Mania për Erling Haaland ka kaluar kufijtë e futbollit. Në Peru, qindra prindër kanë vendosur t’u vënë foshnjave të tyre emrin ose mbiemrin e sulmuesit të Norvegjisë, pas paraqitjeve spektakolare të tij në Kupën e Botës 2026.
Sipas Regjistrit Kombëtar të Identitetit në Peru, 468 foshnja mbajnë mbiemrin Haaland, ndërsa 91 të tjera janë regjistruar me emrin e plotë Erling Haaland.
Sulmuesi 25-vjeçar po kalon një nga momentet më të mira të karrierës, duke shënuar shtatë gola në katër ndeshje të Kupës së Botës. Ai realizoi të dy golat në fitoren historike të Norvegjisë ndaj Brazilit, duke e dërguar ekipin për herë të parë në çerekfinale, ku do të përballet me Anglinë.
“Yjet e futbollit shërbejnë si frymëzim për shumë peruanë kur regjistrojnë emrat e fëmijëve të tyre,” deklaroi zëdhënësi i regjistrit, Ivan Torres, për mediat vendase.
Sipas tij, numri i foshnjave të regjistruara me emrin apo mbiemrin e Haaland u rrit ndjeshëm pas nisjes së Kupës së Botës dhe u shtua edhe më shumë pasi Norvegjia siguroi kualifikimin në çerekfinale.
Madje, Torres bëri edhe një koment me humor: “Haaland është gjithashtu peruan.”
Nuk është hera e parë që ethet e futbollit ndikojnë në emrat e fëmijëve në Peru. Sipas statistikave zyrtare:
33,809 persona mbajnë emrin Neymar;
3,402 quhen Messi, ndërsa 292 mbajnë emrin e plotë Lionel Messi;
1,185 janë regjistruar me emrin Cristiano Ronaldo;
1,241 mbajnë emrin Yamal, në nder të talentit spanjoll Lamine Yamal.
Fenomeni tregon edhe një herë ndikimin e jashtëzakonshëm që yjet e futbollit kanë te tifozët, deri në pikën që emrat e tyre të bëhen pjesë e identitetit të brezave të rinj.
Lini një Përgjigje