Kujtimet e Ahmet Staraveckës*/ Në burg dhe liri me Sali Muratin

29 Tetor 2025, 17:51Dossier Nga Ahmet STARAVECKA*

Kujtimet e Ahmet Staraveckës*/ Në burg dhe liri me Sali Muratin
Ishte viti 1905. Ishim një grup të dënuarish dhe të arrestuarish që na mbanin të izoluar në kalanë e Beratit. Një natë, të lidhur duar e këmbë me zinxhirë, na futën të shpërndarë në disa karro me kuaj dhe na evakuan prej këtej, pa e ditur se ku do na çonin. Pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, kur na zbritën nga karrot, e pamë veten në molin e Vlorës. Këtu pa u vonuar, na hypën në një gjemi dhe morëm udhëtimin nëpër det. U ndodha në krah të një personi, pothuajse të një moshe, që e shihja për herë të parë, i cili më pyeti se kush isha.
-       Jam Ahmet Mestan Bala, nga Staravecka e Skraparit - i thashë. Më kanë dënuar me burgim të përjetshëm, se jam gjakosur me osmanët.
-        Po ti kush je, - reagova. Jam Sali Murati, nga Vranishti. Nuk jam dënuar akoma.
Kureshtar se për ku e kishim marrë udhën, iu drejtova se ku mund të na syrgjynosnin ?
-       Ma do mendja, në Janinë.
-       Mos na japim dërmën për më larg ?!
-       S’e besoj, - tha Saliu. Në Janinë do na çojnë se ashtu e kam punën unë.
Duke vazhduar udhëtimin, kur ju afruam Vunoit, e pashë Saliun që shikimin e kishte ngulur nga malet përkarshi detit.
-       Ja prapa tyre, është Vranishti – më tha Saliu. Nuk di do ta shoh më apo jo, vazhdoi.
-       Do ta shohësh patjetër, ashtu siç do të shoh edhe unë Staraveckën.
Saliu nuk gaboi në logjikën e tij kur tha se do na çonin në Janinë. Aty gjemia ndaloi dhe na zbritën për të marrë rrugën me karro për në burg, ku do na përplasnin nëpër qelira. Fati e pruri të na bënin bashkë në të njëjtën qeli. Bashkë me ne prunë edhe Jaup Feratin nga Brataj i Vlorës. Një nobeçi, siç i thoshin gardianit turqisht, kur erdhi në qelinë tonë për të na njohur fizikisht dhe personalisht, la përshtypjen se ia njihte historinë Saliut, pasi i tha:
-       Erdhe ?!
-       Erdha, -iu përgjigj Saliu. Njerëz vijnë edhe këtu.
-       Njerëz vijnë, por njerëz trima dhe jo frikacakë, - reagoi ai.
-       Ashtu, ashtu – miratoi Saliu dhe nuk e zgjati bisedën, me mendimin se mund të ishte ndonjë provokator.
Në fakt nuk ishte i tillë. Ishte me origjinë vllehe dhe me virtyte, ashtu si shumë shqiptarë nga Janina. Por pati edhe gardianë që ishin të dhunshëm dhe brutalë. Njëri prej tyre, kur e merrnin në pyetje Saliun, e torturonte pa mëshirë. Kur iu bë gjyqi Saliut, atë e dënuan me burgim të përjetshëm, pasi akuza ndaj tij ishte e rëndë, ngaqë kishte vrarë një zabit në përleshje me të. Kur po e sillnin në qeli, disa gardianë e pyetën se sa e dënuan ?! 20 ditë, - tha Saliu krenar, - me idenë se e hodhi rrezikun dhe kishte shpresë për të qenë prapë i lirë. Dhe ai e kishte planin në kokë për ta zbatuar atë qysh natën e parë të dënimit. Për këtë gjë, miq të tij atdhetarë shqiptarë të Janinës, të gëzuar që ai nuk u dënua me vdekje, futën në burg në rrugë të ndryshme ushqime dhe raki. Këto Saliu i ndau jo vetëm me ne shokët e qelisë, por kryesisht me gardianët, me qëllim që rakija të bënte punën e saj. Në mesnatë, kur rojet e brendshme i kishte zënë gjumi, Saliu vendosi që të arratiseshim. Pasi nobeçiu vlleh, në koordinim me Saliun, kishte lënë të pambyllur mirë kaushin tonë, ne dolëm prej këtej pa vështirësi e zhurmë dhe duke u sfilitur për të hypur sipër mureve rrethues të burgut, u varëm poshtë tyre me anë litarësh që kishim siguruar.  Jaup Ferati e pati të pamundur ngjitjen dhe nuk mundi të na shoqëronte më tej.  Përpara një ure të vogël, rreth kalasë, na pikasi një patrullë, e cila duke dyshuar për praninë tonë në atë orë të vonë pranë burgut, na dha urdhër të ndalonim. Pa hezituar, ja futëm vrapit. Patrulla filloi të shtinte drejt nesh.  Në vrap e sipër, Saliun e zë një plumb në kofshën e djathtë. Pa humbur toruan, Saliu gris një copë këshishe të trupit dhe lidh kofshën, që të mos kishte rrjedhje të madhe gjaku. Patrulla vazhdonte të na ndiqte. Kur futemi në një arë me misër të vjelur, Saliu këpuste kallamishte dhe i thyente në mes, që nga zhurma e kërcitjeve të dukej sikur qëllonim me armë.  Kur e pamë se shpëtuam nga ndjekja e patrullës, u strehuam në një familje të rrethinave të Janinës. Këtu ndejëm disa ditë, ku Saliut iu dha ndihma e nevojshme për plagën në kofshë. Si morëm garanci se nuk ishim diktuar, nisëm rrugën drejt Leskovikut, për të dalë mbi Përmet. Këtu u ndava me Sali Muratin, pasi ai do shkonte drejt Labërisë, ndërsa unë drejt Skraparit.
Ne ishim arratisur nga burgu, por nuk ishim plotësisht të lirë. Dhe që të ishim të tillë duhet të luftonim për lirinë, jo vetëm për atë individuale, por në radhë të parë për atë mbarë kombëtare.   Prandaj armën do ta kishim bashkëudhëtare të jetës për ta zbrazur kundër okupatorëve shekullorë turq si edhe ndaj atyre që zaptuan Shqipërinë më pas.
Me Sali Muratin nuk u takova më fizikisht, por fama e tij u përhap shumë shpejt në gjithë Jugun si një luftëtar dhe kapedan i shquar.

Kujtimet e Ahmet Staraveckës*/ Në burg dhe liri me Sali Muratin
 
·      Sipas kujtimeve të autorit që ruhen në familjen e tij.
 
Kush është Ahmet Staravecka :
Ahmet Mestan Bala (Staravecka), luftëtar dhe patriot i vendosur, lindi në fshatin  Staraveckë të Skraparit, më 1880.  Në rininë e tij bën pjesë në çetën e Lace Backës. Në luftimet e kësaj çete në Panarit, më 1905, plagoset rëndë dhe kapet rob nga koshallet osmane. Gjykohet dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Burgoset fillimisht në kalanë e Beratit dhe më pas çohet në burgun e Janinës. Prej këtej arratiset bashkë me Sali Murat Vranishtin dhe rikthehet në çetën e Lace Backës në zonën e Skraparit.
Angazhohet në të gjitha luftimet e kësaj çete kundër okupatorëve turq dhe pas shpalljes së Pavarësisë kundër andartëve grekë. Me fillimin e Luftës së Parë Botrore emigron në Amerikë. Këtu aderon në  Shoqërinë «Vatra». Vjen në Shqipëri në fillim të viteve ’20-të dhe përfshihet në Revolucionin e Qershorit. Me pushtimin fashist të vendit rreshtohet me armë në dorë në forcat partizane të drejtuara nga Riza Kodheli, fillimisht si komandant kompanie dhe më pas si zëvendëskomandant batalioni deri në çlirimin e Atdheut.   Ndahet nga jeta në vitet ’60-të, duke lënë pas emrin e nderuar si atdhetar i palëkundur gjatë gjithë jetë së tij.
 
 

6 Komente

  1. V
    Vala

    Respekt per keta luftetare qe ia kushtuan jeten lirise se atdheut te tÿre

    Përgjigjjuni
    1. I
      Idajet Hoxha

      Shqiperia ka pas burra, lavdi vepres se tyre, patriotet jetojne ne kenge e histori !

      Përgjigjjuni
      1. G
        GOSTIVARI

        MIRËNJOHJE ME PËRULJE, ADMIRIM, DASHURI, RESPEKT PËR KËTO DY TRIMA TË ATDHEUT SHQIPËRI. TË FALA ME NDERME NIPËRVE TË TYRE. PËRGËZIME AUTORIT TË SHKRIMIT DHE TEMËS! GOSTIVARASI

        Përgjigjjuni
        1. G
          Goc´tivari

          NUK E BËRI RASTËSIA SHQIPËRINË. e BËRI SAKRIFICA E KËTYRE SHENJTORËVE TË ATDHEUT. pA KËTA NUK KISH SE SI BËHEJ I DASHURI ATDHE - SHQIPËRI SHQIPTARE

          Përgjigjjuni
          1. o
            opinionisti

            Eshte vlere kur historia tregohet nga protagonistet. Keta burra mbeten patriote me kohe te plote, se historia njeh edhe patriote me kohe te pjesshme. Nder dhe Lavdi vepres se tyre ne sherbim te popullit dhe Atdheut

            Përgjigjjuni
            1. o
              opinionisti

              Eshte vlere kur historia tregohet nga protagonistet. Keta burra mbeten patriote me kohe te plote, se historia njeh edhe patriote me kohe te pjesshme. Nder dhe Lavdi vepres se tyre ne sherbim te popullit dhe Atdheut

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje