Wai Ching Ho ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në teatër, televizion dhe kinema.
Aktorja u bë e njohur për publikun me rolin e Madame Gao në serialet e Marvel, si "Daredevil", "Iron Fist" dhe "The Defenders".
Ajo interpretoi gjithashtu gjyshen e personazhit të Constance Wu në filmin "Hustlers" të vitit 2019, shkruan DailyMail.
Familja e saj konfirmoi lajmin e hidhur përmes një deklarate, ku falënderoi publikun për mesazhet e shumta të ngushëllimit dhe kujtimet e ndara për aktoren. “Jemi thellësisht mirënjohës për dashurinë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme. Të lexojmë se sa shumë do të thoshte Wai për kaq shumë njerëz është një ngushëllim i madh për ne në këtë periudhë të vështirë”, thuhet në reagim.
Pas lajmit për ndarjen e saj nga jeta, kolegë dhe bashkëpunëtorë i kushtuan homazhe aktores.
Aktori Peter Shinkoda shkroi se nuk do ta harrojë kurrë dhe se kishte mësuar shumë prej saj, ndërsa aktorja Mahira Kakkar e cilësoi Wai Ching Ho si një artiste të jashtëzakonshme dhe një frymëzim për shumë aktorë.
E lindur në Hong Kong, Wai Ching Ho ndërtoi një karrierë që zgjati disa dekada, me role në seriale të njohura si "Orange Is the New Black", "Law & Order", "Only Murders in the Building", "Fresh Off the Boat" dhe shumë produksione të tjera televizive e teatrale. Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.
Lini një Përgjigje