Qindra trupa të pajetë janë nxjerrë nga shtëpitë e rrënuara si pasojë e tërmetit të fuqishëm në Afganistan javën e kaluar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve në mbi 2.200, tha të enjten një zëdhënës i Qeverisë talibane.
Tërmeti 6.0 ballësh goditi disa provinca malore në lindje të vendit të dielën në mbrëmje, duke rrafshuar fshatra dhe duke zënë njerëz nën rrënoja.
Shumica e viktimave janë regjistruar në Kunar, ku shumë banorë jetojnë në lugina të pjerrëta lumenjsh, të ndara nga male të larta.
Zëdhënësi i talibanëve, Hamdullah Fitrat, i cili e bëri të ditur shifrën e përditësuar prej 2.205 viktimash, tha se përpjekjet për kërkim dhe shpëtim po vazhdojnë.
“Janë ngritur shatorre për njerëzit dhe po shpërndahen ndihma të para dhe furnizime emergjente”, tha ai.
Tereni po ua bën më të vështirë punën ekipeve për shpëtim. Autoritetet talibane kanë përdorur helikopterë dhe kanë dërguar ushtarë nga ajri për t’i ndihmuar të mbijetuarit.
Punonjësit e ndihmës thonë se detyrohen të ecin me orë të tëra për të arritur në fshatrat e bllokuara nga rrëshqitjet e dheut dhe shembja e shkëmbinjve.
Lini një Përgjigje