Vala e zjarreve që ka përfshirë disa qytete dhe rajone të Evropës po vazhdon. Këtë herë flakët kanë përfshirë pyllin e Fontainebleau, që ndodhet në juglindje të Parisit, në Francë.
Autoritetet e kanë cilësuar zjarrin si “me përmasa të jashtëzakonshme”, duke angazhuar një numër rekord forcash zjarrfikëse në rajonin e Ile-de-France. Për shkak të situatës, trafiku hekurudhor në zonë është ndërprerë, ndërsa reja e dendur e tymit ishte e dukshme deri në 20 kilometra larg.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar rreth 400 zjarrfikës. Në ndihmë të tyre kanë ardhur edhe fermerë dhe bujq të zonës, të cilët kanë përdorur traktorët e pajisur me cisterna uji për të luftuar zjarrin.
Sipas bilancit paraprak, rreth 800 hektarë të pyllit të Fontainebleau janë shkrumbuar nga flakët. Autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Lini një Përgjigje