Për të bërë marrëveshje me Iranin, duhet të ekzistojë një Iran që mund ta firmosë atë

10 Mars 2026, 12:30Bota TEMA
Për të bërë marrëveshje me Iranin, duhet të

Basti i presidentit amerikan Donald Trump në Venezuelë funksionoi, deri në njëfarë mase, pikërisht sepse shteti nuk u shemb. Në Iran kjo mund të mos ndodhë, sepse partnerët e luftës së administratës Trump – Izraeli dhe kurdët – kanë interesat dhe ambiciet e tyre, të cilat nuk përfshijnë domosdoshmërisht shmangien e fragmentimit të autoritetit.

Nga Stephen Holmes, Project Syndicate

Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit së fundi e përmblodhi qasjen e administratës Trump ndaj ndryshimit të regjimeve nëpër botë me tri fjalë: “priji kokën dhe delego.” Largo nga pushteti një lider të papranueshëm, dobësoje regjimin me sulme ajrore dhe sanksione, pastaj detyro pasardhësin të pranojë një marrëveshje, duke eleminuar kështu irritantin gjeopolitik, ndërsa njëkohësisht i hap derën normalizimit diplomatik, aksesin ndaj naftës së atij vendi dhe, në rastin e Iranit, tërheqje nga programi nuclear.

Strategjia tingëllon e drejtpërdrejtë, por mbart një kontradiktë fatale: I njëjti presion ushtarak përmes të cilit synohej detyrimi i një shteti të pranojë marrëveshjen, rrezikon të shkatërrojë autoritetin politik që nevojitet për ta firmosur marrëveshjen.

Presidenti Donald Trump ka sugjeruar vazhdimisht se ajo çfarë ndodhi në Venezuelë më herët gjatë këtij viti, do të ishte “skenari perfekt” edhe për Iranin. Por, modeli venezuelian ka një parakusht thelbësor. Ai kërkon një qeveri pasardhëse të aftë për të vepruar në emër të shtetit. Dikush duhet të ketë autoritetin e nevojshëm institucional dhe legjitimitetin e brendshëm për të mbajtur koston politike të ujdisë me Uashingtonin – dhe, çka është më e vështirë, t’i detyrojë ata të cilët e shohin ujdinë si tradhëti, që ta pranojnë atë.

Vetëm dhjetë dita nga nisja e operacionit “Epic Fury”, ky parakusht sa vjen dhe po dobësohet. Ai po minohet jo vetëm nga fushata ushtarake, por edhe nga incentivat strategjike me të cilat përballen aktorët e tjerë të përfshirë në konflikt.

Izraeli, aleati më i ngushtë rajonal i Amerikës dhe Irani, kundërshtari kryesoj, po ndjekin dy objektiva krejt të ndryshme. Megjithatë, të dy palët konvergjojnë në të njëjtën pasojë: fragmentimi i autoritetit shtetëror iranian. Kjo nuk është rastësi. Është diçka strukturore, që do të prodhojë një Iran, i cili është njëkohësisht më i rrezikshëm dhe më pak i aftë për të nënshkruar një marrëveshje.

Arsyeja për këtë është e thjeshtë: të negociosh paqen kërkon shumë më tepër organizim politik se sa të shkaktosh kaos. Që të mund të nënshkruajë një marrëveshje, të rihapë tregjet e naftës dhe të normalizojë marrëdhëniet, Irani duhet të veprojë si një shtet sovran i bashkuar. Por, për të ndërprerë rrjedhën globale të energjisë, i mjaftonjë kapacitet i shpërndarë operacional.

Presioni ushtarak e shtyn Iranin drejt fragmentimit të pushtetit. Kjo mund të pakësojë aftësitë e tij për t ndërmarrë operacione të mëdha e etë koordinuara që shkaktojnë dëme të përqendruara. Por, një autoritet i fragmentarizuar mund të prodhojë diçka edhe më të frikshme: një kërcënim konstant pa adresë kthimi. Pra, i njëjti fragmentarizim që eleminon nevojën për të aprovuar goditjen e, le të themi, infrastrukturës së Gjirit, bën që të mos ketë asnjë autoritet të unifikuar që t’i ndalë këto sulme.

Incentivat strategjike të Izraelit e përforcojnë një dinamikë të tillë. Për izraelitët, një Iran i zhveshur nga komanda e unifikuar – i paaftë të koordinojë operacione masive sulmuese ndaj rrjeteve të tyre ushtarake – plotëson kushtin e tyre primar të sigurisë. Një armik i fragmentarizuar është më i lehtë për t’u kontrolluar se sa një armik i bashkuar. Ndaj, ruajtja e koherencës institucionale të nevojshme për diplomacy, nuk është prioritet për Izraelin.

Strategjia e mbijetesës e vetë Republikës Islamike priret nga i njëjti drejtim. Garda Revolucionare Islamike është përgatitur prej kohësh për prerjen e kokës së lidershipit, përmes asaj çfarë ata vetë e quajnë “mbrojtje në formë mozaiku,” dhe që konsiston në shpërndarjen e autoritetit komandues në në njësitë pronvinciale të afta për të vepruar në mënyrë autonome në rast shkatërrimi të lidershipit qendror. Por struktura që e bën regjimin të vështirë për t’u eleminuar, e bën atë gjithashtu të paaftë për të negociuar politikisht dorëzimin.

Regjimi iranian kishte parashikuar se oreksi i Shteteve të Bashkuara për një luftë rajonale do të ishte i kufizuar. Një koncept i paraplanifikuar për përshkallëzim – që ndonjëherë përshkruhet si “Operacioni Madman” – parashikonte zgjerimin e konfliktit duke goditur jo vetëm bazat amerikane, por edhe asetet ekonomike të shteteve të Gjirit, duke llogaritur se kostot politike dhe ekonomike të një destabilizimi rajonal do ta triumfonin ndaj vendosmërisë amerikane. “E dimë që Amerika është jashtëzakonisht e shqetësuar për një luftë rajonale,” shpjegoi një këshilltar i lartë parlamentar iranian. “Plani ynë është të zgjerojmë shtrirjen e luftës.”

Iranit nuk i duhet ta fitojë luftën ushtarakisht. Atij i mjafton të mbijetojë deri në momentin kur kostot politike dhe ekonomike të paqëndrueshmërisë rajonale të fillojnë të grumbullohen. Pasojat janë tashmë të dukshme. Brenda një jave, trafiku i anijeve të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit – nga ku kalon rreth një e pesta e naftës së botës – ra me 90%. Aeroporti ndërkombëtar i Dubait, më i ngarkuari në botë, praktikisht u mbyll. Çmimet e karburantit të avionëve në Evropë u rritën me 72%, duke iu afruar kulmit të vitit 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës. Katari ndaloi prodhimin e gazit natyror të lëngshëm. Çdo javë shtesë paqëndrueshmërie rrit presionin mbi aleatët e Amerikës – dhe mbi një Parti Republikane që përballet me zgjedhje për Kongresin ndërsa çmimet e karburantit në pompë rriten.

Ndërkohë, struktura e brendshme politike e Iranit po bëhet gjithnjë e më pak e aftë të prodhojë një partner për negociata. Kur presidenti Masoud Pezeshkian tentoi, siç raportohet, një përpjekje të sinqertë për afrimin me fqinjët e Gjirit, linja e ashpër brenda Iranit e minoi shpejt nismën e tij – dhe Trump e përfundoi punën me kënaqësi, duke postuar në Truth Social për të festuar “dorëzimin poshtërues” të Iranit. Njeriu që kishte më shumë nevojë për një pragmatist që të mbijetonte në Teheran, shkatërroi çdo mbulesë politike të brendshme që i kishte mbetur atij pragmatisti.

Dinamikat kurde shtojnë një tjetër forcë centrifugale. Trump fillimisht e quajti përfshirjen e kurdëve “të mrekullueshme”, për të ndryshuar papritur qëndrim pasi liderët kurdë të Irakut u ankuan se përpjekjet e CIA-s për të armatosur luftëtarët e tyre po i bënin ata objekt hakmarrjeje nga Irani. Tërhiquni, u tha Trump, sepse “lufta është tashmë mjaftueshëm e ndërlikuar”. Grupet që e kujtojnë braktisjen nga Trump në vitin 2019 të kurdëve të Sirisë – të cilët kishin luftuar përkrah forcave amerikane kundër ISIS-it – nuk do t’i angazhojnë luftëtarët e tyre për objektiva lufte amerikane të paqarta dhe vazhdimisht të ndryshueshme.

Faza e parë e luftës eliminoi gjithashtu shumë nga figurat që Uashingtoni i konsideronte në mënyrë joformale si bashkëbisedues të mundshëm – zyrtarë të lartë iranianë që besohej se kishin prirje pragmatike për marrëveshje. Vetë Trump e pranoi këtë me një sinqeritet të pazakontë: “Shumica e njerëzve që kishim në mendje janë të vdekur.” “Prerja e kokës” ishte aq e suksesshme sa shkatërroi edhe vetë parakushtin e strategjisë.

Tashmë është emëruar një pasardhës: Mojtaba Khamenei, djali i udhëheqësit suprem të vrarë. Fakti që Republika Islamike – e themeluar pikërisht mbi refuzimin e sundimit dinastik – ka përfunduar duke iu drejtuar një trashëgimie familjare flet shumë. Mekanizmi institucional i trashëgimisë është përkulur për të prodhuar një rezultat në kushte emergjence. Izraeli tashmë e ka shpallur atë një objektiv të menjëhershëm për eliminim. Zgjedhja e udhëheqësve supremë tani i ngjan më shumë hartimit të një liste objektivash për t’u goditur.

Strategjia “prije kokën dhe delego” funksionon vetëm nëse goditja është aq e saktë sa të lërë pas dikë të aftë të marrë kushtet. Kjo politikë kërkon një Iran mjaftueshëm të dobët për t’iu bindur kërkesave amerikane, por edhe mjaftueshëm koherent për t’i zbatuar ato. Por interesi ekzistencial i Izraelit për të fragmentuar në mënyrë të përhershme fuqinë shtetërore iraniane, struktura e decentralizuar e mbrojtjes së Iranit dhe përqendrimi i autoritetit rreth institucioneve, vetë arsyeja e ekzistencës së të cilave është mbajtja peng e tregjeve botërore të energjisë, po prodhojnë një Iran që nuk është as njëra, as tjetra.

Iranit i duhet shumë më pak koherencë organizative për të vazhduar të destabilizojë botën sesa i duhet për të ndalur operacionet e decentralizuara ofensive që tashmë ka vënë në lëvizje. SHBA mund të arrijë ta dobësojë Iranin ushtarakisht, ndërkohë që shkatërron të vetmen gjë që nevojitet për t’i dhënë fund konfliktit: një shtet iranian të aftë për të bërë – dhe për të zbatuar – një marrëveshje.

 

1 Komente

  1. I
    Igor

    Per te aritur nji mareveshje duhet te perjashtohen Amerikanet dhe Izraelitet pse keta dy jan nxitesit e luftrave kudo qe ndodhin keta dy duhet te perjashtohen nga sejcila organizate nderkombetare dhe te pranohen kur e trgojn se respektojne te drejtat e njeriut por deri me sot nuk e kan treguar pra bota mundet pa Ameriken dhe Izraelin.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje