Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e themeluesit të kompanisë Mango, Isak Antic, i cili humbi jetën më 14 dhjetor 2024 gjatë një ecjeje në malin Montserrat, pranë Barcelonës.
Sipas dëshmive të reja të përfshira në dosjen hetimore, një përkthyese britanike, e cila bashkëpunonte herë pas here me terapisten e familjes, ka deklaruar se ecja në mal ishte pjesë e një procesi terapeutik që synonte të vinte babanë dhe djalin përballë një situate ekstreme.
Sipas gazetës El Pais, dëshmia konsiderohet se rëndon pozitën e Jonathan Antic, djalit të biznesmenit, i cili aktualisht është nën hetim për vdekjen e të atit.
Në dëshminë e saj para autoriteteve, gruaja tha se me kërkesë të terapistes Julia Lunderwald ishte ajo që kërkoi itinerarin malor ku do të zhvillohej takimi mes babait dhe djalit.
Ajo shpjegoi se u zgjodh rruga Camí de les Feixades dhe se një javë para aksidentit kishte shoqëruar Jonathan Antic në këtë itinerar, në mënyrë që ai ta njihte terrenin përpara se të rikthehej aty së bashku me të atin.
Hetuesit kishin konstatuar më herët, përmes sistemeve të njohjes së targave dhe të dhënave të gjeolokacionit, se Jonathan Antic kishte vizituar të njëjtën zonë të paktën dy herë në ditët që paraprinë vdekjen e babait të tij.
Sipas dëshmisë, terapistja kishte udhëzuar babanë dhe djalin të përjetonin një situatë me presion të lartë emocional si pjesë e procesit terapeutik. Dëshmitarja shtoi se Jonathan Antic duhej të qëndronte “në buzë të një shkëmbi”, me qëllim krijimin e një përvoje ekstreme gjatë terapisë.
Gruaja britanike tha se vendosi të fliste para autoriteteve nga frika se prania e saj në zonë disa ditë para vdekjes së Isak Antic mund të interpretohej si e dyshimtë.
Ajo shpjegoi se mori këtë vendim pasi mësoi se hetimi gjyqësor po shqyrtonte edhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në ngjarje.
Si pjesë e dëshmisë së saj, ajo u dorëzoi hetuesve mesazhe dhe skedarë audio të shkëmbyer me terapisten Julia Lunderwald, që lidhen me organizimin e ecjes në mal, materiale që tashmë janë përfshirë në dosjen e hetimit.
Lini një Përgjigje