Gjendet trupi i Nasrallah 48 orë pas vrasjes, kreu i Hezbollah u gjet i pajetë brenda një bunkeri

29 Shtator 2024, 16:40Bota TEMA
Gjendet trupi i Nasrallah 48 orë pas vrasjes, kreu i Hezbollah u gjet i

Dy ditë pas lajmit se është eliminuar nga bombardimet izraelite, trupi i pajetë i liderit të Hezbollah, Hassan Nasrallah është gjetur brenda një bunkeri në Liban. Agjencia e lajmeve Reuters bën me dije se trupi i tij nuk kishte lëndime dhe se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë trauma e fortë nga forca e shpërthimeve.


Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit njoftuan këtë diel valën e re të sulmeve me jugun e Libanit, duke shkaktuar dhjetëra viktima, numri i të cilëve është vazhdimisht në rritje.

SHBA sheh mundësinë e një inkursioni tokësor të kufizuar izraelit në Liban ndërsa Izraeli po lëviz forcat në kufirin e tij verior.

Mbetet e paqartë nëse ushtria e shtetit hebre do të nisë një sulm tokësor, pavarësisht se më herët zëdhënësi i saj, Peter Lerner, tha se trupa po përgatiten për mundësinë e një inkursioni, i cili është një opsion që po shqyrtohet. Ministri libanez i Informacionit, Ziad Makary theksoi se qeveria e Libanit po këmbëngul për një armëpushim.

“Përpjekjet diplomatike për një armëpushim me Izraelin janë ende në vazhdim. Kryeministri është i vendosur për këtë, por çështja nuk është aq e lehtë”, tha ministri libanez.


Ndërsa Irani nuk përjashton mundësinë e një lufte masive në Lindjen e Mesme. Duke marrë shkas nga vrasja e liderit të Hezbollah, kreu i diplomacisë iraniane Abbas Araghchi, tha se “gjithçka është e mundur, edhe lufta”.

"Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se situata është e nxehtë dhe se gjithçka është e mundur, madje edhe lufta", paralajmëroi ministri Iranian. Araghchi nuk kurseu akuzat ndaj Izraelit dhe deklaroi se për këtë arsye Irani ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit në OKB.

1 Komente

  1. c
    ccc

    Shkaterrimi i Hamasit, Hezbollahit, Huthit, Brigadave Revolucionare ne Irak apo Siri etj, mendoj modestisht jane rruga drejte objektivit strategjik i luftes se Izraelit, qe eshte neutralizimi i projektit berthamore te Iranit. Dhe kjo do te ndodhe patjeter, pyetja eshte kur.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje