E paklasifikuar: Skenari i vizitës së Baker-it në Tiranë

22 Qershor 2022, 20:34Dossier TEMA

E paklasifikuar: Skenari i vizitës së Baker-it në Tiranë

Dokumenti i paklasifikuar i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) zbulon për herë të parë skenarin dhe organizimin e vizitave të ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker në Shqipëri më 22 qershor të vitit 1991.

“Qëllimi i vizitës suaj është inkurajimi i qeverisë që të lëvizë vendosmërisht drejt reformave demokratike dhe të tregut, respektimit të të drejtave të njeriut, dhe të tregojë mbështetje për forcat demokratike të Shqipërisë”, nënvizonte DASH-i në dokumentin e printuar në nëntor të vitit 2001.

Asokohe, Bordi i DASH-it për Punët Evropiane i sugjeroi Baker-it një skenar të mundshëm pas mbërritjes së tij, në Tiranë.

Fillimisht, në dokument sugjerohet që Baker të zhvillojë një takim gjysmë orësh me ish-Presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia.

Sipas departamentit amerikan, ky takim do të theksonte rëndësinë e demokratizimit të vazhdueshëm të reformës së tregut.

Mes palëve u rekomandua një takim i shkurtër, për të lejuar një shkëmbim më të hapur të pikëpamjeve.

Më tej, skenari, sipas DASH-it, parashikonte një takim 45-minutësh me anëtarët e qeverisë së re, përfshirë kryeministrin Bufi apo zëvendës kryeministrin e kohës, Gramoz Pashko.

DASH shkruante se Pashko ishte udhëheqësi i partisë me pozitën më të lartë në kabinet.

“Do të diskutoni planet e qeverisë për reformën ekonomike dhe reformën e sistemit politik, duke përfshirë planet për zgjedhjet parlamentare lokale dhe të reja”, shquhet nga dokumentet e DASH-it.

Sakaq, itinerari do të përvijonte me një takim një-orësh me drejtuesit e grupeve të opozitës demokratike.

Tryeza e rrumbullakët do të zhvillohej, sipas dokumenteve, në një dhomë takimesh në Hotel “Dajti”.

Nga përfaqësuesi i tyre në Tiranë, DASH, kishte paraprakisht një listë sugjerimesh për pjesëmarrësit në takim.

I pari në listë, ishte Sali Berisha, asokohe lider i Partisë Demokratike, i ndjeri Sabri Godo, ish-lider i Partisë Republikane, Skënder Gjinushi, ish-lider i Partisë Social-Demokrate, Arben Imami, ish-deputet i Partisë Demokratike, Gëzim Shima, ish-lideri dhe Themeluesi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Pjetër Arbnori, deputet i PD-së, ish-i burgosur politik.

Më tej lista vijonte me figura, si i ndjeri Ylli Popa, ish-nënkryetari i Forumit të të Drejtave të Njeriut, Fatos Lubonja, Sekretar i Lidhjes së ish-të Burgosurve, Marjeta Ljarja, Kryetarja e Organizatës “Shqiptarët për Shqiptarët”.

DASH shkruante se, gjithashtu, po synonte që të ftonte dhe një përfaqësues të pakicës etnike greke.

Ish-sekretarit Baker i rekomandohej që të nënvizojë mbështetjen e SHBA-ve për procesin demokratik dhe admirimin e tyre për gjërat që kanë shqiptarët deri më tani – referuar kohës.

Departamenti thekson se disa grupe, veçanërisht Partia Demokratike dhe Sindikatat, janë shumë ‘pro-amerikane’ dhe mezi presin që SHBA-të të rrisin ndikimin e tyre në Shqipëri.

Në përmbyllje të itinerarit dokumentet e DASH-it, zbulojnë një vizitë 10-minutëshe në Selinë e Partisë Demokratike.

Gjatë kësaj kohe, sqaron DASH, do të kishte vizitorë të huaj të niveleve të larta në Tiranë, të cilët do të akomodoheshin në zyrat qeveritare ose në Hotel “Dajti”, i cili ka qenë i rezervuar për të huajt.

Sipas DASH-it, një vizitë në Selinë e Partisë Demokratike do t’u jepte një paraqitje të shkurtër të pengesave reale me të cilat përballet opozita politike në Shqipëri dhe do të nënvizonte shqetësimin e SHBA-ve për alokimin e pabarabartë të burimeve për partitë e opozitës.

Në dokumente nënvizohet se në parashikimet e tyre, pritet një turmë e madhe e përkrahësve pro-demokracisë, të cilët duhet të jenë mbledhur.

DASH i sugjeronte Baker-it që të përfitonte nga rasti për t’iu adresuar atyre shkurtimisht.

Departamenti rekomandon në fund të vizitës së Baker që të parashikojë një ndalesë pesë-minutëshe.

Kjo, në kompleksin e Ambasadës së SHBA-ve, që asokohe ka qenë i zaptuar nga italianët.

“Kjo do të shërbente për të theksuar dëshirën tonë për të theksuar praninë tonë të përhershme sa më shpejt që të jetë e mundur”.(Albaniapost)

Lini një Përgjigje