Baerbock: Është e vështirë të mos i shohësh veprimet e Rusisë si kërcënim!

18 Janar 2022, 16:00Bota TEMA

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka zhvilluar një vizitë në Moskë, ku ka biseduar me homologun e saj Sergei Lavrov për krizën në Ukrainë.

Kushdo që dëshiron të afirmohet në skenën politike ndërkombëtare, herët a vonë do të duhet të kalojë të ashtuquajturin test Lavrov. E për ministren e re gjermane tensioni mund të dallohej qartë në sytë e saj.

Baerbock dhe Lavrov theksuan rëndësinë e marrëdhënieve gjermano-ruse, por pranuan  se ka mjaft ndryshime ndonjëherë themelore të opinioneve. Lidhur me mobilizimin e trupave ruse në kufirin me Ukrainën, Baerbock thotë:

“Koha për të shpëtuar negociatat po ikën. Rusia ka përqendruar rreth 100,000 ushtarë në kufirin me Ukrainën “pa asnjë arsye të kuptueshme”. Është e vështirë të mos e marrësh këtë si kërcënim”.

Baerbock i bëri thirrje Rusisë që të përmbahet nga kërcënimet kundër Ukrainës fqinje dhe të ruajë vlerat themelore në Evropë.

Lidhur me garancitë e sigurisë për Perëndimin të kërkuara nga Rusia, Baerbock shprehu gatishmërinë për dialog ndërsa  Lavrov tha se Rusia pret propozime me shkrim nga Perëndimi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje