Historia e Krimesë: Sundime, shpërbërja e BRSS dhe referendumet

20 Gusht 2025, 08:20Bota TEMA
Historia e Krimesë: Sundime, shpërbërja e BRSS dhe referendumet

Udhëheqësi i ndjerë i opozitës ruse, Aleksei Navalny, ka thënë dikur se gadishulli ukrainas i Krimesë, i cili është nën kontrollin rus që nga viti 2014, nuk është “një sanduiç me proshutë” për t’u shpërndarë.

Fati i tij – në kohën kur po zhvillohet një diplomaci intensive për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës – është sërish i pasigurt.

Presidenti amerikan, Donald Trump, pas takimit që ka zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin, më 15 gusht në Alaskë, ka thënë se për Ukrainën “nuk ka rikthim” të Krimesë.

Moska këmbëngul, po ashtu, se statusi i këtij gadishulli është çështje e mbyllur dhe kërkon njohjen e aneksimit të tij, ndonëse referendumi i mbajtur në vitin 2014 është cilësuar nga komuniteti ndërkombëtar si i rremë dhe i pavlefshëm.

Historikisht, kontrolli mbi këtë gadishull ka ndryshuar disa herë gjatë dy shekujve të fundit.

Perandoria Ruse e ka aneksuar zyrtarisht Hanatin e Krimesë në vitin 1783, gjatë sundimit të Katerinës së Madhe.

Kur Perandoria Ruse është shembur në vitin 1917, është shpallur Republika e Popullit të Krimesë, por ajo është rrëzuar shpejt nga forcat e Flotës së Detit të Zi të Rusisë, të kontrolluara kryesisht nga bolshevikët.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Luftës Civile Ruse dhe Luftës për Pavarësinë e Ukrainës, Krimeja ka ndryshuar kontroll disa herë: e kanë kapur forcat aleate nga Franca dhe Greqia dhe ushtria e kuqe dhe e bardhë ruse, derisa është pushtuar nga bolshevikët në nëntor të vitit 1920.

Pas pushtimit gjerman, Krimeja ka mbetur pjesë e Rusisë brenda Bashkimit Sovjetik deri në vitin 1954, kur Nikita Khrushchev e ka transferuar atë te Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës.

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe referendumet

E banuar kryesisht nga rusët etnikë, Krimeja ka mbetur pjesë e Ukrainës kur ajo ka fituar pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik, pas shpërbërjes në vitin 1991.

Në referendumin për pavarësinë e Ukrainës në dhjetor të vitit 1991, pak më shumë se gjysma e banorëve të Krimesë kanë votuar për pavarësinë e Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik: 54% në të gjithë rajonin dhe 57% në qytetin e administruar veçmas të Sevastopolit.

Në vitin 1994, shumica e banorëve të Krimesë kanë votuar për t’i dhënë gadishullit më shumë autonomi brenda Ukrainës dhe për t’i lejuar banorët të kishin dy shtetësi: ruse dhe ukrainase.

Por, këto masa nuk janë zbatuar, pasi Dhoma e Lartë e Parlamentit të Ukrainës ka shfuqizuar Kushtetutën e Krimesë dhe pozicionin e presidentit të Krimesë, duke hartuar një kushtetutë të re në vitin 1999.

Si pjesë e Ukrainës, Krimeja ka vazhduar të jetë bazë e Flotës Ruse të Detit të Zi, me seli në Sevastopol, dhe Rusia i ka shfrytëzuar me qira objektet e saj.

Sipas marrëveshjes së qirasë, Rusia është zotuar se “do të respektojë sovranitetin e Ukrainës, do të zbatojë ligjet e saj dhe nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme të Ukrainës”.

Pavarësisht kësaj, trupat e flotës kanë luajtur një rol kyç në marrjen nën kontroll të gadishullit të Krimesë në shkurt të vitit 2014.

Pas kësaj, Rusia ka organizuar një referendum, të cilin Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka cilësuar si të paligjshëm.

Rusia ka shpallur aneksimin formal të gadishullit në mars të vitit 2014, duke shkaktuar kështu dënime dhe sanksione ndërkombëtare.

