Punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët janë transferuar në institucionet e administratës shtetërore, mund të bëjnë kërkesë për t’u rikthyer në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kështu është vendosur me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), për rikthimin në Policinë e Shtetit të policëve të transferuar në struktura të tjera administrative.
Pas mbarimit të afatit të transferimit në administratë, punonjësi i policisë emërohet në detyrë brenda strukturave të Policisë së Shtetit, në përputhje me kualifikimin profesional dhe gradën policore që mbajnë.
Institucioni në të cilin është emëruar punonjësi, paraqet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kërkesën me shkrim për rikthimin e tij në strukturën përkatëse.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka të drejtë që, për nevoja pune, të kërkojë rikthimin e punonjësit në Policinë e Shtetit, sipas njoftimit, para plotësimit të afatit të transferimit, por jo më parë se gjashtë muaj nga transferimi.
Por, nëse rikthimi në Policinë e Shtetit bëhet pas një periudhe mbi një vit, “kërkohet vërtetimi i besueshmërisë”.