Teherani ka pak alternativa, por më e mira varet nga Kina

Nga Afshon Ostovar
Një vit humbjesh të vazhdueshme e ka lënë strategjinë e madhe të Iranit në rrënoja. Shkatërrimi pothuajse i plotë i Hamasit në Gaza, asgjësimi i grupit militant libanez Hezbollah dhe rënia e regjimit të Bashar al-Assadit në Siri ia hoqën Iranit përfaqësuesit (proksit) te të cilët ai ishte mbështetur prej kohësh për të kërcënuar Izraelin. Si pasojë, në qershor Izraeli ishte në gjendje të zhvillonte luftën e tij 12-ditore kundër Iranit pa u shqetësuar për përshkallëzim rajonal. Kjo luftë rrëzoi një supozim të kahershëm mbi parandalimin iranian — bindjen se Teherani mund të hakmerrej në mënyrë efektive ndaj sulmeve të hapura dhe të drejtpërdrejta mbi territorin e tij. Në plan më praktik, ajo shkatërroi mbrojtjen kryesore ajrore të vendit, dobësoi kapacitetet e tij të raketave balistike dhe e ktheu pas ambicien e tij bërthamore.
Regjimi iranian me siguri do të përpiqet të rikthejë pushtetin e humbur. Por zhvillimet rajonale që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 dhe qëndrimi vazhdimisht agresiv ushtarak i Izraelit e kanë bërë shumë më të vështirë për Teheranin të ndërmarrë hapa që mund të forconin ndikimin e tij, siç është riarmatimi i Hezbollahut. Derisa Irani të jetë në gjendje të mbrojë territorin e vet, mund të jetë e pamundur të rindërtojë rrjetin e proksive ose të vrapojë drejt një bombe bërthamore pa e ekspozuar regjimin teokratik ndaj rrezikut edhe më të madh të kolapsit.
Në afat të shkurtër, Irani ka shumë gjasa të përpiqet të rindërtojë mbrojtjen e tij ushtarake duke zgjeruar partneritetin me Kinën. Deri së fundmi, Pekini ka hezituar të mbështesë njërën palë kundrejt tjetrës në Lindjen e Mesme. Por edhe llogaritë e Kinës mund të jenë duke ndryshuar. Ajo mund të shohë mundësi të reja në ndihmën ndaj Iranit për të rimarrë një pjesë të fuqisë së tij të zbehur, duke pasur parasysh rritjen e tensioneve mes Izraelit dhe shteteve arabe — veçanërisht pas goditjeve izraelite në fillim të shtatorit kundër udhëheqjes së Hamasit në Katar.
KURS ME PENGESA
Rrëzimi i regjimit të Assadit dhjetorin e kaluar — dhe qëndrimi anti-iranian i adoptuar nga sundimtarët e rinj në Damask — përbën një pengesë të nënvlerësuar për aftësinë e Teheranit për të rindërtuar strategjinë e tij rajonale të proksive. Për dekada, Siria i ka furnizuar drejtpërdrejt Hezbollahun me raketa dhe predha, xhevahirin e kurorës së rrjetit iranian të proksive; Assadi i ka lejuar gjithashtu Iranit të kontrabandojë armë drejt Libanit përmes territorit sirian. Edhe pse kjo përpjekje hasi rezistencë pas shpërthimit të luftës civile siriane, kur Izraeli filloi të kryente rregullisht sulme ndaj depozitave të armëve në Siri dhe ndaj kolonave të lehtësuara nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit, Irani sërish arriti ta mbante Hezbollahun të armatosur.
Ahmed al-Shara, presidenti i ri i Sirisë, e ka bërë të qartë se ndikimi iranian nuk është më i mirëpritur në vendin e tij. Ai ka kërkuar partneritete me rivalët e Iranit, veçanërisht Turqinë, dhe ka fajësuar milicitë e mbështetura nga Irani për nxitjen e paqëndrueshmërisë në Siri, duke argumentuar në një intervistë të shkurtit 2025 në televizionin shtetëror se proksitë iraniane përbëjnë kërcënim për popullin sirian dhe për “tërë rajonin”. Megjithatë, pavarësisht disa sukseseve të hershme, qeveria e Shara-s ka pasur vështirësi në unifikimin e vendit. Irani mund të shfrytëzojë ndarjet e fshehura sociopolitike në Siri duke ndihmuar fshehurazi fraksione të pakënaqura me regjimin e ri ose të hapura ndaj stimujve financiarë, ashtu siç ka shfrytëzuar ndarjet në Irak dhe Jemen.
Irani mund të ketë mundësi edhe më të mëdha për të ndërhyrë në politikën siriane nëse ushtria amerikane përfundon tërheqjen e saj. Irani tashmë ka marrëdhënie me disa rrjete fisnore sunite siriane, me të cilat ka bashkëpunuar për të lëvizur armë drejt Bregut Perëndimor përmes Jordanisë. Ai mund të përpiqet t’i nxisë këto rrjete të transportojnë armë drejt kufirit libanez nëse autoriteti i Damaskut mbi Sirinë jugore dobësohet.
Pa qasje në rrjetet tranzite siriane, Irani do të mbetet me vetëm dy mënyra për të dërguar ngarkesa të mëdha armësh në Liban: me ajër ose me det. Të dyja këto metoda janë të cenueshme nga ndërhyrja izraelite, dhe shkalla në të cilën inteligjenca izraelite ka depërtuar në establishmentin ushtarak iranian e bën edhe më pak të mundshme që armët iraniane të arrijnë me sukses në Liban. Pas sulmeve izraelite të vitit 2024 kundër Hezbollahut, struktura drejtuese e grupit është në kaos dhe ai përballet me presion të jashtëzakonshëm për t’u çarmatosur. Mund të mos ketë zgjidhje tjetër veçse të tërhiqet ose madje të braktisë përpjekjet e tij ushtarake.
NË MBROJTJE
Irani mund të gjejë përfundimisht një mënyrë për të rindërtuar linjat e furnizimit për Hezbollahun, por kushtet për ta bërë këtë ende nuk ekzistojnë. Kjo do të thotë se Irani ka humbur — ndoshta përgjithmonë — milicinë e vetme përfaqësuese, fuqia e së cilës kishte penguar sulmet izraelite mbi territorin iranian. Huthët në Jemen kanë përdorur me sukses armë iraniane për të goditur anije në Detin e Kuq, por nuk e kanë ndihmuar Iranin të mbrohet nga agresioni izraelit. Raketat e Hezbollahut përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë për qytetet izraelite, ndërsa arsenali i Huthëve — ashtu si ai i milicive shiite të mbështetura nga Irani në Irak — përbën një kërcënim më të vogël dhe më të largët.
Irani, sigurisht, mund të braktisë strategjinë e proksive dhe të përpiqet të rikthejë parandalimin duke nxituar drejt armës bërthamore. Pavarësisht sulmeve izraelite dhe amerikane mbi objektet e tij bërthamore në qershor, Irani tashmë zotëron mjaftueshëm uranium shumë të pasuruar për të ndërtuar disa armë bërthamore dhe besohet se ka njohuritë për t’i ndërtuar ato. Nëse Irani do të mund të riparonte ose rindërtonte kapacitete të mjaftueshme pasurimi (ose nëse tashmë ka objekte të tilla sekrete), ai mund ta përpunonte atë uranium në nivel armësh relativisht shpejt, ndoshta brenda pak javësh.
Por edhe nëse udhëheqësit iranianë dëshirojnë të ndjekin rrugën e armatimit bërthamor, ndërmarrja e hapave të nevojshëm për ta bërë këtë do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme për regjimin në pushtet. Duke pasur parasysh epërsinë e thellë të inteligjencës izraelite, çdo lëvizje për pasurim të mëtejshëm të uraniumit do të rrezikonte të alarmonte kundërshtarët e Iranit dhe të shkaktonte një raund të ri dhe më shkatërrues sulmesh të udhëhequra nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, ose të dyja. Dhe edhe nëse Irani do të arrinte të testonte një pajisje bërthamore dhe të zhvillonte një arsenal të vogël armësh pa ndërprerje, paaftësia e tij aktuale për të mbrojtur hapësirën ajrore do ta bënte atë arsenal jashtëzakonisht të cenueshëm. Prandaj, zhvillimi i një arme bërthamore, më vete, nuk mund ta rikthejë parandalimin iranian. Pa mbrojtje të forta konvencionale ose proksi që të pengojnë agresionin e huaj, armët bërthamore thjesht do të krijonin një përgjegjësi të re.
Irani ka një nevojë urgjente për të forcuar mbrojtjen ajrore.
Para se Irani të mund të fillojë qoftë edhe rikthimin e parandalimit, e aq më pak rimarrjen e një pjese të fuqisë së tij rajonale, ai duhet të adresojë mangësitë në kapacitetet e tij ushtarake konvencionale. Irani gjeti mënyra për t’i imponuar kosto Izraelit gjatë luftës 12-ditore, veçanërisht duke goditur qendrat e popullsisë izraelite. Por shkalla e lartë e interceptimit nga sistemet e mbrojtjes ajrore izraelite i bëri raketat iraniane një mjet parandalues të pamjaftueshëm; ato nuk mund të shkatërronin ose madje të godisnin në mënyrë të besueshme objektiva serioze strategjike dhe ushtarake. Dhe pasi Izraeli shkatërroi sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore, ai ishte në gjendje të godiste lëshuesit e raketave iraniane, duke e gërryer më tej aftësinë e Iranit për të kryer kundërsulme efektive.
Si do ta rindërtojë Irani arsenalin e tij do të varet nga mësimet që ushtria e tij nxori nga lufta 12-ditore. Shumë mbetet e panjohur për efektivitetin e sistemeve të ndryshme raketore iraniane në konflikt, por komandantët iranianë pa dyshim kanë fituar një kuptim më të thellë se cilat sisteme funksionuan më mirë dhe cilat taktika operative ishin më efektive, edhe pse sulmet izraelite ishin gjithmonë më të fuqishme. Këto mësime do të udhëheqin fokusin e ushtrisë iraniane. Ajo mund, për shembull, të investojë edhe më shumë në armë hipersonike ose sisteme të tjera të avancuara të prodhuara në vend (si raketat Fattah dhe Khorramshahr-4), si dhe në sisteme me rreze më të gjatë që mund të lëshohen nga Irani lindor, një objektiv më i vështirë për t’u goditur nga Izraeli.
Nevoja e Iranit për të forcuar mbrojtjen ajrore është edhe më urgjente. Në qershor, Izraeli shkatërroi pjesën më të madhe të mbrojtjes ajrore iraniane në pjesët qendrore dhe perëndimore të vendit, përfshirë të gjitha sistemet ruse tokë-ajër S-300, të cilat kishin qenë sistemet më të avancuara që Irani zotëronte. Izraeli shkatërroi gjithashtu një numër avionësh ushtarakë iranianë. Edhe para luftës, Irani nuk ishte në gjendje të nxirrte një forcë ajrore që mund të mbronte hapësirën e tij ajrore kundër një kundërshtari më të fuqishëm, dhe tani është edhe më i dobët.
Irani nuk ka kapacitetin industrial për të prodhuar platformat që i nevojiten për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe do të duhet të kërkojë ndihmë nga jashtë. Moska ka qenë prej kohësh partneri më i afërt mbrojtës i Teheranit, por marrëdhënia e ndërlikuar e Rusisë me Izraelin e ka kufizuar ndihmën mbrojtëse që ajo ka qenë e gatshme të ofrojë; lufta e saj në Ukrainë e ka zvogëluar gjithashtu aftësinë për të shitur armë blerësve të jashtëm. Në vitin 2023, për shembull, Irani njoftoi një marrëveshje për blerjen e avionëve luftarakë Sukhoi Su-35 nga Rusia. Deri më sot, megjithatë, Rusia ka dorëzuar vetëm dy nga 50 avionët që raportohet se Teherani ka porositur. Moska mund ta përmbushë ende marrëveshjen, por duke pasur parasysh vonesën dhe kufizimet e industrisë ruse të mbrojtjes, Irani mund të zgjedhë të shikojë diku tjetër.
