Samiti i Londrës për Ukrainën: po forcohet aleanca mes partnerëve, por paqja mbetet ende larg

7 Qershor 2026, 09:10Bota TEMA
Samiti i Londrës për Ukrainën: po forcohet aleanca mes

Në një pikë rusët dhe evropianët bien dakord: Evropa, qoftë në formatin E3 (Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania) që mblidhet sonte në Londër, qoftë në një përbërje më të gjerë deri te rreth tridhjetë vendet që përbëjnë Koalicionin e të Vullnetshmëve, nuk do të mund të luajë kurrë një rol ndërmjetësues mes Ukrainës dhe Rusisë, «sepse ne nuk jemi neutralë, jemi në krah të Kievit dhe kështu do të mbetemi gjithmonë», përsërisin burimet diplomatike të Elizesë. Kjo nuk do të thotë se evropianët, edhe pse jo si ndërmjetës, nuk mund të kenë një rol në negociatat e ardhshme, dhe këtë e përsëriti presidenti francez.

«Ne jemi kontribuuesit më të mëdhenj në përpjekjen e luftës së Ukrainës dhe, për këtë arsye, do të jenë evropiaët ata që, në një moment, do të duhet të ulen në tryezën e negociatave për një plan paqeje».

Megjithatë, një plan paqeje nuk duket në horizont, duke parë refuzimin e presidentit rus Vladimir Putin për takimin që i ishte ofruar nga lideri ukrainas Volodymyr Zelensky . Takimi i sonte në Downing Street mes kryeministrit britanik Keir Starmer, presidentit francez Macron dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz, të cilët më pas do të takohen me Zelenskyn, duket kryesisht si një mënyrë për të forcuar bashkëpunimin diplomatik dhe ushtarak mes dy fuqive bërthamore të kontinentit (Mbretëria e Bashkuar dhe Franca), vendit që ka vendosur riarmatimin më të madh konvencional të BE-së (Gjermania) dhe Ukrainës, e cila po arrin suksese në front. Kjo bëhet në prag të takimit të ardhshëm të Koalicionit të të Vullnetshmëve që do të mbahet në Paris më 13-14 korrik, me rastin e festës kombëtare franceze.

Do të jetë parada e fundit ushtarake në Champs Élysées para se Macron të largohet nga Elizeja në vitin 2027, dhe presidenti dëshiron ta shfrytëzojë këtë rast për t’i dhënë një dimension evropian, si mënyrë për të treguar se bisedimet për Ukrainën në formatin E3, si ai i sonte, dhe samitet e zgjeruara të Koalicionit të të Vullnetshmëve, ndoshta nuk kanë sjellë armëpushim apo dërgimin e trupave për ta garantuar atë — një rezultat i pamundur për sa kohë që Putin nuk heq dorë nga lufta — por gjithsesi i kanë dhënë Evropës një rol dhe një autonomi të paimagjinueshme deri para pak vitesh.

Në fund të fundit, kjo duhet t’u pëlqejë edhe Shteteve të Bashkuara, pasi vetëm dje sekretari amerikan i Luftës Pete Hegseth — i shoqëruar nga bashkëshortja dhe gjashtë fëmijët në Normandi për përkujtimet e zbarkimit — këmbënguli mbi «domosdoshmërinë strategjike» që Evropa të jetë përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e saj, duke ritheksuar se «paqja garantohet vetëm nga forca», jo nga «slogane boshe, samite pompoze apo komunikata». Hegseth u bëri më pas thirrje kryeqyteteve evropiane të veprojnë kundër zbarkimeve të reja, atyre të «ideologjive të rrezikshme, të gomoneve dhe të burrave që mbërrijnë në brigjet e Spanjës, Italisë, Greqisë dhe Bullgarisë»./ Corriere della Serra

1 Komente

  1. I
    Igor

    Te gjith e dine qe Evropa nuk don paqe por vetem dobesimin e Rusis per te aritur kete e perdorin Ukrainen me furnizime te armeve nuk arihet paqe nese doni paqe duhet te veproni ndryshe por askush nuk guxon ,xhdo vend i Evropes duhet ti largojn Ambasadat nga vendet e tyre dhe anasjelltas ti terheqin Ambasadat e tyre nga Moska ndoshta funkcionon edhe ma shpejte por jo keshtu si veprojn sot shitje dhe blerje.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje