Mark Zuckerberg përballet me jurinë në gjyqin historik për varësinë nga mediat sociale

18 Shkurt 2026, 09:30Bota TEMA
Mark Zuckerberg përballet me jurinë në gjyqin historik për

Mark Zuckerberg, drejtori ekzekutiv i Metës, pritet të dëshmojë këtë javë në një gjyq të pazakontë që ka të bëjë me ndikimin e mediave sociale tek fëmijët dhe të rinjtë.

Rasti është ngritur nga një vajzë 20-vjeçare, e identifikuar me inicialet KGM, e cila pretendon se përdorimi i hershëm i Instagramit dhe platformave të tjera e ka bërë të varur nga teknologjia dhe ka përkeqësuar gjendjen e saj mendore, duke përfshirë depresionin dhe mendimet vetëvrasëse.

Drejtori ekzekutiv i Metës pritet t’u përgjigjet pyetjeve të vështira të mërkurën, ku Meta dhe YouTube janë të pandehurit kryesorë, ndërsa TikTok dhe Snap e kanë zgjidhur çështjen jashtë gjykatës.

Ky gjyq është një nga tre rastet e zgjedhura si “gjyqe paralajmëruese”, që do të thotë se rezultati i tij mund të ndikojë drejtpërdrejt mbi mijëra padi të ngjashme kundër kompanive të mediave sociale në SHBA.

Zuckerberg ka dëshmuar më parë në Kongres për sigurinë e të rinjve, ku madje ka kërkuar falje familjeve që besonin se kishin humbur fëmijët e tyre për shkak të ndikimit të platformave, por kjo është hera e parë që ai do të përballet me pyetje të tilla para një jurie.

Meta ka mohuar akuzat, duke deklaruar se është e bindur që provat do të tregojnë angazhimin e saj për të mbështetur të rinjtë. Avokatët e kompanisë kanë pranuar se paditësja ka pasur probleme me shëndetin mendor, por kanë argumentuar se Instagram nuk ishte shkaku kryesor, duke përmendur një ambient të vështirë familjar.

Nga ana tjetër, avokatët e paditësit pritet të përqendrohen tek algoritmet e Instagramit, feed-et pa fund dhe filtrat kozmetikë, të cilat sipas tyre janë të dizajnuara për të mbajtur përdoruesit të lidhur vazhdimisht me platformën.

Dëshmia e Zuckerberg vjen pas asaj të Adam Mosserit, kreut të Instagramit, i cili javën e kaluar tha se nuk beson se njerëzit mund të jenë klinikisht të varur nga rrjetet sociale dhe se kompania punon për të mbrojtur të rinjtë.

Megjithatë, avokatët e paditësit e sfiduan me pyetje mbi funksionet e aplikacionit që, sipas tyre, nxisin përdoruesit të kalojnë më shumë kohë online.

Përveç këtij procesi, Meta po përballet edhe me një gjyq tjetër në New Mexico, duke e vendosur kompaninë nën presion të madh ligjor dhe publik.

Rezultatet e këtyre gjyqeve mund të përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e Metës, por edhe mënyrën se si do të trajtohen përgjegjësitë e kompanive të mediave sociale për ndikimin e tyre tek shëndeti mendor i të rinjve.

Lini një Përgjigje