Që nga aneksimi, Rusia ka këmbëngulur se statusi i Krimesë nuk është në diskutim. Së voni është raportuar se Putin i ka thënë Trumpit se marrëveshja e paqes për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës, do të varej, mes tjerash, edhe nga njohja e këtij aneksimi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka theksuar se Ukraina nuk do ta njohë ligjërisht kontrollin rus mbi gadishullin dhe se Kushtetuta e vendit e lejon dhënien e territorit vetëm përmes një referendumi kombëtar.

Trump ka thënë më herët se “askush nuk i kërkon Zelenskyt ta njohë Krimenë si territor rus”.

Shtetet e Bashkuara, nga ana tjetër, mund të bëhen vendi i parë perëndimor – dhe me gjasë i vetmi në të ardhmen e afërt – që do ta njohin, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Disa burime kanë thënë se administrata aktuale e Trumpit mund të jetë e hapur për këtë hap, ndërsa vetë Trump ka thënë gjatë mandatit të tij të parë – para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia – se nuk do ta përjashtonte këtë opsion./REL

3 Komente

  1. P
    Psikologu

    bjerini daulles o njerez/media qe jeni bere papagaj dhe perconi shifra dhe foto te perpunuara nga hamasi.lufta mbaron ne minuten qe hamasi dorzon pengjet dhe armet e paligjshme.ka ndo nji papagall qe di ta shpjegoj si rritet popullsia ne kushte gjenocidi?????????ne izrael ne vitin 1948 kishte 160 mije arabe kurse sot 2.5 milion.ne Gaza ne vitin 1967 kishte 350 mije banore kurse sot 2 milion. skizofrenia botrore ne kulmin e saj !

    Përgjigjjuni
    1. L
      Linza

      Çfare lesh rusesh etnike ka ne Krime? Shkurt historia e saj: Në kohën e pushtimit të parë nga Rusia në 1783, popullsia e Krimesë ishte rreth 500,000 banorë. Shumicën dërrmuese e përbënin Tatarët e Krimesë, ndërsa popullsitë e tjera ishin minoritare. Përbërja etnike e Krimesë para aneksimit rus: 1. Tatarët e Krimesë (~80%) – Popullsia autoktone, me kulturë turko-islamike dhe të lidhur ngushtë me Perandorinë Osmane. 2. Grektë, armenët dhe italianët (gjenovezët) – Të përqendruar kryesisht në qytetet bregdetare. Ata ishin tregtarë dhe artizanë të rëndësishëm. 3. Osmane dhe turq – Zyrtarë dhe tregtarë osmanë që kishin prani në Krime për shkak të marrëdhënieve të ngushta me Hanatin e Krimesë. 4. Ukrainas dhe moldavianë – Të pranishëm në numër të vogël, sidomos në pjesën veriore të Krimesë. 5. Rusët – Shumë të paktë ose FARE në atë kohë. Rusia nuk kishte ende një prani të madhe demografike në Krime para aneksimit. Si ndryshoi popullsia pas aneksimit nga Rusia? Pas 1783, Perandoria Ruse zbatoi një politikë të rusifikimit dhe kolonizimit, që përfshinte: - Dëbimin dhe emigrimin e mijëra Tatarëve të Krimesë drejt Perandorisë Osmane (sidomos në Turqi dhe Dobruxhë) - Vendosjen e rusëve, ukrainasve dhe popujve të tjerë sllavë në Krime. - Rrënimin e kulturës dhe institucioneve tatare, përfshirë rrënimin e shumë xhamive dhe përdorimin e tokave të tyre për kolonët e rinj. - Deportimi i tatarëve nga Stalini (1944) – Rreth 200,000 tatarë të Krimesë u deportuan me forcë drejt Azisë Qendrore (veçanërisht në Uzbekistan), duke ndryshuar ndjeshëm përbërjen etnike. Keshtu ka bere Rusia ne shekuj: Pushto - Deporto - Rusifiko. Shkurt Krimea nuk i perket Ukraines dhe aq me pak Rusise.

      Përgjigjjuni
      1. M
        Manza

        Shkurt dhe thjesht, ta mbështes fortë Linza! Krimea i takon arnautstanit si bashkëpushtues dhe bashkësundues me osmanët! A po jo, e menderosura Linza!? 54 vezir arnut kanë kontribuar për perandorin osmane prandajë i takon arnautstanit!

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje