po luan Erdogan me edrat e tij Neo-Otomane duke shtyre shqiptaret ta hapin me budallekun e ture te zakonshem lojen. Proven gjenerale Erdogan e beri ne konfliktin mes Azerbajxhanit dhe Armenise per rajonin e kontestuar Nagorno -Karabah duke mbeshtetur hapur politikisht dhe ushtarakisht vellezerit e tij Azere. Por e beri pasi mori leje nga Putini dhe se c’fare ka lene ne kembim nuk e dime ende. Turqit nuk marrin gje pa lene dicka. Ashtu ndodhi kur “i semuri i Bosforit” qe te mbronte ate qe i kishte mbetur nga Perandoria Osmane leshoi trojet shqiptare si placke lufte ne favor te shteteve te reja te pavarsuara prej saj e te mbeshtetura nga Evropa dhe sidomos nga Rusia. Ne ate rast fajin e coptimit tone e kishim vete ne shqiptaret qe u muslimanizuam ne shumice dhe lidhem qerren e fatit tone pas qerres Osmane qe na coi ne humnere. Turqia enderron Rumeline por mbi te vigjelon Rusia e cila nuk do lejoje as prekjen me te vogel te kufijve te Greqise dhe sidomos te Serbise por pa harruar Maqedonine e Veriut dhe Bullgarine. Loja me kufijte ne Ballkan eshte mbyllur perhere me shpagim te rende gjaku dhe ne Shqiptaret nuk duhet ta nxisim nje gje te tille biles as qe duhet ta mendojme. Tani per tani imperativ eshte forcimi i shteteve tona perkatese Shqiperi-Kosove dhe garantimi i pozites shtetformuese te popullit shqiptar ne Maqedonine e Veriut me synimin e perbashket Bashkimin Evropian. BE-ja eshte e vetmja alternative paqesor e bashkimit te shqiptareve ne trojet e tyre ne Ballkan. Alternativat e tjera jane vetvrasje. Prandaj eshte mire qe Rama,Kurti,Berisha e kushdo politikan tjeter shqiptar ta kafshoje gjuhen pasi duke bere deklarata te tilla nacionaliste per bashkim (te drejta ose jo) faktikisht bejne lojen e atyre qe duan te na varrosin te gjalle. Shqiptaret duhet te shpallin asnjeanesine nese nuk duan te humbin gjithcka. Keto 20 vjet kemi fituar te pamendueshmen: Kosoven e Pavarur,Shqptaret shtetformues ne Maqedonine e Veriut,Shqiperine,Maqedonine e Veriut dhe Malin e Zi ne Nato dhe me shume mundesi hapjen e negociatave per BE. Per ata qe pretendojne me shume ne kemi nje shprehje”Tahmaja e madhe te le pa gje”. Prandaj o Zot ne ler keshtu si jemi. Kufijte politike mes shqiptarve le te jene ne karta dhe harta por ne ti ulim barrierat mes nesh duke ndertuar rruge, duke bere tregeti te lire dhe gjithcka qe na bashkon. Prandaj edhe “Ballkani i Hapur” e favorizon ose me mire e kamuflon liberalizimin dhe hapjen mes vendeve tona pa nxitur perplasje nderetnike. Nacionalistet Serbe,sllavo-maqedonas dhe ata shqiptare ne kendveshtrime te ndryshme e mallkojne kete nisem por ne fakt dhe me shme gjasa me te fituarit do jemi ne si popull.

    1. Taulant says:

      Rusia do sulmoj dhe do pushtoj Ukrahinen dhe asnje gje nuk ka per te ndodhur.
      Ka mundesi qe edhe Turqit te marrin ishujt e Egjeut.
      Evropa eshte e derrmuar varet shume prej gazit Rus nuk ka per te bere asgje.

  7. Tartari says:

    Pse i ngarkohen Rames gjera qe nuk i ka ne axhende? Mos doni t’i rrisni kreditet? Bashkimi i shqiptareve, aq shume i pritur, nuk eshte permendur nga Rama, vec disa sloganeve dhe mbledhje pa buke te dy qeverive shqiptare. Eshte hedhur si ide nga Albin Kurti, mirpo Rama nuk do ta shohe me sy Albin Kurtin, para Vucicit. Greqia si shtet antar i BE po e mban peng rajonin, duke mos antaresuar vendet B.Perndimor. Europa e Bashkuar, aq shume e trumbetuar nga Greqia, doli me keq se Europa e Fishtes. Ne fakt, z.gazetar keni te drejte, i kini shume borxhe Europes, prandaj dhe i mbani iso.
    Z. gazetar, cfare solli nderrimi i emrit te Maqedonise ne Maqedoni e Veriut?

  8. Rita says:

    Keto thirrje te Rames apo te kujdo tjeter jane sinjale ne forme presioni qe u behet fuqive te huaja , BE ,Amerike ,Angli per te zgjidhe ceshtjen e Kosoves sa me shpejt.Sapo ky problem te zgjidhet ,pra njohja pa kushte nga Serbia te Kosoves fjala bashkim do te humbase ne arshivat historike Do te kemi marredhenie shume te mira te metejshme me Kosoven shtet me te gjitha te drejtat ne OKB ,NATO ,etj .Sa per Greqine ky bashkim nuk i shqetson aspak.Perkundrazi jane gati t’a aprovojne dhe pse nuk mund ta shprehin realisht.Per te mos trathtuar vellezerit e tyre serbe.Pikerisht me nje bashkim te tille ,ata do te shkaktojne” termetin” ne jug te Shqiperise ku dhe themelet i ka ngritur me kohe.Ate “Megaline ” e zvogloni pak nuk do te shkoj deri ne Korce e Berat por do t’ju mjaftoje Gjirokastra e Saranda bashke.Mjafton te kete nje pozite ,nje vend nje front lufte nje Mitrovice te dyte..Gazetari S.Xhimas te kujtoj se dhe Greqia shpreh deshiren e bashkimit me Qipron.Dhe vetem largesia ,hapesire detare nuk e ben te mundur kete bashkim.Sa here tensionet midis Qipros e Turqise ashpersohen del tema e bashkimit te Greqise me Qipron. Pra vetem ky fakt t’i permendet Greqise ,ajo duhet te dale hapur per kete bashkim .Si zor te mohojne politikanet e djeshem e te sotem vrerin,Ironine e kundershtimet pa baze qe kane hedhur mbi Kosoven ,mbi temen e bashkimit.Dhe ne fund te fundit a nuk eshte Greqia nga 5 shtetet kryesore se bashku me Serbine Spanien etj.qe akoma nuk e ka njohur ??????. Uroj qe skenaret politike qe po thurin fuqite e medha te jene paqesore ,te drejta e te mirekuptueshem nga te gjitha palet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje