Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njoftuar një paketë të madhe shitjesh armësh për Tajvanin me vlerë mbi 10 miliardë dollarë.
Sipas Associated Press, Departamenti Amerikan i Shtetit i shpalli marrëveshjet e shitjes së armëve mbrëmjen e së mërkurës, gjatë një fjalimi të transmetuar në nivel kombëtar nga presidenti Trump, i cili nuk bëri pothuajse asnjë referencë ndaj politikës së jashtme dhe nuk përmendi as Kinën dhe as Tajvanin.
Paketa përfshin tetë marrëveshje të ndara shitjeje armësh, mes tyre 82 sisteme artilerie raketore me lëvizshmëri të lartë HIMARS dhe 420 raketa taktike ATACMS, me një vlerë mbi 4 miliardë dollarë.
Këto sisteme janë të ngjashme me ato që SHBA i ka furnizuar Ukrainës gjatë administratës Biden për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
Në paketë përfshihen gjithashtu 60 sisteme obusësh vetëlëvizës dhe pajisje shoqëruese me vlerë mbi 4 miliardë dollarë, si dhe dronë luftarakë me një kosto që tejkalon 1 miliard dollarë.
Sipas AP-së, marrëveshjet përfshijnë gjithashtu shitjen e softuerëve ushtarakë me vlerë mbi 1 miliard dollarë, raketa kundërtanke Javelin dhe TOW me vlerë mbi 700 milionë dollarë, pjesë këmbimi për helikopterë në vlerë 96 milionë dollarë, si dhe kite për rinovimin e raketave Harpoon me vlerë 91 milionë dollarë.
Në deklarata të ndara, por pothuajse identike, DASH tha se këto shitje shërbejnë për “interesat kombëtare, ekonomike dhe të sigurisë së SHBA-ve”, duke ndihmuar Tajvanin të modernizojë forcat e armatosura dhe të ruajë një kapacitet të besueshëm mbrojtës.
“Shitjet e propozuara do të ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë së përfituesit dhe në ruajtjen e stabilitetit politik, ekuilibrit ushtarak dhe progresit ekonomik në rajon”, thuhet në deklaratat zyrtare të Departamentit të Shtetit.
Reagimi i Kinës ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Ministria e Jashtme kineze e cilësoi veprimin si shkelje të marrëveshjeve diplomatike mes Pekinit dhe Washington-it, duke paralajmëruar se ai dëmton rëndë sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kinës, si dhe minon stabilitetin rajonal.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, deklaroi se forcat që mbështesin pavarësinë e Tajvanit po e shtyjnë ishullin drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm.
Lini një Përgjigje