ZGJIDHJA E FUNDIT
Kjo e lë Kinën si burimin më të mirë të Iranit për pajisje shtesë ushtarake. Kina tradicionalisht ka kërkuar të balancojë marrëdhëniet e saj në Lindjen e Mesme. Ajo e ka ndihmuar Iranin të anashkalojë sanksionet e naftës dhe ka ofruar ndihmë të kufizuar ushtarake, siç është ndihma për zhvillimin e raketave balistike kundëranije. Por Pekini nuk e ka ndihmuar Teheranin aq sa t’i japë atij një avantazh të qartë ndaj fqinjëve arabë, veçanërisht Arabisë Saudite, rivalit të tij tradicional rajonal. Kina ka përfituar nga izolimi relativ i Iranit — më së shumti duke shfrytëzuar sanksionet perëndimore për të blerë naftë iraniane me çmime të ulëta.
Por balancimi i Kinës mund të mos jetë më i nevojshëm. Në mars 2023, Irani filloi normalizimin e marrëdhënieve diplomatike me Arabinë Saudite — një lëvizje e ndërmjetësuar nga Kina që ndryshoi rrënjësisht një shtyllë të mëparshme të politikës së Pekinit në Lindjen e Mesme. Dhe ndërsa tensionet rriten midis Pekinit dhe Uashingtonit, po rritet edhe vlera strategjike e Iranit për Kinën. Lidhja më e ngushtë e Iranit me interesat dhe mbështetjen kineze mund të rezultojë e favorshme, për shembull, në një skenar krize që përfshin Tajvanin, gjatë së cilës Pekini mund të shpërndajë vëmendjen e Marinës amerikane dhe aleatëve të saj duke nxitur Teheranin dhe proksitë e tij të godasin transportin civil në Detin e Kuq ose në Gjirin e Omanit.
Mbrojtja ajrore është një boshllëk kritik që Kina mund ta ndihmojë Iranin ta mbushë. Sistemi kinez i mbrojtjes ajrore mobile HQ-9 është i ngjashëm me platformën më të avancuar ruse S-400. Nëse Pekini do t’ia shiste këtë sistem Teheranit, kjo do ta ndihmonte Iranin të rikthente një pjesë të mbrojtjes së hapësirës së tij ajrore. Irani mund të ndjekë gjithashtu një marrëveshje me Kinën për të modernizuar forcën e tij ajrore, për shembull duke blerë avionë kinezë Chengdu J-10, të cilët performuan mirë për Pakistanin gjatë përshkallëzimit të shkurtër ushtarak me Indinë në maj.
Në afat të shkurtër, as mbrojtja më e mirë ajrore dhe as një flotë e përmirësuar avionësh luftarakë nuk mund ta ndryshojnë ndjeshëm disavantazhin relativ të Iranit ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Por në afat të mesëm, këto përmirësime mund t’i bëjnë sulmet e mëtejshme kundër Iranit më të vështira dhe më të kushtueshme për kundërshtarët dhe të dekurajojnë përshkallëzime të herëpashershme. Të paktën, ato mund t’i blejnë Iranit pak kohë për të rimbushur dhe rafinuar rezervat e tij të raketave të prodhuara në vend dhe për t’u përgatitur më mirë për një konflikt tjetër. Sa më larg në kohë të jetë kërcënimi i luftës për Iranin, aq më i menjëhershëm është rreziku që ai mund të përballojë.
Pavarësisht se si do t’i përgjigjet Kina gjendjes së tij të vështirë, Irani ndodhet në një shtrëngesë. Udhëheqësit e tij mund të zgjedhin të mbijetojnë duke u zvarritur në një gjendje pasigurie, duke shpresuar thjesht ta kalojnë këtë periudhë krize pa kompromise të mëtejshme. Ose mund të zgjedhin rrugën edhe më të rrezikshme të armatimit bërthamor. Por skeleti mbështetës që kishte ruajtur sigurinë e Iranit për dy dekadat e fundit është shembur, dhe vendi do të mbetet thelbësisht i cenueshëm dhe i pasigurt derisa mangësitë e tij ushtarake konvencionale të adresohen.
*AFSHON OSTOVAR është profesor i asociuar në Naval Postgraduate School, studiues i lartë jorezident në Foreign Policy Research Institute dhe autor i librit Wars of Ambition: The United States, Iran, and the Struggle for the Middle East.
17 shtator 2025
Lini një Përgjigje