Kush janë “agjentët” e rinj të Rusisë

1 Janar 2022, 09:39Bota TEMA

Rusia shtoi dy anëtarë të grupit muzikor Pussy Riot dhe një satirist të shquar në listën e saj të “agjentëve të huaj” të enjten, duke vazhduar represionin kundër kritikëve të Kremlinit.

Në listën e cila tani ka 111 emra janë përfshirë Nadezhda Tolokonikova, një nga anëtarët drejtuese të Pussy Riot dhe anëtarja tjetër Veronika Nikoulçina, njoftoi Ministria e Drejtësisë.

Shkrimtarit Viktor Shenderoviç, i njohur për kritikat e ashpra ndaj autoriteteve, i është vënë ky etiketim, i cili, si të tjerat, e detyron atë ta botojë këtë status në çdo botim.

“Këta persona në mënyrë sistematike dorëzonin dokumente në një rreth të panjohur njerëzish dhe merrnin financa nga jashtë”, thekson Ministria e Drejtësisë, transmeton AFP.

Pesë persona të tjerë iu shtuan listës së “agjentëve të huaj” të enjten, duke përfshirë gazetaren Tajsja Bekbulatova dhe koleksionistin e arteve Marat Gelman.

Nadezhda Tolokonikova është një nga tre anëtarët e grupit Pussy Riot që u dënuan me burg në vitin 2012 pas një “lutjeje punk” kundër Presidentit Vladimir Putin në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar në Moskë.

Nadezhda Tolokonikova ka reaguar ndaj përcaktimit të saj si “agjente e huaj” duke postuar një foto në rrjetet sociale ku tregon gishtin e mesit dhe një deklaratë ku thuhet se nuk do ta tregojë këtë status në postimet e saj.

“Rusia do të jetë e lirë”, shtoi ajo.

I prezantuar në vitin 2012, ligji për “agjentët e huaj”, që të kujton “armiqtë e popullit” të epokës sovjetike, u zbatua fillimisht tek OJQ-të dhe më pas u shtri në media dhe individë.

Organizatat për lirinë e shprehjes akuzojnë qeverinë ruse për përdorimin e instrumentit për të heshtur kritikët.

Fundviti u shënua nga një represion i gjerë në Rusi, me burgosjen e aktivistit të opozitës Alexei Navalny dhe shpërbërjen e OJQ-së Memorial këtë javë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje