Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka kryer një operacion të paprecedentë në Detin Mesdhe, duke goditur me dronë një cisternë ruse të ashtuquajturës “flotë hije” në ujëra neutrale, në një zonë detare që ndodhet përballë brigjeve të Greqisë dhe Shqipërisë.
Anija QENDIL po udhëtonte nga India drejt portit rus të Ust-Luga dhe, sipas raportimit të RBC News, përdorej për të shmangur sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë.
Operacioni u krye nga njësia elitare “Alpha” e SBU-së, në një distancë mbi 2 mijë kilometra larg territorit ukrainas.
Në momentin e sulmit, cisterna ishte bosh dhe nuk transportonte ngarkesë, çka përjashton rrezikun e ndotjes mjedisore në Mesdhe. Megjithatë, RBC News raporton se anija ka pësuar dëme kritike dhe nuk është më e aftë për t’u përdorur për qëllime tregtare.
“Rusia e përdorte këtë anije për të anashkaluar sanksionet dhe për të gjeneruar të ardhura që më pas përdoreshin për luftën kundër Ukrainës. Për këtë arsye, ajo konsiderohet një objektiv legjitim”, deklaroi një burim i SBU-së për faqen ukrainase.
Ky është rasti i parë i njohur kur Ukraina godet një anije të flotës ruse të evazionit të sanksioneve në Detin Mesdhe, duke sinjalizuar zgjerimin e operacioneve të saj edhe jashtë hapësirës së Detit të Zi, në një zonë detare me rëndësi strategjike për Evropën Juglindore.
Lini një Përgjigje