Autorët u maskuan si policë dhe hynë në banesë, ekzekutohet vëllai i kreut të bandës famëkeqe të drogës në Ekuador

13 Korrik 2026, 14:10Bota TEMA
Autorët u maskuan si policë dhe hynë në banesë,

Vëllai i një prej figurave më të njohura të krimit të organizuar në Ekuador është vrarë nga persona të armatosur që ishin maskuar si efektivë policie.

Sipas autoriteteve, David Macías, 35 vjeç, ishte një drejtues rajonal i bandës së fuqishme kriminale Los Choneros, e cila deri vonë drejtohej nga vëllai i tij, Adolfo Macías, i njohur me nofkën “Fito”, shkruan BBC.

Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës në qytetin bregdetar Olón, në Ekuador. Dëshmitarët thanë se persona të veshur si policë hynë në banesën që Macías kishte marrë me qira në një zonë luksoze dhe e qëlluan për vdekje.

Autorët u larguan menjëherë pas sulmit dhe deri tani nuk është raportuar për ndonjë arrestim.

Adolfo “Fito” Macías aktualisht ndodhet në pritje të gjyqit në Shtetet e Bashkuara, pasi u ekstradua nga Ekuadori vitin e kaluar. Banda Los Choneros është shpallur nga SHBA si organizatë terroriste e huaj dhe akuzohet si një nga grupet kriminale që kanë kontribuar në rritjen drastike të vrasjeve në Ekuador.

Vrasja e David Macías shihet si një tjetër goditje për këtë organizatë kriminale. Muajin e kaluar, një tjetër vëlla i “Fito”-s, Javier Macías, u arrestua në Kolumbinë fqinje.

Autoritetet thanë se David Macías kishte pranuar në vitin 2018 akuzat për komplot kriminal. Gjatë periudhës së burgimit, ai dyshohet se rekrutoi të dënuar për Los Choneros dhe ndihmoi që banda të merrte kontrollin e burgut ku ndodhej.

Në Ekuador, eliminimet mes drejtuesve të bandave janë bërë të zakonshme, si pasojë e përplasjeve mes grupeve rivale apo luftës së brendshme për kontrollin e territoreve dhe trafikut të drogës.

 

Lini një Përgjigje

Blog Tema