“Skanerat e sigurisë në Shqipëri dhe mbarë Evropën, të lidhura me Qeverinë kineze”

21 Janar 2022, 10:46Bota TEMA

Forumi Ekonomik Botëror në Davos, portet më të mëdha të Evropës, aeroportet nga Amsterdami në Athinë, kufijtë e NATO-s me Rusinë përfshirë këtu doganat dhe portet në Shqipëri.

Këto vende në skaje të ndryshme të kontinentit i lidh diçka.

Ato kanë të instaluar të njëjtin sistem sigurie, atë të kompanisë së vetme kineze që ka lidhje të fuqishme me ushtrinë e Kinës dhe me nivelet më të larta të Partisë Komuniste në pushtet.

Bëhet fjalë për kompaninë, Nuctech, e cila ka gjetur një shtrirje dhe ka depërtuar thellë në të gjithë Evropën.

Ajo ka të instaluara pajisjet e saj në 26-të shtete të Bashkimin Evropian.

Ndërlikimi i strukturës së pronësisë së kompanisë dhe rritja e saj globale kanë ngritur alarme në të dy anët e Atlantikut.

Një numër i shumtë i zyrtarëve perëndimore të sigurisë dhe politikanë kanë frikë se Kina mund të shfrytëzojë pajisjet “Nuctech” për të sabotuar pikat kryesore të transitit.

Ata shkojnë edhe më tej duke akuzuar se ajo mund të  ketë qasje të paligjshme në të dhënat qeveritare, industriale ose personale.

E mundësuar kjo nga artikujt që kalojnë përmes pajisjeve të saj.

Sipas tyre, Qeveria kineze ka subvencionuar në mënyrë efektive kompaninë.

Në këtë mënyrë ata kanë mundur të zhdukin konkurrentët dhe t’i japë Pekinit ndikim të plotfuqishëm mbi infrastrukturën kritike në Perëndim.

Kështu Kina pozicionohet njëherë e mirë si një superfuqi globale e teknologjisë.

“Të dhënat që përpunohen nga këto pajisje janë shumë të ndjeshme. Janë të dhëna personale, të dhëna ushtarake, të dhëna ngarkesash. Mund të jenë sekrete tregtare në rrezik. Ju dëshironi të siguroheni që është në duart e duhura”, tha Bart Groothuis, drejtor i Sigurisë Kibernetike në Ministrinë Holandeze të Mbrojtjes përpara se të bëhej anëtar i Parlamentit Evropian.

Ai dhe të tjerët thonë se Evropa nuk ka mjete për të monitoruar dhe rezistuar një shkelje të tillë të mundshme.

Shtetet e unionit kanë ndarë pikëpamje të ndryshme për rreziqet e sigurisë së Nuctech.

Askush nuk ka qenë as në gjendje të bëjë një raport publik gjithëpërfshirës se ku dhe sa pajisje Nuctech janë instaluar në të gjithë kontinentin.

Nga ana tjetër, kompania i ka hedhur poshtë këto shqetësime.

Ajo shprehet se mjetet e saj janë në përputhje me ligjet lokale, duke përfshirë kontrollet e rrepta të sigurisë dhe rregullat e privatësisë së të dhënave.

Ndërsa kontrolli i sigurisë është në duart e një kompanie, Nuctech e ka gjetur veten në vijën e parë të betejës SHBA-Kinë për dominimin e teknologjisë – që po luhet tani në të gjithë Evropën.

Përveç sistemeve të skanimit për njerëzit, bagazhet dhe ngarkesat, kompania prodhon detektorë eksplozivësh dhe pajisje të ndërlidhura të aftë për njohjen e fytyrës, matjen e temperaturës së trupit dhe identifikimin e kartës së identitetit ose biletave.

Duke njohur ligjet e inteligjencës kombëtare të Kinës, të cilat kërkojnë që kompanitë kineze të dorëzojnë të dhënat e kërkuara nga agjencitë shtetërore të sigurisë, kritikët kanë frikë se Nuctech nuk do të jetë në gjendje t’i rezistojë thirrjeve nga Pekini për të dorëzuar të dhëna të ndjeshme.

Të dhëna që kanë lidhje me ngarkesën, njerëzit dhe pajisjet që kalojnë nëpër skanerët e saj.

Ata thonë se ekziston rreziku që Pekini të përdorë praninë e Nuctech-ut në të gjithë Evropën për të mbledhur të dhëna rreth flukseve tregtare ndërkufitare.

Gjithashtu mund ta përdori, për të tërhequr informacione nga rrjetet lokale, si manifestet e transportit ose informacionin e pasagjerëve, ose për të sabotuar flukset tregtare në një konflikt.

Bashkimi Evropian vendosi disa masa në fund të vitit 2020.

Kështu iu hap rruga verifikimeve të investimeve të huaja të bëra direkt nga Kina.

Por politikëbërësit në Bruksel thonë se, aktualisht nuk ka sisteme në mbarë unionin për të vlerësuar prokurimet kineze, pavarësisht shqetësimeve në rritje për subvencionet e padrejta shtetërore, mungesën e reciprocitetit, sigurinë kombëtare dhe të drejtat e njeriut.

Sukseset e Nuctech janë të shumta. Kompania, e cila po hap zyra në Bruksel, Madrid dhe Romë, thotë se ka furnizuar klientët në më shumë se 170 vende dhe rajone.

Në vitin 2019-ën tha se kishte instaluar më shumë se 1 mijë pajisje kontrolli sigurie në Evropë për doganat, aviacionin civil, portet dhe organizatat qeveritare.

Në nëntor 2020, dogana në Norvegji bëri një thirrje për të blerë një skaner të ri ngarkesash për pikën e kontrollit Svinesund, një kompleks ndërtesash gri në kufirin suedez.

Një rival amerikan dhe dy kompani të tjera u ankuan se kushtet e shkruara i dhanë fuqi Nuctech.

Specifikimet u rishkruan, por gjithsesi Nuctech fitoi marrëveshjen.

Katër nga pesë vendet anëtare të NATO-s që kufizojnë Rusinë – Estonia, Letonia, Lituania, Polonia – kanë blerë pajisje Nuctech për kalimet e tyre kufitare me Rusinë. Kështu edhe Finlanda.

Dy portet më të mëdha të Evropës – Roterdami dhe AntWerp, të cilat së bashku skanojnë më shumë se një të tretën e mallrave, sipas peshës, që hynin dhe dilnin nga portet kryesore të BE-së në vitin 2020 – përdorin pajisje Nuctech.

Shtetet e tjera kyçe në skajet e BE-së, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Turqinë, Ukrainën, Shqipërinë, Bjellorusinë dhe Serbinë kanë blerë gjithashtu skanerë Nuctech, disa prej të cilëve janë dhuruar ose financuar me kredi me interes të ulët nga Bankat Shtetërore Kineze.

Aeroportet në Londër, Amsterdam, Bruksel, Athinë, Firence, Piza, Venecia, Cyrih, Gjenevë dhe më shumë se një duzinë në të gjithë Spanjën kanë nënshkruar të gjitha marrëveshje për pajisje Nuctech, prokurime dhe dokumente qeveritare, si dhe tregojnë njoftimet e korporatave.

Marrë nga “Associated Press”, përshtatur për Albanian Post

1 komente në ““Skanerat e sigurisë në Shqipëri dhe mbarë Evropën, të lidhura me Qeverinë kineze””

  1. Scutari says:

    Lufta e Trete Boterore do te zhvillohet nga kompjuteri!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje