Dokumente sekrete të policisë gjermane në lidhje me organizimin e samitit të G7-ës në vitin 2015, u bënë publike në internet.
Kjo, pak para fillimit të samitit të G7-ës, i cili do të mbahet në kështjellën bavareze të Elmau-t nga data 26 deri më 28 qershor nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi gjerman “Deutsche Welle”, duke cituar radion publike “Bayerische Rundfunk”.
Të dielën e 19 qershorit, të dhënat e ndjeshme ishin të disponueshme në një faqe interneti që Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) e lidh me mbështetësit e ekstremistëve të majtë.
“Bayerische Rundfunk” ishte e para që raportoi rrjedhjen e dokumenteve konfidenciale.
Ndërkohë, disa burime në agjencitë e sigurisë kanë konfirmuar për agjencinë DPA vërtetësinë e tyre. Policia po heton për ngjarjen.
Ndër të tjera bëhet fjalë për udhëzime për ndalimin, sigurimin e makinave të policisë dhe konceptin e deeskalimit, saktësojnë gazetarët.
Gjithashtu u publikuan numrat e celularëve të disa punonjësve të lartë të policisë dhe të dhënat për kanalet digjitale të komunikimit që përdor policia.
Ende nuk dihet se kush i publikoi të gjitha këto informacione i pari në rrjet.
Siguria në samitin e G-7 në vitin 2015 u monitorua nga 18 mijë oficerë policie.
Duke komentuar rrjedhjen e të dhënave, ministri i Brendshëm bavarez Joachim Herrmann tha se për momentin, policia supozoi se incidenti nuk do të kishte një ndikim kritik në sigurinë e samitit të këtij viti.
Lini një Përgjigje