Rruga e vështirë e afganëve drejt SHBA-ve

31 Dhjetor 2021, 14:39Bota TEMA

Që nga muaji Gusht, mijëra refugjatë afganë janë zhvendosur në SHBA. Kalifornia mban përqendrimin më të madh të refugjatëve dhe emigrantëve afganë dhe është ndër pesë shtetet që ka pritur 80% të refugjatëve afganë. Shtete të tjera përfshijnë Teksas, Virxhinia, Uashingtoni dhe Maryland. Nga ana tjetër, zyrtarët federalë të emigracionit kanë refuzuar kërkesat e qindra afganëve për hyrje të përkohshme në Shtetet e Bashkuara për arsye humanitare.

Aktivistët e emigracionit thonë se administrata e Presidentit Biden nuk e ka mbajtur premtimin për të ndihmuar afganët e lënë mbrapa pas tërheqjes së trupave amerikane dhe rënies së vendit në duart e talebanëve. Që nga tërheqja e trupave amerikane, zyrtarët e emigracionit thonë se kanë pranuar mbi 35 mijë aplikacione bazuar në rregullin e pranimit të emigrantëve për arsye humanitare. Prej tyre, rreth 470 aplikime janë refuzuar dhe më pak se 150 janë miratuar. Ky rregull pak i njohur është rezervuar për emergjenca ekstreme, kur shqyrtimi i aplikimeve për viza të rregullta nuk është një alternativë dhe kur të huajt kanë nevojë të hyjnë shpejtë në vend.

Programi pak i njohur, i cili nuk ofron një rrugë drejt qëndrimit të përhershëm në vend, zakonisht merr më pak se 2,000 kërkesa çdo vit nga të gjitha kombësitë, nga të cilat AgjenciAamerikane e Emigracionit miraton mesatarisht rreth 500. Pranimi i njerëzve bazuar në dispozitën humanitare është përgjithësisht i rezervuar për emergjencat ekstreme dhe nuk synon të zëvendësojë procesin e pranimit të refugjatëve, “që është rruga tipike për individët jashtë Shteteve të Bashkuara që kanë ikur nga vendi i tyre i origjinës dhe kërkojnë mbrojtje”.

Ndërkohë, qeveria amerikane vazhdon të ndihmojë afganët e pambrojtur, duke evakuuar më shumë se 900 shtetas amerikanë dhe 2200 afganë të tjerë që nga tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani. Departamenti i Shtetit tha se pret të ndihmojë në sistemimin e rreth 95,000 njerëzve nga Afganistani këtë vit fiskal, një proces që përfshin kontrolle rigoroze të biografisë dhe gjendjes shëndetësore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje