Ditët e fundit ka pasur një rritje masive të infektimeve me variantin Omicron të koronavirusi, sidomos në shkollat e qyteteve kryesore të vendit.
Shifrat janë dramatike dhe po kapin edhe mosha të vogla pra nxënës si dhe personelin e mësuesve dhe punonjësve të tjera në shkolla.
Zinxhiri po rritet ditë pas dite, ndërkohë që nesër është mbledhja e radhës e Komitetit të Ekspertëve.
Sot, sipas Ministrisë së Shëndetësisë kemi pasur 1643 raste, që natyrisht janë ata të cilët janë testuar përgjithësisht me rapid test.
Në poliklinikat kryesore të kryeqytetit, ku dhe kryhen një pjesë kryesore e testimeve të shpejta, mjekët shprehen se përqindja e njerëzve që dalin pozitivë kapin shifra të larta, që rriten ditë pas dite.
Shkollat e kryeqytetit po punojnë që prej javës së kaluar me një kapacitet thuajse të përgjysmuar, madje diku edhe më shumë, si pasojë e rritjes së frikshme të numrave të të infektuarve me variantin Omicron të Covid 19.
Shenjat e të infektuarve përgjithësisht janë të lehta, por ka raste të acarimit si pasojë e kollës apo dhimbjeve të fytit dhe aparatit të sipërm të frymëmarrjes.
Mjekë të ndryshëm, në disa prej poliklinikave të kryeqytetit, I thanë gazetës TemA se ndërprerja e shkutër një javore e shkollave do të bënte mirë për ta ndërprerë mekanikisht zinxhirin e infektimit, pasi edhe shenjat e sëmundjes janë të lehta, e kështu ndërprerja mund të ndodhë më shpejt.