SHBA ka paralajmëruar edhe një herë Rusinë se nëse do të përdorë në luftë armë kimike dhe biologjike në Ukrainë pasojat do të jenë të rënda.
Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare Jack Sullivan foli pasditen e së mërkurës me homologun e tij rus, gjeneralin Nikolay Patrushev, dhe e paralajmëroi “për pasojat që do të sillte përdorimi i armëve kimike dhe biologjike nga ana e Rusisë” në Ukrainë. Lajmin e bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
“Sullivan ka shpalosur zotimin e SHBA-së për të vazhduar vendosjen e kostove ndaj Rusisë, për të mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, për të forcuar krahun lindor të NATO-s, për të vazhduar koordinimin e plotë me aleatët dhe partnerët tanë. Sullivan i tha Patrushevit se nëse Rusia është serioze për diplomaci, atëherë Moska duhet të ndalojë së sulmuari qytetet ukrainase. Sullivan po ashtu e paralajmëroi Patrushevin lidhur me pasojat dhe implikimet e çdo vendimi të mundshëm rus për të përdorur armë kimike dhe biologjike në Ukrainë”, u tha në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.