Rregulla të reja për tregun, qeveria bën të detyrueshëm etiketimin e energjisë për 17 kategori produktesh

3 Prill 2026, 22:10Ekonomia TEMA
Rregulla të reja për tregun, qeveria bën të detyrueshëm

Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë të gjerë rregulloresh që bëjnë të detyrueshëm etiketimin e performancës energjetike për një gamë të gjerë produktesh elektroshtëpiake, elektronike dhe industriale. Kjo lëvizje, e cila vjen në zbatim të ligjit të vitit 2024 “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”, synon të rrisë transparencën në treg, duke i orientuar konsumatorët drejt pajisjeve që kursejnë energji elektrike dhe mbrojnë mjedisin.

Përmes 17 aneks-rregulloreve të miratuara, çdo produkt që importohet ose tregtohet në Republikën e Shqipërisë në këto kategori, duhet të ketë të afishuar qartë etiketën e klasit të energjisë (nga pajisjet me konsumin më të ulët deri tek ato me konsumin më të lartë).

Kategoritë e produkteve që preken nga vendimi

Për të lehtësuar zbatimin e këtij vendimi, produktet për të cilat kërkohet rreptësisht etiketimi energjetik ndahen në katër grupe kryesore.

Pajisjet elektroshtëpiake bazë

Në këtë kategori përfshihen pajisjet që përdoren masivisht në çdo familje, të tilla si:

Makinat larëse dhe makinat larëse-tharëse.

Enëlarëset për përdorim shtëpiak.

Pajisjet frigoriferike për përdorim shtëpiak.

Sistemet e ngrohjes, ftohjes dhe ajrimit

Pajisjet me ndikimin më të lartë në faturën e energjisë do të monitorohen rreptësisht. Rregullorja përfshin kondicionerët dhe njësitë e ventilimit të banesave; pajisjet e ngrohjes lokale dhe ngrohësit e hapësirës (përfshirë sistemet e integruara dhe termostatët); kaldajat me lëndë djegëse të ngurtë; ngrohësit e ujit (bojerët), rezervuarët e ujit të ngrohtë dhe sistemet diellore.

Elektronika dhe pajisjet tregtare

Përtej pajisjeve tradicionale, qeveria ka përfshirë në rregulloren e re edhe teknologjinë e informacionit dhe pajisjet e biznesit si ekranet elektronike (televizorë, monitorë); telefonat inteligjentë (smartphones) dhe tabletat; të gjitha llojet e ndriçuesve; frigoriferët magazinues profesionalë dhe pajisjet frigoriferike me funksion të shitjes direkte (për marketet dhe njësitë tregtare).

Një risi në këtë paketë është edhe përfshirja e gomave të automjeteve. Ato duhet të etiketohen në lidhje me eficiencën e karburantit dhe parametra të tjerë të sigurisë, duke i lejuar drejtuesve të mjeteve të zgjedhin goma që ulin konsumin e naftës apo benzinës.

Për zbatimin e këtij vendimi dhe garantimin që asnjë produkt pa etiketë energjetike nuk do të depërtojë në treg, Këshilli i Ministrave ka ngarkuar tre institucione kyçe: Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave (për kontrollin në pikën e hyrjes) dhe Inspektoratin Shtetëror për Mbikëqyrjen e Tregut (ISHMT), i cili do të verifikojë respektimin e rregullave në dyqane dhe qendra tregtare.

1 Komente

  1. v
    vlora.vlora

    Qeveria e ben kete apo prodhuesi,qe sa dalin nga fabrika ato e kane etiketen e kategorise jane te testuara sa harxhojne ,apo do i testoni ju plehrat qe s merni vesh nga asgje

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje